Ndërlidhjet

EULEX-i rifillon procesin gjyqësor kundër Albin Kurtit


EULEX-i rifillon procesin gjyqësor kundër liderit të Lëvizjes Vetevendosje Albin Kurti. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se procesi do të fillojë me 15 shkurt në Gjykatën e Qarkut, ndërsa seancat dëgjimore do të mbahen në muajin shkurt dhe mars.
“Ky është një vazhdim i procesit gjyqësor që ka nisur në vitin 2007, ndërsa rasti është transferuar nga UNMIK-u te EULEX-i. Procesi gjyqësor që ndalur atëherë, pasi që asnjë avokat nuk pranonte ta mbronte zotin Kurti”, thuhet në deklaratën me shkrim të zëdhënëses Limdal.
Procesi gjyqësor do të zhvillohet nga një panel i përzier gjykatësish, ndërsa kryesues do të jetë një gjyqtar i EULEX-it.
Lajmin për rifillimin e procesit gjyqësor, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, edhe vetë Albin Kurti, i cili ka thënë se nga EULEX-i i është dërguar një ftesë për të marrë pjesë në seancën gjyqësore të 15 shkurtit.
Mbi Albain Kurtin rëndojnë akuzat për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra kriminale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtar kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-tës në Prishtinë, në të cilat ishin vrarë 2 protestues.
Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate ka kritikuar vendimin e EULEX-it dhe ka thënë se bëhet fjalë për një proces të montuar politik.
XS
SM
MD
LG