Ndërlidhjet

Kosova është ende larg përmbushjes së standardeve për respektimin e të drejtave të pakicave, u tha në debatin me temë “Promovimi i të drejtave të minoriteteve”, ku morën pjesë përfaqësues nga Qeveria dhe shoqëria civile.



Kosova ka një infrastrukturë më të avancuar ligjore se secili vend i rajonit në fushat që mbulojnë të drejtat e komuniteteve pakicë, por gjendja në terren është krejt ndryshe, u vlerësua sot gjatë një debati të mbajtur në Qendrën Mediale në Çagllavicë.

Në debat morën pjesë përfaqësues të Qeverisë, ata të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, si dhe analistë politikë.

Drejtori ekzekutiv i KMDLNj-së, Behxhet Shala, tha se Kosovës i është veshur një barrë shumë e rëndë, të cilën ajo nuk ka kapacitete që ta bartë.

Niveli i të drejtave të pakicave, i paraparë me ligjet në fuqi, sipas tij, i tejkalon mundësitë e shumë vendeve më të zhvilluara demokratike, e të cilat nuk përballen me gjendje të rëndë ekonomike e varfëri të skajshme si Kosova.

“Me mundësitë që ka ndërtuar një infrastrukturë ligjore, Kosova është ndoshta më e kompletuara në rajon, sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut, e sidomos mbrojtjes së komuniteteve pakicë”.

“Krijohet përshtypja se Kosova është parajsë sa i përket nivelit të të drejtave të njeriut, ndërkaq situata është krejt ndryshe në terren. Të drejtat e njeriut u shkelen të gjithëve, jo vetëm pakicave, por edhe shumicës”
, tha Shala.

Papunësia dhe varfëria, nënvizoi Shala, janë armiku i përbashkët i të gjitha komuniteteve, pavarësisht nëse flitet për pakicat apo shumicën.

Ndërkaq, Irfan Beroviq, zyrtar nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, tha se ka përparime të dukshme në aspektin e përgatitjes së ligjeve, por ato nuk kanë arritur ende të zbatohen dhe t'i prodhojnë efektet e dëshiruara.

Ai mori shembull komunitetin serb, duke rikujtuar se shumica nga ky minoritet punon ende në kuadër të strukturave paralele të Serbisë.

“Të drejtat e komuniteteve pakicë edhe më tutje shkelen çdo ditë. Institucionet e Kosovës ende nuk i kanë ndërmarrë të gjitha masat që ta pengojnë këtë dukuri”
, tha Beroviq.

Sipas tij, për Kosovën mbeten ende shumë sfida, siç janë: kthimi dhe integrimi i të zhvendosurve, integrimi i komunitetit serb në institucionet dhe shoqërinë kosovare.

Kurse, analisti Ramush Tahiri tha se Kosova nuk humb asgjë nëse ofron më shumë të drejta për pakicat, sesa vendet tjera.

Përkundrazi, tha ai, me këtë gjest Kosova siguron qetësinë dhe stabilitetin e brendshëm. Si një prej dështimeve kryesore, Tahiri përmendi mungesën e kthimit të personave të zhvendosur në viset urbane.

"Kosova ballafaqohet me një politikë të kthimit të të gjithë atyre që dëshirojnë të kthehen, të jetojnë dhe të punojnë në vendet ku ishin më herët”.

“Kemi probleme të theksuara me kthimet në qytete. Kosova nuk synon të jetë vend i mbyllur dhe ajo nuk mund ta realizojë asnjë politikë bashkëpunimi me vendet e rajonit, e për komunitetin serb me Serbinë”
, theksoi Tahiri.

Për komunitetin serb, u tha se pengesë në avancimin e të drejtave të tij paraqet edhe Serbia dhe qasja e këtij vendi kundër integrimit të tij në institucionet e Kosovës.

Një pjesë e analizës së gjendjes së komuniteteve pakicë i është kushtuar edhe gjendjes, siç u tha, të mjerueshme të romëve, egjiptianëve dhe ashkalive në Kosovë.

Panelistët kritikuan edhe qasjen diskriminuese ndaj këtij komuniteti pakicë, duke e cilësuar si të turpshme mbajtjen e njerëzve nëpër kampe refugjatësh, ku kushtet e jetesës janë më se të rënda.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG