Ndërlidhjet

Strategjia për veriun, pa instrumente zbatimi


Mitrovicë - Ura qendrore

Mitrovicë - Ura qendrore

Strategjia e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut, nga analistët e fushave të sigurisë vlerësohet se nuk do të mund të zbatohet, përderisa nuk i parasheh edhe instrumentet e implementimit.



Analistët për çështje të sigurisë, vlerësojnë se strategjia e ICO-së dhe Qeverisë për integrimin e veriut, është më tepër një plan i veprimit politik, sesa një strategji, pasi që nuk parasheh instrumente për zbatim.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se institucionet paralele në veri të Kosovës janë shumë të fuqishme që të llogaritet se ato do të shpërbëhen me një plan veprimi politik.

Qehaja thotë se që nga zgjedhjet komunale, në të cilat serbët e pjesës qendrore dolën në zgjedhje duke dhënë sinjale pozitive për integrim, tani Serbia përqendrim e ka vetëm veriun e Kosovës, andaj ai nuk sheh mundësi që një plan i tillë të sjellë integrimin e veriut deri në fund të këtij viti, siç e parasheh kjo strategji.

“Mendoj se pa përdorimin e mjeteve të parapara me Kushtetutë, këtu mendoj para së gjithash në Policinë e Kosovës, në bashkëveprim të ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in, duke i luftuar strukturat paralele, jo popullin serb, siç mendojnë disa, por strukturat paralele që atje veprojnë, si: gjyqet, policia dhe shërbimi sekret serb atje, prandaj unë mendoj se pa një bashkërenditje të forcave për zbatimin e këtij plani të veprimit, nuk mund të ketë sukses në atë pjesë të territorit të Kosovës”,
thekson Qehaja.

Një mendim të ngjashëm lidhur me strategjinë për veriun prezanton edhe analisti Agim Musliu.

Ai thotë se planet e tilla, me të cilat synohet vendosja e rendit dhe normalitetit, shpesh përcillen edhe me përdorimin e forcave të sigurisë në suazat e lejuara, që nënkupton lirimin e objekteve dhe hapësirave tjera të uzurpuara nga strukturat që, tashmë, cilësohen si paralele dhe ilegale.

“Çka mua, si ekspert i sigurisë më brengosë, është fjalia se dhuna nuk do të përdoret, kur fare mirë e dimë se shteti serb i ka shtrirë të gjitha institucionet e veta në pjesën veriore të Kosovës, që do të thotë edhe organet horizontale dhe vertikale shtetërore, duke u nisur nga infrastruktura e sigurisë që i ka prezente”.

“Nga ky aspekt, mendoj se është e pamundur që instrumenti i dhunës të mos përdoret në disa momente të caktuara, si për shembull, kur është fjala për lirimin e objekteve të uzurpuara në mënyrë kundërligjore, e tjera”,
thotë Musliu.

Përderisa nuk përcaktohet mënyra e marrjes nën kontroll të hapësirave që kontrollohen nga strukturat paralele të Beogradit, Musliu nuk sheh ndonjë mundësi edhe për arritjen e qëllimeve të kësaj strategjie.

Mjaft skeptik për arritjen e efekteve pozitive të kësaj strategjie, është edhe analisti Ramadan Qehaja.

Ai beson se jo të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë janë treguar të gatshëm ta zbatojnë strategjinë e prezantuar për veriun.

“Është edhe një problem këtu. EULEX-i është distancuar nga ky plan dhe kjo është dobësi e madhe. Siç është thënë, ata nuk kanë marrë pjesë. Çështje tjetër, është ajo se KFOR-i në këtë rast duhet të luajë edhe një rol të ruajtësit të rendit atje, përndryshe punët nuk do të ecin”.

“Me lutje, me investime dhe dhënie parash në atë pjesë të territorit, nuk do të mund të shkohet përpara
”, vlerëson Qehaja.

Ndërkohë, në deklarimet e krerëve të institucioneve dhe Qeverisë së Kosovës thuhet se strategjia nuk synohet të zbatohet me ndërhyrje të dhunshme në veri.

Imponimi i kësaj strategjie ndërlidhet me presionet politike, që nënkuptojnë edhe trysnitë nga Brukseli, duke e kushtëzuar procesin integrues të Serbisë në BE me bashkëpunim e saj me praninë ndërkombëtare në Kosovë për shuarjen e strukturave paralele, sidomos në veri.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG