Ndërlidhjet

Të mërkurën nis dialogu për vizat


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Javën e ardhshme pritet të nisë dialogu mes Kosovës dhe Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Zyrtarë të MPB-së, thonë se dialogun e nis një takim me ekspertë të Komisionit Evropian, që do të mbahet më 27 janar në Prishtinë.





Rekomandimi i Parlamentit Evropian, që Komisioni Evropian edhe me Kosovën të nisë dialogun për liberalizim vizash, duket se do të nisë së zbatuari javën e ardhshme.

Një delegacion ekspertësh të Komisionit Evropian do të takohen të mërkurën e ardhshme (27 janar), për tri ditë radhazi në Prishtinë, me zyrtarë qeveritarë, me të cilët do t’i diskutojnë kriteret për liberalizim vizash.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se takimi shënon edhe fillimin e dialogut për vizat.

“Edhe pse takimi nuk quhet ende dialog për liberalizim vizash, të gjitha kriteret janë aty. Ne presim që Komisioni Evropian këtë takim e ka ruajtur me qëllim dhe besoj se do të vijë me risi. Agjenda është listuar pikërisht ashtu edhe siç është udhërrëfyesi”,
thotë Rexhepi.

Në të njëjtën frymë shprehet edhe eksperti për integrimet evropiane, Shenoll Muharremi.

Ai thotë se agjenda e takimit është e ngjashme me ato që Komisioni Evropian ka zhvilluar me vendet e rajonit, të cilave u kishte dhënë udhërrëfyesin për liberalizim vizash.

“Nëse e shihni me kujdes agjendën se çka do të bisedohet në këtë takim, shumica e temave dhe e kritereve të procesit janë të përfshira në këtë takim”.

“Andaj, zyrtarët e Komisionit Evropian do të dialogojnë me Qeverinë e Kosovës, me MPB-në, për çështjen e liberalizimit të vizave”,
thekson Muharremi.

Komisioni Evropian nuk i ka dhënë udhërrëfyesin për liberalizim vizash Kosovës, ndërsa pengesë kryesore fillimisht ka qenë statusi i pazgjidhur, e pastaj mosnjohja e Kosovës nga ana e pesë vendeve anëtare të BE-së.

Për të mos mbetur jashtë këtij procesi, Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar njëanshëm një udhërrëfyes, për të plotësuar kriteret e kërkuara për liberalizim vizash.

Rexhepi thekson se në takimin e javës së ardhshme, ekspertët do të njihen me punën që ka bërë Kosova në përmbushjen e këtyre kritereve.

“Agjenda është disenjuar bashkërisht me Komisionin Evropian. Ne do të raportojmë për progresin e arritur në menaxhimin e kufijve, pastaj në sigurinë e dokumenteve, në riatdhesimin, në reformën në Policinë e Kosovës, pastaj bashkëpunimi gjyqësor, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, pastaj të komuniteteve pakicë”.

“Do të raportojmë për të gjitha kriteret që janë në procesin e liberalizimit të vizave, apo kriteret që janë në udhërrëfyesin, të cilin e kemi aprovuar njëanshëm në Qeveri”,
sqaron Rexhepi.

Kosova është e vetmja nga vendet e rajonit, që nuk është e përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave. Nga dhjetori i vitit të kaluar, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi u është hequr regjimi i vizave.

Është paralajmëruar se regjimi i vizave do të hiqet këtë vit edhe për Shqipërinë e Bosnjën.

Raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, ka thënë se Kosova mund të mbetet i vetmi vend në Ballkan, që nuk do të përfshihet në listën e bardhë të Shengenit për, të paktën, 3 ose 5 vjet.

Shenoll Muharremi, thotë se mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së e prolongon procesin.

“Problematika e Kosovës mund ta prolongojë pak procesin. Shumë shpejt Kosova nuk do të jetë në listën e bardhë të Shengenit”.

“Kjo do të bëjë presion të madh, jo vetëm për Qeverinë e Kosovës, që t’i zbatojë këto rekomandime, por gjithashtu edhe për Komisionin Evropian që të bëjë ç’është e mundur që Kosova sa më parë të hyjë në listën e bardhë të Shengenit”,
thekson Muharremi.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se janë në vazhdë të plotësimit të kritereve për liberalizim vizash, ndërsa konfirmojnë se në mesin e këtij viti do t’i lëshojnë pasaportat biometrike.

Sidoqoftë, vetë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, pati thënë gjatë një vizite në Prishtinë, se megjithëse e quajnë proces teknik, liberalizimi është edhe politik.

“Edhe nëse Kosova arrin të gjitha standardet e kriteret, frikësohem se nëse pesë shtetet tjera të BE-së nuk e pranojnë pavarësinë, atëherë do të kemi problem politik”,
pati thënë Lunacek.
XS
SM
MD
LG