Ndërlidhjet

KE: Dialogu për liberalizimin e vizave nis më vonë


Komisioni Evropian nuk i interpreton bisedimet e sotme të ekspertëve të këtij komisioni me autoritetet vendore, si nisje të dialogut për liberalizim vizash. Një interpretim të tillë e kanë bërë autoritetet në Prishtinë. Sidoqoftë, zyrtarë të Komisionit Evropian thonë se procesi i liberalizimit të vizave me Kosovën nis këtë vit.



Komisioni Evropian nuk e interpreton si nisje të dialogut për liberalizimin e vizave takimin e së mërkurës mes ekspertëve të këtij komisioni dhe Qeverisë së Kosovës.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, duke u bazuar në temat e parapara për diskutim, e kanë quajtur, në fakt, takimin treditësh edhe si një nisje të dialogut për liberalizimin e vizave.

Zëdhënësja e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Maja Pavloviq, tha se takimi është një hap para drejt procesit të liberalizimit, meqë diskutohen temat që hyjnë në këtë fushë, por me të nuk nis procesi i liberalizimit.

“Është një hap përpara, sepse temat që do të diskutohen, temat mbi punët e brendshme, si: riatdhesimi, riintegrimi, regjistrimi civil, menaxhimi i integruar i kufijve, janë të njëjtat që do të diskutohen edhe kur të nisë procesi i liberalizimit të vizave”.

“Ekspertët e Komisionit, kur të vijnë në Kosovë, në kohën kur të nisë procesi, sigurisht se do ta vlerësojnë situatën edhe mbi bazë të konkluzioneve të takimit të sotëm. Pra, në njëfarë forme, është një lidhje, por, sërish, sot nuk po e nisim procesin e liberalizimit të vizave”
, tha zëdhënësja Maja Pavloviq.

Në të vërtetë, nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave në fund të janarit ose në shkurt, e ka paralajmëruar edhe vetë raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek.

Parlamenti Evropian i ka rekomanduar, vitin e kaluar, Komisionit Evropian që të nisë këtë dialog, në mënyrë që të mos mbetet vetëm Kosova jashtë këtij procesi. Maja Pavloviq tha se procesi nis këtë vit, por pa dhënë data të sakta.

“Presim që ta nisim diku në 2010-ën, por nuk mund të japim datë të saktë”, tha ajo.

Për të mos mbetur jashtë këtij procesi, Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar njëanshëm një udhërrëfyes, për t’i plotësuar kriteret e kërkuara për liberalizim vizash.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë thënë se në takimin që nis sot, ekspertët e Komisionit Evropian do të njoftohen me përparimin që Kosova ka bërë në përmbushjen e kritereve.

Qeveria e Kosovës
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, u shpreh optimist se Kosova do t’i përmbushë shpejt kriteret për liberalizim vizash.

“Hap i ri në procesin integrues të Kosovës. Tanimë ka evoluar procesi i Kosovës në një dialog të stabilizim-asociimit. Padyshim që edhe progresi në dialogun për liberalizimin është i dukshëm”.

“Ne, si qeveri, kemi përmbushur një pjesë të obligimeve dhe do të përmbushen të gjitha ato të tjerat që priten, në mënyrë që edhe procesi për liberalizimin e vizave në raportet Kosovë-BE të përfundojë më shpejt, sesa që është pritur, apo që pritet nga ndokush”
, tha Krasniqi.

Takimi që do të zgjasë tri ditë mes ekspertëve të Komisionit Evropian dhe autoriteteve kosovare, sipas Maja Pavloviqit, është pothuaj i ngjashëm me ato takime që Komisioni ka zhvilluar me vendet e rajonit.

“Është takimi i parë nën strukturat e reja. Më herët është quajtur Mekanizmi Përcjellës i Procesit të Asociim-Stabilizimit dhe Komisioni Evropian deshi që ta çojë përpara procesin duke e rritur në nivel më të lartë, kështu që tani është më shumë në një vijë me procesin që është mbajtur në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor”.

“Janë shtatë takime sektoriale. Takimi do të zgjasë deri të premten. Tema që do të diskutohen janë çështjet e brendshme: lufta kundër korrupsionit, juridiksioni dhe fuqizimi i të drejtave të njeriut dhe i të drejtave të komuniteteve”
, tha Pavloviq.

Kosova është e vetmja nga vendet e rajonit, që nuk është e përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave. Nga dhjetori i vitit të kaluar, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi u është hequr regjimi i vizave.

Është paralajmëruar se regjimi i vizave do të hiqet këtë vit edhe për Shqipërinë e Bosnjën. Raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, ka thënë se Kosova mund të mbetet i vetmi vend në Ballkan, që nuk do të përfshihet në listën e bardhë të Shengenit për të paktën 3 ose 5 vjet.
XS
SM
MD
LG