Ndërlidhjet

Londër: Bler dëshmon për luftën në Irak


Ish-kryeministri britanik, Toni Bler, gjatë dëshmisë, 29 janar 2010

Ish-kryeministri britanik, Toni Bler, gjatë dëshmisë, 29 janar 2010

Ish-kryeministri britanik, Toni Bler, sot e ka mbrojtur vendimin e tij për përfshirje në luftën në Irak, duke thënë se sulmet terroriste të 11 Shtatorit, 2001, e ndryshuan mënyrën e vlerësimit për Sadam Huseinin. Ai i ka bërë këto komente para një komisioni, i cili po zhvillon hetime për involvimin e Londrës në luftën në Irak.



Jashtë ndërtesës ku dëshmoi ish-kryeministri Toni Bler, disa protestues brohoritën “kriminel lufte”. Por, brenda në ndërtesë, atmosfera ishte e qetë dhe metodike.

Paneli prej pesë ekspertësh, i emëruar nga Qeveria, po i shtronte pyetje zotit Bler lidhur me atë se si ai vendosi ta udhëheqë Britaninë në luftë me Irakun, në vitin 2003.

Por, ish-kryeministri, vendimi i të cilit nuk është aspak i popullarizuar në Britani, përgjigjej në mënyrë të gjallërishme për aksionet e tij.

“Nëse 11 Shtatori nuk do të kishte ndodhur, vlerësimi ynë për rrezikun e lejimit të Sadamit, që t’i ripërtërijë programet e tij, nuk do të ishte i njëjtë. Por, pas 11 Shtatorit, unë do ta shpjegoj se ku ishte dallimi në mendim: pas 11 Shtatorit, pikëpamja jonë dhe pikëpamja amerikane ndryshuan në mënyrë dramatike”, tha Toni Bler.

Sipas tij, 11 Shtatori 2001 e ka theksuar rrezikun fatal, që forcat anti-perëndimore me armatim për shkatërrim në masë paraqesin për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.

Korrespondenti politik i Tajms-it, Majkëll Binjon, tha se Bler është në defensivë në dëgjime, pasi disa prej bashkëpunëtorëve të tij të afërt para këtij komisioni kanë shprehur dyshime lidhur me atë se a ka vepruar ish-kryeministri në interes kombëtar britanik.

Jashtë ndërtesës ku dëshmoi ish-kryeministri Bler, kishte protesta... (29 janar 2010)
“Njerëzit, me të cilët ata kanë biseduar, kanë thënë gjëra që nxitën zemërim dhe befasi dhe ndjenjën se edhe më tepër pyetje duhet të bëhen, veçanërisht lidhur me procesin, në të cilin intervenimi britanik në Irak ishte deklaruar legal nga Qeveria britanike, pas shumë lëkundjeve se a ka pasur presion apo jo në njeriun që ka marrë vendim për Qeverinë”.

“Pra, nëse në fakt zoti Bler i ka dhënë premtim presidentit Xhorxh Bush shumë më përpara se kur e deklaroi këtë në Britani?!”
, tha analisti Binjon.

Një hulumtim i opinionit, më herët këtë muaj, tregoi se 52 % e të anketuarve besojnë se ish-kryeministri me qëllim e ka kequdhëhequr Britaninë në luftë, ndërsa 25 % thanë se ai duhet të akuzohet për krime të luftës.

Por, nëse ish-kryeministri Bler është në defensivë, është me rëndësi të theksohet se dëgjimi para komisionit, në asnjë mënyrë, nuk është gjykim i ish-kryeministrit si i akuzuar.

Kryesuesi i komisionit hetimor, Xhon Çilkot, kështu e përshkroi dëgjimin e sotëm:

“Qëllimi i hetimit për Irakun është për të krijuar një analizë të involvimit të Britanisë në Irak, në vitet ndërmjet 2001 e 2009, dhe për t’i identifikuar mësimet për qeveritë e ardhshme, që ballafaqohen me rrethana të ngjashme”.

“Ky është qëllimi jonë. Hetimi nuk është proces gjyqësor. Komiteti para jush është i pavarur dhe jopolitik”
, tha Xhon Çilkot. (F.B.)
XS
SM
MD
LG