Ndërlidhjet

Pushteti vendor përballë strukturave paralele


Prishtina zyrtare thotë se që nga zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, në komunat e reja me shumicë serbe është zbehur ndikimi i strukturave paralele serbe. Por, të zgjedhurit serbë në këto komuna, megjithatë, mendojnë se problemi i këtyre strukturave mund të zgjidhet vetëm në kuadër të ndonjë procesi politik.




Bojan Stojanoviq, kryetari i komunës së re të Graçanicës, është i vendosur që të punojë në kuadër të kompetencave, që atij ia përcaktojnë ligjet e Kosovës. Por, Stojanoviq, që udhëheq komunën, në të cilën ende veprojnë strukturat paralele serbe, nuk e ka ndërmend që të ballafaqohet me udhëheqësit e këtyre strukturave.

“S’do të ketë konflikt dhe probleme. Ne jemi njerëz të pjekur, duhet të punojmë për qëllime të përbashkëta dhe duhet të jemi të përgjegjshëm ndaj qytetarëve. Tash për tash, nuk ka probleme dhe të tilla s’do të ketë as në të ardhmen”.

“Në fund të fundit, ne jemi një popull dhe nuk më takon mua të komentoj ekzistimin e diçkaje, siç janë strukturat paralele, meqë këto nuk janë krijuar me ardhjen time, por ekzistojnë që 10 vjet dhe kjo zgjidhet me procese politike”.

“Unë jam për bashkëpunim me të gjithë, por natyrisht do t’i zbatoj kompetencat e mia si kryetar i komunës”
, thotë Stojanoviq.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se në komunat e reja me shumicë serbe, të drejtuara nga kryetarët serbë, ndikimi i strukturave paralele është zbehur. Këshilltari në Ministrinë e Pushtetit Lokal, Skënder Zogaj, është i bindur në këtë.

“Ne i kemi nën kontroll të plotë strukturat që kanë dalë nga zgjedhjet. Kjo është dëshmia më e mirë që nëse aparati është duke funksionuar mirë, atëherë normalisht që edhe qytetari do të orientohet kah ky aparat. Unë shoh një perspektivë të shkëlqyer”, shprehet Zogaj.

Megjithatë, Rangjell Nojkiq, politikan nga Graçanica, njëherësh drejtor i Postës Serbe në këtë komunë, nuk sheh të ketë ndryshuar diçka në funksionimin e strukturave paralele.

“Më duket se po vazhdon një kontinuitet i financimit paralel dhe se, praktikisht, nga kjo kanë dobi më së shumti ata që janë në të dyja institucionet, pavarësisht se për cilat bëhet fjalë, pasi që në të dyja ka keqpërdorime”, thotë Nojkiq.

Ai vlerëson se institucionet e dala nga zgjedhjet e Kosovës, mund të ndikojnë në përmirësimin e situatës, në të cilën gjenden serbët, posaçërisht kur merret parasysh se institucionet e Serbisë në jug të lumit Ibër kanë mundësi shumë të vogla veprimi.

Kryetari i ri i Graçanicës, Bojan Stojanoviq, është i kënaqur me reagimet e deritashme të qytetarëve. Për zgjedhjen e tij si kryetar komune kanë votuar më shumë se 20 për qind e popullatës me shumicë serbe të Graçanicës.

Ai është duke u përpjekur që të funksionalizojë administratën e re komunale dhe shërbimet publike, të ofruara deri tash nga strukturat paralele serbe.

“Reagimet e qytetarëve janë më shumë se pozitive. Atë vend ku njerëzit shkojnë të kërkojnë zgjidhje të problemeve dhe kërkesave të tyre, atë vend thjesht e kuptojnë si mekanizëm të mbrojtjes së tyre institucionale. Kjo në Graçanicë ndodh në masë mjaft domethënëse. Do të thotë, numër i madh i qytetarëve vjen këtu”.

“Ne kemi hartuar edhe planin aksionar, me të cilin do t’i zgjidhim problemet e tyre të infrastrukturës dhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Kjo për ta praktikisht nënkupton se do të kenë disa kushte më të mira për jetesë”
, thekson Stojanoviq.

Komuna e Shtërpcës u ballafaqua me strukturat paralele menjëherë pas inaugurimit të kuvendit komunal. Kryetari i kësaj komune, Bratisllav Nikolliq, pati vendosur që ndërtesa e komunës të mos jetë më vend pune edhe për administratën paralele. Megjithatë, edhe ai pati thënë se nuk ka qëllim dhe as fuqi që t’i shuajë institucionet serbe.

“Si komuna serbe, ashtu edhe ajo kosovare, në këtë moment janë të rëndësishme për bashkësinë serbe”, pati thënë Nikolliq.

Në anën tjetër, veriu i Kosovës është pjesa, ku, sipas analistëve, në vend se të dobësohen strukturat paralele, ato po sforcohen.

Strategjia për veriun parasheh integrimin e kësaj pjese, e cila kontrollohet nga Beogradi zyrtar përmes strukturave paralele, në më shumë se 10 vjet.
XS
SM
MD
LG