Ndërlidhjet

Opozita e kërkon strategjinë në Kuvend


Ligjvënësit kosovarë

Ligjvënësit kosovarë

Strategjia për integrimin e veriut duhet t’i nënshtrohet miratimit në Kuvend, thotë opozita në Prishtinë. Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se ajo e ka bazën në Kushtetutën e Kosovës dhe gëzon përkrahjen e ICO-së.



Opozita insiston që strategjia për integrimin e veriut të shtrohet për debat dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.

Ndonëse e miratuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria, partitë opozitare thonë se ky dokument ka nevojë për plotësime shtesë dhe aprovim të Kuvendit.

Mirëpo, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi rikujton opozitën se Qeveria dhe ICO-ja kanë hartuar një strategji, e cila bazohet në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe si e tillë, sipas Kuçit, ajo mund të zbatohet edhe pa miratimin e Kuvendit.

Sidoqoftë, Kuçi nënvizon se nëse shtrohet si e domosdoshme, strategjia për veriun mund të kalojë edhe përmes Parlamentit.

“Strategjia është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, të ligjeve të parapara dhe dokumentit të presidentit Ahtisari”.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm që përmes debateve për strategjinë, të mos e rrisim shkallën e reagimit të minoritetit serb, e po ashtu të mos e zbehim edhe mbështetjen ndërkombëtare”.

“Por, debati normal për ta funksionalizuar atë, do të jetë i mirëseardhur. Nëse Kuvendi e sheh të arsyeshme, ne jemi të gatshëm”
, thotë Kuçi.

Në fillim të muajit shkurt, me kërkesë të Lidhjes Demokratike të Dardanisë është thirrur një seancë plenare, ku pritet të diskutohet për gjendjen e sigurisë dhe sfidat e zbatimit të Kushtetutës në veri të Kosovës.

Kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, thotë se ky debat është një zhvillim tjetër që nuk ka të bëjë me strategjinë.

Por, siç shprehet Daci, edhe strategjia duhet t’i nënshtrohet Kuvendit dhe rekomandimeve që do të dalin për këtë dokument. Daci thotë se nuk beson që me një veprim të tillë do të kishte dyfishim të dokumenteve për veriun e Kosovës.

“Parlamenti e ka për obligim, sepse është futur për debat. Ka pasur hezitime në kryesi, por me insistimin e opozitës është futur në rend dite dhe do të diskutohet për atë çështje”.

“Ne mëtojmë që Kosovës i duhet një dokument që buron nga Parlamenti dhe tani është momenti që Parlamenti të tregojë pjekuri kombëtare, politike dhe shtetërore, prandaj nuk mund të ketë interferim të dokumenteve”
, thekson Daci.

Për nxjerrjen e strategjisë para Kuvendit është edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi, thotë se dokumentit aktual për veriun i mungojnë shumë specifikime e zgjidhje, të cilat, sipas tij, më së miri do të shtroheshin përmes debatit në Kuvend.

“Ka më shumë frazeologji, të cilat janë më shumë dëshira për ta ndryshuar gjendjen në veri, sesa masa të drejtpërdrejta, të cilat e bëjnë ndryshimin”.

“Prandaj, kërkesa jonë është që strategjia të jetë e saktësuar me elemente, të cilat janë funksionale në veri, ta kenë mbështetjen e plotë të Parlamentit të Kosovës dhe të mekanizmave, që kanë të bëjnë me interesat nacionale të vendit
”, thotë Isufi.

Strategjia për veriun është e ndarë në katër shtylla kryesore, siç janë: kontrolli i plotë i doganave dhe funksionimi i gjykatave, organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve në Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan, pastaj themelimi i komunës së Mitrovicës së Veriut dhe në shtyllën e katërt bën pjesë zhvillimi ekonomik.

Kjo strategji është përkrahur deri më tash publikisht nga ICO-ja, Ambasada Amerikane e mekanizma tjerë ndërkombëtarë, kurse BE-ja, përkatësisht misioni i EULEX-it, nuk e ka sqaruar ende pozicionin ndaj këtij dokumenti.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG