Ndërlidhjet

Bordi udhëheqës i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ka vendosur që një shumë të kursimeve të kontribuuesve ta deponojë në sistemin bankar në Kosovë, ndërkaq një pjesë tjetër ta plasojë në tregjet ndërkombëtare, bënë të ditur udhëheqës të Trustit.



Bordi udhëheqës i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ka vendosur që 10 milionë euro kursime të kontribuuesve në Trust t’i deponojë në një nga bankat që veprojnë në Kosovë.

Kjo shumë financiare ka ngritur në gjithsejtë 25 milionë euro shumën e mjeteve të Trustit, të deponuara në bankat që veprojnë në vend, tha Besim Beqaj, kryetar i bordit të Trustit.

“Kemi kërkuar një auditim të pavarur të të gjitha bankave. Është e vërtetë se ne kemi kërkuar kushte shumë të sigurta dhe kemi vlerësuar se oferta më e mirë është e NLB-së me 3.5%, me garanci që konsiderohet se është garanci trefish”, tha Beqaj.

Ai po ashtu njoftoi se bordi ka vendosur që të plasohen edhe 60 milionë euro shtesë në tregun ndërkombëtar. Ky vendim është marrë, pasi, sipas tij, tashmë ka një stabilitet financiar në tregun ndërkombëtar.

“Ne konsiderojmë se tregjet kanë treguar një stabilitet. Shpresojmë që ky stabilitet do të jetë edhe më tutje. Normalisht, asnjëherë pritjet nuk mund të jenë të plota, të prejudikohen, por ne, si bord, gjithmonë do të jemi në gatishmëri për t’i vlerësuar investimet tona dhe për të marrë vendime konform situatave”, u shpreh Beqaj.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike vazhdimisht kanë kritikuar politikat investive të Trustit, për shkak se, siç kanë thënë ata, mjetet e plasuara në institucionet financiare ndërkombëtare, përveç se kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik, kanë krijuar një imazh të keq për sistemin bankar në Kosovë.

Drejtori i menaxhmentit të Trustit Pensional të Kosovës, Ardian Zalli, tha se shuma e mjeteve të kontribuuesve në Trust arrin mbi 370 milionë euro. Mbi 260 mijë është numri i kontribuuesve në këtë trust.

“Është një diferencë e madhe. Natyrisht, kjo ka të bëjë edhe me kontributet që ne marrim - rreth 6 milionë euro kontribute në muaj nga kontribuuesit”, theksoi Zalli.

Vitin e kaluar, Trusti ka pasur zhvillime pozitive dhe kthim të lartë të investimeve, deri në 14 për qind, thonë anëtar të bordit të Trustit, duke e vlerësuar vitin e kaluar si më të mirin për investimet e Trustit që kur ekziston ky mekanizëm.

Ky kthim, sipas tyre, ka treguar se tregjet financiare janë duke iu kthyer normalitetit, gjë që ka rritur qartësinë e kahes së tregjeve dhe i ka mundësuar bordit që të jetë më komod në plasimin e mjeteve në këto tregje.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG