Ndërlidhjet

Politika kreditore vështirëson bizneset



Politika kreditore në Kosovë ka krijuar situatë të pafavorshme për zhvillimin e bizneseve dhe rrjedhimisht edhe të ekonomisë, si dhe për uljen e shkallës së papunësisë, vlerësojnë përfaqësuesit e bizneseve dhe ekspertët për çështje të ekonomisë.

Sipas tyre, përkundër nevojave për kredi që kanë bizneset për investime kapitale, kreditë që ofrojnë bankat komerciale në Kosovë, kanë norma të larta të interesit, të cilat sillen prej 12 deri në 18 për qind.

Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se normat e interesit të bankave në Kosovë, janë më të lartat në rajon.

“E vërteta është se ato shkojnë deri në 18 për qind. Interesi bankar është shumë i lartë dhe përgatitja e dokumentacioneve për të marrë kredi, përsëri është diku rreth 1.5 për qind, në vlerë totale”.

“I kanë pasojat e veta, sepse biznesin dhe ekonominë kosovare i hedhin jashtë konkurrencës, i bëjnë më pak interesante për tregjet evropiane, vjen më shpejt deri te rreziku i kthimit të kredive dhe asnjë biznes nuk mund të jetë rentabil nëse merr një kredi me 15 për qind interes”,
thotë Shahini.

Sipas tij, disa banka ndërkombëtare, të cilat janë në Kosovë, po zbatojnë politika të dyfishta kreditore në krahasim me politikat që zhvillojnë në disa vende të rajonit, ku normat e interesit bankar janë deri në 40 për qind më të ulëta.

Shahini thotë se institucionet qeveritare duhet të kenë parasysh se sektori privat është partneri kryesor për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për krijimin e vendeve të punës, pasi që për çdo vit në tregun e punës hyjnë rreth 30 mijë të rinj.

Politika kreditore aktuale, sipas Shahinit, e vështirëson zhvillimin e bizneseve dhe të sektorit privat në përgjithësi.

Edhe Musa Limani, ekspert për çështje të ekonomisë nga Instituti Ekonomik i Kosovës, thotë se politika kreditore në Kosovë nuk është aspak në funksion të bizneseve dhe kjo, shton ai, sjell pasoja për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Politika kreditore është katastrofale. Kjo politikë nuk është në funksion të biznesit kosovar, për arsye se kushtet e dhënies së kredisë janë shumë disfavorizuese për biznesin. Ato janë shumë të favorshme për bankat dhe ato nxjerrin ekstra-profitin”.

“Norma e interesit, pozitive për ata që e japin, është shumë e lartë, 12 deri në 18 për qind. Kurse, ajo negative, që japin për depozitat, thuajse nuk ekziston. Disa arsyetojnë se kjo është ekonomi e tregut dhe se qeveria nuk mund të ndërhyjë. Kjo është gabim
”, thekson Limani.

Ndërkaq, zoti Shahini vlerëson se në dy vjetët e fundit janë krijuar kushte për ndryshimin e politikës kreditore, në mënyrë që bankat të ofrojnë kredi me kushte më të volitshme për zhvillimin e bizneseve.

“Bankat e kanë pasur një arsye, para se të jetë Kosova shtet i pavarur, që të kenë një dozë frike. Por, tash, shteti i pavarur e ka të drejtën që t’i kthejë paratë që ruhen jashtë Kosovës, qoftë ato të trustit, qoftë ato të privatizimit ose një pjesë të buxhetit, që t’i kthejë ato në Kosovë dhe të financohen dhe mbështeten edhe bankat, por edhe bizneset”.

“Kjo do të ishte një formë që do t’i detyrojë bankat vendore që ta ulin normën e interesit”
, thotë Shahini.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe zoti Limani, i cili thotë se kapitali i Kosovës, që aktualisht gjendet në bankat jashtë vendit, duhet të kthehet, në mënyrë që qarkullimi i tij të futet në funksion të zhvillimit të bizneseve dhe ekonomisë kosovare.

“Diku mbi 1 miliard, me sa di unë, të mjeteve financiare që kanë qenë të dedikuara ose që i takojnë tregut, kapitalit të Kosovës, gjenden jashtë sistemit bankar të Kosovës”.

“Po të qarkullonin 1 miliard nëpër sistemin bankar te ne, do të rritej oferta për marrjen e kredive, përkatësisht do të jepeshin kredi me kushte më të volitshme. Në këtë mënyrë, do të mundësohej dhe do të rritej oferta në kuptimin e hapjes së vendeve të reja të punës, në ngritjen e kapaciteteve tjera”,
thekson Limani.

Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë kanë sugjeruar që Qeveria e Kosovës të ketë një qasje më të drejtë dhe përmes Bankës Qendrore të krijojë strategjinë e politikës kreditore, e cila do t’i përkufizonte normat e interesit për fushat e caktuara, zhvillimi i të cilave është me interes për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.
XS
SM
MD
LG