Ndërlidhjet

logo-print

(S')do të ketë rënie ekonomike më 2010


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Po qe se nuk kalohet limiti i parashikuar me ligj, borxhet, të cilat i merr Kosova nga jashtë, do t’i kontribuojnë zhvillimit afatgjatë ekonomik të vendit, thanë përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës. Gjatë një konference për media, ata folën edhe për zhvillimet ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2009, duke i vlerësuar si zhvillime pozitive.



Kosova nuk mund të hyjë në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe në një zhvillim ekonomik që hap perspektivë për brezat e rinj, pa hyrë në borxhe, tha guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi.

Ai theksoi se Qeveria duhet të hyjë në borxhe deri në limitet e tolerueshme, të cilat mund t’i përballojë zhvillimi ekonomik i ardhshëm i vendit.

“Janë projekte, të cilat do t’i kontribuojnë zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe do t’i ndihmojnë fillimit të ndërtimit të një strukture të qëndrueshme ekonomike të Kosovës”.

“Qeveria do të jetë e kujdesshme që ngarkesa me borxhe e Kosovës të mbetet, e të mos i tejkalojë limitet e propozuara me ligj dhe besoj që asaj edhe do t’i përmbahet”,
theksoi Rexhepi.

Sipas Ligjit për borxhe, në asnjë rast, shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë dyzet për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV).

Në rast se borxhi i përgjithshëm tejkalon dyzet për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV), Qeveria duhet t’i paraqesë Kuvendit strategjinë për të kthyer borxhin e përgjithshëm nën pragun dyzet për qind brenda një viti.

Strategjia e tillë duhet të përfshihet në ligjet vjetore të buxhetit për vitet në vijim.

Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë një konference për media për zhvillimet ekonomike gjatë vitit 2009, vlerësuan se të gjithë treguesit ekonomikë flasin për një rritje të qëndrueshme të sistemit bankar në Kosovë gjatë vitit 2009.

Ndërkohë, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, tha se nuk parasheh rënie të ekonomisë kosovare për vitin 2010.

“Ne, si Bankë Qendrore, në vlerësimet tona konsiderojmë se do të kemi një vit, ku do të ketë një rritje ekonomike, minimum sa rritja ekonomike e këtij viti që shkoi”.

“Se a do të jetë rritja ekonomike më e qëndrueshme, varet shumë nga implementimi i disa projekteve strategjike, që janë paralajmëruar me vite, se sa do të ndikojnë në rritjen ekonomike të Kosovës
”, u shpreh Rexhepi.

Ndërkaq, ekonomisti i Bankës Qendrore të Kosovës, Valentin Toçi, tha se ekonomia kosovare gjatë vitit 2009 është karakterizuar me vlerësime pozitive.

“Zhvillimet në sektorin real - kemi pasur një rritje ekonomike deri në 4 për qind në vitin 2009. Vitin e kaluar, sektori privat ka pasur një kontribut më të limituar në rritje ekonomike. Këtu ka hyrë sektori publik, i cili ka qenë ai që ka gjeneruar rritjen ekonomike”,
theksoi Toçi.

Ai shpjegoi se gjatë vitit 2009 sektori real në ekonominë e Kosovës ka pasur rënie të eksportit, rënie të investimeve të huaja direkte, rënie të dërgesave të emigrantëve, si dhe ngadalësim të rritjes së kredimarrësve.

Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës thanë se edhe më tutje do të punojnë për promovimin e stabilitetit dhe zhvillimit të sektorit financiar në Kosovë, si dhe për mbështetjen e politikave të përgjithshme për rritje më të qëndrueshme ekonomike në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG