Ndërlidhjet

Nis fushata në Prizren dhe Lipjan


Ka filluar fushata për rivotim në Prizren dhe në Lipjan. Fushata e PDK-së dhe LDK-së për kryetar komune në këto dy qytete do të zgjasë pesë ditë. KZAP-i i rekomandon KQZ-së që gjatë këtij procesi zgjedhor t’i rrisë masat e sigurisë.



Kandidatët e partive politike që garojnë për kryetar të komunës së Prizrenit dhe Lipjanit, sot kanë nisur edhe një fushatë tjetër elektorale, e cila do të zgjasë pesë ditë.

Përfaqësuesit e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i kanë rekomanduar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që gjatë këtij procesi zgjedhor, t’i rrisë masat e sigurisë dhe numrin e pjesëtarëve të policisë nëpër vendvotime.

Kryesuesi i Sekretariatit të KZAP-it, Mulë Desku, thotë se KQZ-ja do të ishte mirë që t’i marrë parasysh rekomandimet e KZAP-it.

“Ndër rekomandimet e fuqishme që ia ka bërë KAZP-i KQZ-së, me qëllim të mbarëvajtjes së procesit të votimit në këto komuna, janë: të bëhet ndërrimi i komisioneve të qendrave të votimit, të shtohet prezenca e Policisë së Kosovës në të gjitha qendrat e votimit dhe KQZ të shtojë mbikëqyrjen gjatë procesit të votimit”, thotë Desku.

Nga ana tjetër, zyrtarët e KQZ-së thonë se institucioni që i organizon zgjedhjet, është duke i koordinuar veprimet me Policinë e Kosovës.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, thekson se KQZ-ja do t’i respektojë rekomandimet e KZAP-it.

“KZAP-i, me vendimin e vet, ka rekomanduar një gjë të tillë, pra që siguria të jetë në nivelin e duhur. Ne, si KQZ, kemi marrë një vendim, para disa ditëve, që të shtohet numri, domethënë kemi rekomanduar që kualiteti i sigurisë të jetë në nivelin më të lartë”.

“Duke e respektuar këtë vendim të KZAP-it, Sekretariati i KQZ-se ka marrë një urdhër që të bëhet shtimi i prezencës së sigurisë”
, thotë Lushta.

Edhe Policia e Kosovës konfirmon se janë duke u konsultuar me KQZ-në që procesi zgjedhor në Prizren dhe Lipjan, që do të mbahet më 31 janar, të shkojë sipas rregullave të parapara.

Baki Kelani, zëdhënës i policisë, thotë se deri më tash nuk ka ndonjë kërkesë për shtim të pjesëtarëve të policisë në qendrat e votimeve.

Megjithatë, ai thotë se policia është e gatshme të ofrojë numër më të madh të pjesëtarëve të policisë, nëse një gjë e tillë kërkohet nga institucionet që organizojnë zgjedhjet.

“Policia e Kosovës i ka planet e saj operacionale të përgatitura dhe varësisht prej situatës dhe nevojës, është e gatshme të ngrejë numrin e personelit për aq sa e kërkon nevoja në terren”.

“Mund të themi se jemi të gatshëm të asistojmë nëse kërkohet, të rrisim numrin vetëm e vetëm që të ofrojmë siguri maksimale, që të gjithë qytetarët të ndihen të lirë gjatë procesit të votimit”
, thotë Kelani.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pohojnë se jenë në përfundim e sipër përgatitjet për rivotim në Prizren dhe Lipjan.

Kryetarja e këtij komisioni, Nesrin Lushta, thotë se tashmë janë ndërmarrë të gjitha veprimet si edhe në zgjedhjet e kaluara.

“Nuk ekziston asnjë dallim prej zgjedhjeve paraprake. Jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet sa i përket shtypjes së fletëvotimeve, fushatës zgjedhore, votimit përmes postës...”, shpjegon Lushta.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk ka dashur të flasë për çështjen e Gjilanit. Megjithatë, ajo ka theksuar se opinioni do të njoftohet me kohë rreth ndonjë vendimi të ri nga ana e KQZ-së.
XS
SM
MD
LG