Ndërlidhjet

A duhet të ketë rol Beogradi në integrimin e veriut?


Mitrovicë
Mitrovicë

Analistët në Prishtinë thonë se Serbia nuk do të lejojë zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut. ICO, që është bashkëhartuese e strategjisë, ka sinjalizuar se për zbatimin e saj, duhen konsultime edhe me Beogradin.



Ende pa u publikuar versioni final, hije dyshimi kanë nisur të bien mbi strategjinë për integrimin e veriut, pjesë kjo që vazhdon të jetë jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës.

Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila është bashkëhartuese e strategjisë me Qeverinë, ka thënë se për zbatimin e saj, duhet konsultimi me Beogradin. Por, disa analistë kosovarë janë skeptikë se Serbia mund të lejojë një gjë të tillë, siç është integrimi i veriut.

Analisti Ilir Deda, njëherësh, drejtor i Institutit KIPRED, thotë se Serbia nuk është pala që e ndihmon këtë proces.

“Strategjia nuk mund të zbatohet në bashkëpunim me Serbinë dhe Serbia nuk ka interes që të shohë integrimin e veriut në sistemin juridik, kushtetues të Kosovës”.

“Serbia nuk është aktor, i cili do ta ndihmojë këtë proces, derisa e meta e kësaj strategjie është se nuk janë të paraparë mekanizmat për zbatimin e saj, e në radhë të parë nuk janë të paraparë mekanizmat për largimin e aparatit shtetëror serb në fushën e sigurisë, apo, si i themi ne, strukturat paralele të sigurisë, që veprojnë në veri të Kosovës
”, shprehet Deda.

Por, qëndrim ndryshe ka analisti tjetër politik, Ramush Tahiri, i cili konsideron se integrimi i veriut mund të bëhet nëse merret pëlqimi jo vetëm i serbëve lokalë, por edhe i Serbisë.

“Pa pëlqimin e serbëve lokalë është vështirë të zbatohet dhe atëherë dalin opsione të tjera të ndarjes territoriale e të tjera, ndërsa është interes i Beogradit që të kyçet në strategjinë, sepse kemi të bëjmë me komunitetin serb, i cili në numër është i vogël dhe nuk mund t’i plotësojë nevojat pa ndihmën e Beogradit”.

“Edhe ashtu është paraparë me një varg ligjesh, si Ligji për arsim, financa, kulturë, shëndetësi, kyçja e Serbisë dhe e kuadrove të Serbisë në Kosovë”
, thotë Tahiri.

Ndërsa Beogradi kundërshton me ngulm strategjinë për integrimin e veriut, Ramush Tahiri shkon më larg, duke thënë se në të vërtetë integrimi i pjesës veriore, duhet bërë përmes një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë.

“Kosova dhe Serbia duhet të kenë një marrëveshje në këtë punë, xhentëlmene, ose çfarëdo që në dobi të qytetarëve lokalë, të ndihmojë edhe mirëqenien e tyre, por edhe integrimin në institucionet e Kosovës”, thekson Tahiri.

Ndërkaq, Ilir Deda thotë se nëse këtë vit nuk arrihet që të integrohet pjesa veriore e Kosovës, atëherë rriten gjasat për bisedime për veriun, bisedime këto të kërkuara nga Beogradi zyrtar.

“Frika më e madhe është se nëse kjo strategji dështon dhe nëse nuk ka lëvizje drejt integrimit të veriut, atëherë veriu do të jetë temë e bisedave Beograd-Prishtinë, të cilat do të fillojnë në vitin 2011”, thotë Deda.

Bisedimet për pjesën veriore të Kosovës mes Prishtinës e Beogradit, sipas Ramush Tahirit, nuk do të ndodhin, meqë, siç thotë ai, as vetë Serbia nuk është e interesuar për një gjë të tillë.

“Serbia nuk fiton, nuk bëhet më e madhe nëse e ndan atë territor. Interes i qytetarëve është që ne t’i kemi integrimet evropiane dhe bashkëpunimin rajonal. Unë konsideroj se edhe reagimi i tashëm i Serbisë nuk është shumë i fortë dhe mendoj se për pak muaj, domethënë kah maji, do të kemi bashkëpunimin konkret”, deklaron Tahiri.

Beogradi, si dhe serbët e pjesës veriore kanë kundërshtuar strategjinë për veriun, e cila parasheh vendosjen e ligjshmërisë në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas dokumentit, janë disa pika bazë, mbi të cilat do të veprojë Qeveria në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë: krijimi i komunës veriore të Mitrovicës përmes zgjedhjeve që do të mbaheshin kah mesi i këtij viti, organizimi i zgjedhjeve lokale në tri komunat tjera veriore të Kosovës, margjinalizimi i strukturave paralele, mbyllja e zyrës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës, si dhe forcimi i pranisë së EULEX-it në pjesën veriore.


* * * * * * * * * *

Zyrtarët dhe analistët në Serbi thonë se plani për shtirjen e pushtetit të Prishtinës në pjesën veriore të Kosovës, nuk do të mund të ketë sukses pa pëlqimin e serbëve dhe të Beogradit. Oliver Ivanoviq pohon se situata mund të tejkalohet me largimin e Piter Feithit dhe ndryshimin e mandatit të misionit. Analisti Dushan Janjiq thotë se qasja është burokratike dhe nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit.


“Plani për integrimin e pjesës veriore të Kosovës, të cilin përpiqen ta zbatojnë autoritetet shqiptare në Prishtinë, në bashkëpunim me Piter Feithin, nuk ka gjasa për sukses, sepse nuk e ka pëlqimin e serbëve dhe të Qeverisë së Serbisë
”, thotë për Radion Evropa e Lirë sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq.

“Çfarëdo strategjie dhe iniciative, nuk mund të zbatohet dhe nuk mund të pranohet nëse në të nuk është përfshirë bashkësia serbe, respektivisht, para së gjithash, Qeveria e Serbisë. Nëse Piter Feith nuk e ka ditur këtë, atëherë tash i është bërë e qartë”,
thotë Ivanoviq.

Mendimin e tillë e ndan edhe ministri i Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, i cili thotë se plani i paralajmëruar për integrimin e pjesës veriore të Kosovës, e ka shqetësuar popullsinë lokale.

“Situata është mjaft e tensionuar dhe pres që të gjithë faktorët relevantë, që vendosin të mos u kontribuojnë tensioneve, të përpiqen t’i stabilizojnë raportet. Nuk do të doja të ndodhë ndonjë situatë dhune dhe pres që të gjithë ata që janë të ngarkuar për ruajtjen e paqes në Kosovë, të bëjnë çmos që kjo të mos ndodhë”, deklaron Shutanovac.

Ai thekson se çdo zgjidhje, e cila nuk do të përfshinte popullsinë joshqiptare në sistemin e vendimmarrjes, nuk është e mirëseardhur.

“Kjo nuk është zgjidhje që mund të sjellë stabilizimin përfundimtar të marrëdhënieve. Mendoj se ata që vendosin, duhet të kenë parasysh se nëse popullsia serbe nuk dëshiron t’i imponohet një zgjidhje e tillë, atëherë ajo nuk do të mund të zbatohet në jetën e përditshme”, pohon Shutanovac.

Oliver Ivanoviq thekson se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për nevojën e bashkëpunimit rajonal, por formati i tij duhet të jetë politikisht neutral sa i përket statusit, siç është paraparë në “planin gjashtëpikësh” me UNMIK-un, me pëlqim të EULEX-it dhe Këshillit të Sigurimit.

Zgjerimi i territorit në të cilin veprojnë institucionet e Kosovës përmes zgjedhjeve dhe kuvendeve komunale, që do të ishin në kuadër të sistemit të pushtetit të Prishtinës, nuk është model i mirë dhe efikas, konsideron analisti Dushan Janjiq.

“Kjo nuk është e mjaftueshme për integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare dhe as për zgjidhjen e problemit të enklavave. Kjo nuk e zgjidh problemin e Kosovës qendrore”.

“Qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj problemit të shoqërisë së ndarë, siç është ajo e Kosovës, është absolutisht burokratike, është e pashembullt ndaj situatës dhe nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit”
, sqaron Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Oliver Ivanoviq thotë se për të tejkaluar situatën, duhet të largohet Piter Feith dhe të ndryshohet mandati i misionit.

Misioni duhet të konceptohet ashtu që të përbëhet nga dy pjesë dhe të drejtohet nga dy qendra, Brukseli, selia e Bashkimit Evropian, dhe Nju Jorku, selia e Kombeve të Bashkuara”.

“Vetëm atëherë ai do të kishte kapacitet të plotë politik për t’i zgjidhur këto çështje shumë të ndjeshme
”, pohon Ivanoviq.

Sipas Dushan Janjiqit, këtë rol do të duhej ta marrë Bashkimi Evropian, sepse, siç thotë ai, Piter Feithin dhe zyrën e tij e kanë “bërë shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

“Mendoj se jo Piter Feith, por dikush që do të ishte përfaqësues i Bashkimit Evropian, do të mund të ishte ndërmjetësues dhe të punonte në dy drejtime. Njëri do të ishte ai aktual, me institucionet ekzistuese shtetërore, kurse tjetri paralel, ku do të përgatiteshin zgjidhjet”.

“Nëse nuk e dinë si të punojnë, atëherë le të shkojnë në Izrael që të shohin se si u përgatit heqja e mureve tre vjet më parë
”, thotë analisti Janjiq. (V.P.)
XS
SM
MD
LG