Ndërlidhjet

Prizreni e Lipjani gati për rivotim, Gjilani ende pezull


Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pohojnë se janë bërë të gjitha përgatitjet sa u përket rivotimeve në komunën e Prizrenit dhe atë të Lipjanit. Për Gjilanin, KQZ-ja ende nuk ka arritur ndonjë vendim




Në dy komuna të Kosovës, Prizren dhe Lipjan, në të cilat më 31 janar do të rivotohet për pushtetin lokal, do të hapen 86 qendra të votimit me 269 vendvotime - bëri të ditur kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta.

Lushta pohoi se tashmë kanë përfunduar të gjitha punët sa u takon qendrave, ku do të votojnë qytetarët e këtyre komunave.

“Numri i qendrave të votimeve dhe vendvotimeve është i njëjtë sikurse në raundin e kaluar. Andaj, në Prizren kemi 60 qendra të votimit, 198 vendvotime; në Lipjan - 26 qendra të votimit, 71 vendvotime”, tha Lushta.

KQZ-ja, në bazë të disa vendimeve dhe rregulloreve, ka bërë ripërtëritjen e kartelave të identifikimit për vëzhguesit e akredituar, si dhe ka pranuar vëzhgues të tjerë, vendorë dhe ndërkombëtarë. Kryetarja e këtij komisioni, Nesrin Lushta, shpjegoi më shumë:

“Zyra e regjistrimit të partive politike e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka kryer akreditimin e vëzhguesve. Janë akredituar 1,876 vëzhgues vendorë dhe 190 ndërkombëtarë”.

“Pra, numri total i vëzhguesve është 2,066. Prej tyre 1,687 janë vëzhgues që janë akredituar tani. Ata që i kanë ripërtërirë distinktivët prej radhës së kaluar, janë 379. Këta do të kenë qasje në secilin vendvotim në këto dy komuna në ditën e zgjedhjeve”
, tha Lushta.

Edhe ish-kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Mazllum Baraliu, shprehu besimin se KQZ-ja ka bërë përgatitjet në nivelin e duhur për zgjedhjet që do të mbahen në Prizren e Lipjan. Ai tha se procesi duhet të vëzhgohet drejt si nga vëzhguesit e shoqërisë civile, ashtu edhe nga ata të partive politike.

“Supozoj se i kanë bërë përgatitjet e mira dhe se këto vendvotime, këta vëzhgues do të jenë të mjaftueshëm që t’i mbikëqyrin. Kjo nuk mjafton vetëm nga vëzhguesit partiakë, por do të duhej të jenë edhe nga shoqëria civile, nga OJQ-të, nga jashtë, nga ndërkombëtarët...”.

“Të jenë edhe më aktivë dhe t’i mbulojnë në tërësi të gjitha vendvotimet gjatë gjithë kohës, e jo vetëm për një kohë të caktuar; disa orë të vizitohen në mënyrë turistike, e pastaj të mbeten në mëshirën e çdokujt dhe çdo gjëje”
, u shpreh Baraliu.

Baraliu tha se nuk parasheh që gjatë këtij procesi zgjedhor të ketë parregullsi. Sipas tij, tashmë është koha e fundit që të respektohen rregullat dhe të fitojë ai që ka besimin e qytetarëve.

Nuk mendoj se do të këtë probleme dhe parregullsi. Do të duhej të mësohen leksionet se mënyra më e mirë, e vetme, më demokratike, më humane dhe obligative ligjore është që të respektohen rregullat e KQZ-së, të respektohen dispozitat ligjore”, tha Baraliu.

Rivotimi në komunën e Prizrenit dhe të Lipjanit erdhi për shkak të disa parregullsive që ndodhën në dy raundet e kaluara të zgjedhjeve.

Ndërkaq, për procesin zgjedhor në Gjilan, KQZ-ja ende nuk ka arritur të marrë ndonjë vendim. Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte rekomanduar rivotim edhe për këtë komunë, për shkak të, siç është thënë, parregullsive të evidentuara.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ndonëse theksoi se çështja e Gjilanit nuk do të marrë shumë kohë, ajo nuk saktësoi se kur mund të merret vendimi.

“Nuk kam ide të saktë se kur do të vendoset për Gjilanin. Megjithatë, ne shpresojmë se kjo nuk do të marrë shumë kohë dhe në njërën prej mbledhjeve të ardhshme do të merret një vendim”, theksoi Lushta.
XS
SM
MD
LG