Ndërlidhjet

Trajkoviq: Strategjia për veriun, dokument serioz


Pjesa veriore e Mitrovicës
Pjesa veriore e Mitrovicës

Politikania serbe, Rada Trajkoviq, thotë se strategjia e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe e Qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut është një dokument shumë serioz, për të cilin Beogradi duhet të japë një përgjigje përmbajtjesore.



Përderisa përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës e kanë kundërshtuar strategjinë e hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës për integrimin e veriut, duke e quajtur atë si kërcënim për serbët, përfaqësuesit e serbëve në Kosovën qendrore kanë shprehur mendime të matura karshi kësaj strategjie.

Rada Trajkoviq, politikane serbe e Graçanicës, thotë se Zyra Civile Ndërkombëtare dhe autoritetet në Prishtinë kanë dalë të parat me një strategji për integrimin e veriut dhe kjo i vë në përparësi karshi Beogradit.

Sipas saj, të dyja palët janë të vetëdijshme që ekziston problemi i statusit të pazgjidhur institucional të veriut të Kosovës, i cili nuk është plotësisht brenda sistemit të Serbisë e as brenda sistemit të Kosovës.

“Nëse mendojmë se duhet të kërkohet një zgjidhje, atëherë, po të isha unë në pushtet në Beograd, do të dilja e para me një zgjidhje që do t’ua ofroja Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe për të cilën do të diskutohej”.

“Unë mendoj se ky është një dokument shumë serioz, i cili është i mbështetur nga faktorë relevantë dhe, në këtë kuptim, mendoj se Beogradi duhet, sa më parë, të japë një përgjigje përmbajtjesore dhe jo një përgjigje që nënkupton mohimin dhe që pas saj nuk ekziston ndonjë përmbajtje”
, thotë Trajkoviq.

Ndërkaq, Petar Miletiq, nga Partia Liberale Serbe, ndonëse nuk e kundërshton strategjinë për integrimin e veriut, thotë se publikimi i saj është bërë në moment jo të duhur, gjë që, sipas tij, është vërtetuar edhe me reagimet e para të ashpra të serbëve në veriun e Kosovës.

“Kam frikë se strategjia nuk është punuar mirë dhe në kohë të duhur. Por, ajo që është e mirë brenda strategjisë, gjë që e ka thënë edhe zoti Feith, është se nuk do të ketë përdorim të dhunës për zbatimin e saj. Kjo është trimëruese”, shprehet Miletiq.

Strategjia për integrimin e veriut të Kosovës parasheh shpërbërjen e strukturave paralele, të cilat veprojnë në këtë pjesë të vendit.

Miletiq thotë se institucionet serbe, të cilat funksionojnë në Kosovë, duhet ndarë në dy kategori. Në kategorinë e parë, sipas tij, duhet rreshtuar institucionet që janë me domethënie jetësore për serbët dhe që nuk duhet shpërbërë: institucionet arsimore, të shëndetësisë, për të ardhurat sociale, pensionet etj.

Kurse, në kategorinë e dytë, sipas tij, janë komunat që kanë dalë nga zgjedhjet serbe dhe problemet me to duhet zgjidhur përmes bisedimeve.

Ndryshe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell, ka deklaruar se strukturat paralele janë të ndërlidhura me strukturat kriminale dhe se ato janë të paligjshme.

Zonja Trajkoviq thotë se është brengosës fakti që në veriun e Kosovës ka aktivitete kriminale. Ajo thotë se nuk dëshiron që populli i saj të jetojë në kriminalitet.

“Fatkeqësisht, është realitet se në veri kriminaliteti ka marrë hov. Në këtë kuptim, unë mendoj se të gjitha problemet me strukturat kriminale duhet të zgjidhen në mënyrë adekuate. Kjo do të shërbente për të mirën e të gjithë shoqërisë, në të dyja anët e lumit Ibër”, thotë Trajkoviq.

Por, Miletiq nuk mendon se të gjitha strukturat paralele kanë të bëjnë me kriminalitetin.

Nuk e di nëse mund të quhet strukturë kriminale shkolla ose spitali. Kjo çështje mund të zgjidhet thjesht”.

“Nëse dikush merret me kriminalitet, atëherë vjen prokurori dhe e vërteton këtë. Gjithashtu edhe policia, në pjesën e saj të punës, e vërteton këtë dhe çështja procedohet në gjyq”
, thekson Miletiq, duke shtuar se gjithmonë duhet kërkuar një mënyrë, e cila nuk i mbyll rrugët për bisedime dhe marrëveshje.
XS
SM
MD
LG