Ndërlidhjet

Kosova pret udhërrëfyesin për vizat


Kosova synon që vitin e ardhshëm të jetë gati teknikisht për procesin e liberalizimit të vizave. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, tha se ky proces ka shumë sfida, por ai tha se pret edhe mbështetjen ndërkombëtare.


--

Prishtina zyrtare pret që Komisioni Evropian t’ia dorëzojë Kosovës udhërrëfyesin për procesin e liberalizimit të vizave.

Në prag të takimit të nesërm në Prishtinë, ndërmjet Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës, grupi punues për liberalizimin e vizave ka diskutuar prioritetet në zbatimin e kritereve teknike, për përgatitjen e Kosovës për këtë proces.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, i cili kryeson këtë grup punues, tha se koha e përfshirjes së Kosovës në liberalizimin e vizave mbetet e ndërlidhur me dinamikën e plotësimit të kritereve teknike.

Nëse Kosova përmbush me sukses kriteret teknike, Pajaziti tha se viti i ardhshëm do të mund të llogaritej si vit potencial për përfshirje në këtë proces.

“Nëse themi se viti aktual do të jetë vit i përmbushjes së kritereve, atëherë jemi me shpresë të madhe se viti 2011 do të jetë vendimtar për procesin. Por, ajo që dua të them, është se jemi të gatshëm të përfshihemi në këtë proces dhe këtë e kërkojmë me ngulm nga BE-ja”, tha ministri i Brendshëm kosovar.

Ministri Zenun Pajaziti pranoi se para Kosovës ka edhe shumë sfida, të cilat duhet tejkaluar në këtë proces. Ai kërkoi edhe mbështetjen ndërkombëtare, sidomos në çështjet e menaxhimit të kufirit në pjesën veriore, duke e parë këtë si një prej sfidave kryesore.

“Për ne ka sfida. Ato sfida kanë të bëjnë me procese të ndryshme, vështirësi politike. Ju e dini që në menaxhimin e kufirit, ne po punojmë që dy vjet. Kemi adoptuar legjislacionin, institucionet përkatëse, kemi angazhim jashtëzakonisht të madh”.

“Kemi pastaj edhe veprimet në përputhje me reduktimet e trupave të KFOR-it. Gjithçka po bëjmë, por ka disa pengesa që nuk varen prej nesh, sidomos në raport me fqinjët tanë”.

“Jam i sigurt që këtë proces do ta tejkalojmë, jo vetëm me angazhimin tonë, por edhe me mbështetjen ndërkombëtare”
, theksoi Pajaziti.

Ndërsa teknikisht Kosova zotohet se deri në fund të vitit do t’i plotësojë kriteret e parapara, përfshirë edhe pasaportat biometrike, marrëveshjet për migrimin e deri te menaxhimi i kufijve, mbeten edhe pengesat politike që shkaktohen nga mosnjohja e Kosovës prej të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

Asdren Gashi, drejtor për BE dhe NATO në Ministrinë e Punëve të Jashtme, tha se pa njohjen e Kosovës nga pesë vendet e mbetura të BE-së, procesi i nënshkrimit të marrëveshjeve politike me Brukselin bëhet shumë i ndërlikuar.

“Përderisa nuk kemi njohje nga pesë vendet anëtare të BE-së, normalisht që nuk mund ta fillojmë një proces paraanëtarësues. Për momentin, ne po diskutojmë me Bashkimin Evropian, duke filluar nga nesër, për aspektet teknike të plotësimit të kushteve”.

“Kurse, në aspektin politik, besoj se do të jetë një fazë e dytë kur do të fillojnë diskutimet
”, tha Gashi.

Në pamundësi të marrjes së udhërrëfyesit nga Brukseli, siç kanë vepruar vendet tjera që tashmë janë pjesë e “Shengenit të Bardhë”, Kosova ka adoptuar një dokument të njëanshëm, por i cili është i ngjashëm me përmbajtjen e dokumenteve që kishin para vetes vendet tjera të rajonit.

Në takimin e nesërm me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Prishtina pret që Brukseli t’ia dorëzojë edhe Kosovës një udhërrëfyes valid, i cili do t’i parashihte të gjitha kriteret që duhet plotësuar deri në përmbushjen e plotë të kushteve për “Shengenin e Bardhë”.
XS
SM
MD
LG