Ndërlidhjet

Holokausti, 65 vjet më pas


Aushvic, 1945.
Aushvic, 1945.
“Mos lejoni të harrohet Aushvici” - titullohet shkrimi në të përditshmen britanike “Guardian”.

Gazeta thotë se, megjithëse shumë gjermanë tash po përballen me ndjenjën e fajit nga e kaluara dhe përgjegjësitë e sotme, rruga deri aty nuk ka qenë e lehtë.

Duhej të kalonin rreth 40 vjet pas Luftës së Dytë Botërore që presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë të deklaronte më 8 maj, në ditën e kapitullimit të armatës hitleriane, se kjo ishte edhe ditë e çlirimit për gjermanët.

Së fundi, vazhdon gazeta britanike, Papa gjerman, Benedikti XVI, e shfrytëzoi vizitën në Aushvic që t’u sugjerojë gjermanëve se kanë qenë viktima të “bandës së kriminelëve”, që e morën pushtetin me gënjeshtra dhe terror dhe e përdorën popullin gjerman “si një instrument”, duke mohuar kështu se nazistët ishin shumë të hapur në antisemitizmin e tyre, se erdhën në pushtet legalisht dhe se qindra mijëra gjermanë morën pjesë vullnetarisht në “Zgjidhjen Finale”.

Madje edhe sot ka ndjenja të përziera te gjermanët. Por, tmerret e stalinizmit dhe antisemitizmi vrasës i islamistëve, si presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, duket se lënë të kuptohet se vendi i Gjermanisë në histori nuk është i vetëm, shkruan “Guardian”.

Por, “Jerusalem Post” shkruan se krahas viktimave të nazizmit, po bëhen përpjekje që të përkujtohen edhe viktimat nga stalinizmi.

Në editorialin me titull “Holokausti të përkujtohet me saktësi”, gazeta pohon se ka arsye për shqetësime nga përpjekjet e përsëritura për të barazuar politikat gjenocidale të regjimit nazist, të cilat në qendër kishin Holokaustin, me veprimet tjera vrasëse apo shtypëse, gjë që do ta relativizonte gjenocidin e hebrenjve nga regjimi nazist, por do të bënte edhe revidimin e historisë.

Më 2 prill, 2009, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë, ku 23 gushti, dita e nënshkrimit të Paktit Molotov-Ribentrop ndërmjet Gjermanisë Naziste dhe Bashkimit Sovjetik, të shpallet si ditë përkujtimi për viktimat nga të dy regjimet.

Për të qenë politikisht korrekt, Holokausti në mënyrë të prerë është përjashtuar nga ky krahasim.

“Jerusalem Post” shkruan se, në qoftë se të gjitha viktimat do të përkujtoheshin njësoj, atëherë përjashtimi i hebrenjve të vrarë në Holokaustin nuk do të kishte kuptim.

Një studim i Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA) thotë se shkollat dhe muzetë evropiane duhet ta bëjnë të qartë lidhjen ndërmjet Holokaustit dhe të drejtave të njeriut kur mbajnë mësime për mizoritë naziste. Studimin do ta diskutojnë ministrat e arsimit nga vendet e Bashkimit Evropian.

Grupet hebraike kanë shprehur shqetësime për atë që e shohin si rritje të antisemitizmit në disa vende evropiane dhe kanë bërë thirrje që të rritet edukimi mbi Holokaustin, në të cilin vlerësohet se u vranë 6 milionë hebrenj.

“Gjetjet e studimit tregojnë se ndërlidhja e edukimit me Holokaustin dhe edukimin për të drejtat e njeriut paraqet sfidë të madhe jo vetëm për përkujtimin e ngjarjeve, por edhe për mësuesit në shkolla”, tha agjencia me seli në Vjenë.

Sipas saj, “vendosja e lidhjes ndërmjet dy fushave është jetike, nisur nga fakti se njohuria dhe reflektimi për të kaluarën mund të shfrytëzohen për të diskutuar sfidat në shoqëritë e sotme”. (V.P.)
XS
SM
MD
LG