Ndërlidhjet

logo-print

A i zgjidhin problemet grevat?


Punëtorët kërkojnë më shumë të drejta gjatë një proteste paqësore në Prishtinë më 1 Maj 2008

Punëtorët kërkojnë më shumë të drejta gjatë një proteste paqësore në Prishtinë më 1 Maj 2008

Papunësia dhe varfëria paraqesin kërcënim kryesor të stabilitetit në Kosovë, thonë përfaqësues të sindikatave të punëtorëve dhe ekspertë për çështje sociale. Sipas tyre, po shpeshtohen pakënaqësitë e punëtorëve dhe mundësia për nxitjen e trazirave tashmë ekziston.


Mungesa e një ekonomie të qëndrueshme, shkalla e lartë e varfërisë dhe papunësisë, janë kërcënim kryesor i stabilitetit në Kosovë, thonë përfaqësues të sindikatave të punëtorëve dhe sociologë.

Ata thonë se kohëve të fundit kanë filluar të shpeshtohen pakënaqësitë e punëtorëve në sektorë të ndryshëm publikë dhe për këtë arsye, sipas tyre, situata sociale duhet urgjentisht të jetë prioritet në agjendën e Qeverisë së Kosovës, sepse në të kundërtën mundësia për nxitjen e trazirave sociale ekziston.

Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, thekson se karshi situatës së rëndë sociale, organizimet për shprehje të pakënaqësive nga grupe të ndryshme shoqërore, megjithatë, vlerësohen të jenë të matura.

“Sa i përket atij elementi, pakënaqësitë mund të them se janë në një shkallë shumë të lartë, domethënë pakënaqësitë e punëtorëve, duke pasur parasysh se kemi një mangësi të madhe fillimisht në infrastrukturën ligjore, rregullative që rregullon raportet dhe marrëdhëniet e punës e të punësimit”
, thotë Dragusha.

Në këtë kuadër, Dragusha përmend mungesën e Ligjit të punës.

“Ju e dini se edhe gati 11 vite të pasluftës, ne ende nuk kemi Ligj të punës, si një ligj bazik, që do të rregullonte të drejtat dhe interesin e punëtorëve, po ashtu edhe obligimet dhe përgjegjësitë”.

“Në këtë drejtim ne kemi reaguar disa herë, kemi pasur edhe greva. Por, çka është në veçanti, ne më shumë kemi pasur greva parciale, sektoriale, apo në nivel të federatave, qoftë në nivel me agjencinë kosovare të privatizimit, qoftë në raport me Qeverinë, apo në raport me Kuvendin”
, thekson Dragusha.

Haxhi Arifaj, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se shkalla e papunësisë në Kosovë arrin mbi 60 për qind dhe kjo përqindje e popullatës, sqaron ai, jeton në kushte të vështira sociale.

Arifaj, ndërkaq thekson se në këtë drejtim problemi kryesor qëndron te qytetarët që kanë mbetur të papunë nga procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Kjo kategori e shoqërisë, thotë Arifaj, është duke bërë presion në BSPK, që të organizohen forma të ndryshme të grevave, në mënyrë që t’i shprehin pakënaqësitë e tyre.

“Andaj, ne, pas zgjedhjeve, që ishim në një mënyrë të kujdesshëm dhe zgjedhjes së statusit, nuk deshëm që të krijojmë një diçka që do të ndikonte në prishjen e asaj çka u kulmua, do të thotë u arrit liria”.

“Jo pse ne nuk jemi për atë që të kërkojmë përmes protestave dhe grevave, por, së pari, si subjekt dëshirojmë ta shfrytëzojmë dialogun social, ta shtjerrim dialogun”
, pohon Arifaj.

Në anën tjetër, sociologu Fadil Maloku, thotë se duke pasur parasysh gjendjen e rëndë sociale, në të cilën gjenden qytetarët e Kosovës, reagimet janë të kundërta me reagimet që janë normale në vendet ku ekziston demokracia, në të cilat qytetarët do të mobilizoheshin për t’i realizuar të drejtat e tyre, që kryesisht prekin standardin jetësor.

“Unë mendoj se kjo ‘heshtje’ është një rrezik permanent që, nëse vazhdon kështu me këtë tempo të oportunitetit dhe konformizmit, do të vijë koha kur qytetarët do të alarmohen”.

“Dhe, kjo heshtje para stuhisë, ta quaj kështu, është shumë rrezik edhe për politikën, por edhe për vetë qytetarët. Pakënaqësia është duke u rritur dhe indiferenca nuk besoj se do të vazhdojë kështu
”, vlerëson Maloku.

Sidoqoftë edhe në një raport të UNDP-se, thuhet se 70 për qind e kosovarëve i shohin çështjet ekonomike apo sociale, si problemin e tyre të parë.

Kështu që, sipas tyre, thuhet në raport, papunësia dhe varfëria konsiderohen si kërcënim kryesor i stabilitetit në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG