Ndërlidhjet

Greva e punëtorëve shëndetësorë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, e paralajmëruar për 3 shkurt nga sindikata e kësaj qendre, ka zgjuar polemika mes përfaqësuesve të kësaj sindikate dhe atyre të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë, lidhur me akuzat e të dyja palëve, mban qëndrim neutral.


Sindikata e Qendrës Klinike Universitare ka paralajmëruar se më 3 shkurt, do të organizojë grevë njëditëshe dhe protestë të punëtorëve shëndetësorë të kësaj qendre, para Ministrisë së Shëndetësisë.

Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, thotë se qëllimi i grevës do të jetë sensibilizimi i opinionit për gjendjen, në të cilën ndodhen punëtorët shëndetësorë dhe shëndetësia, në përgjithësi.

“Kërkesat janë: rroga dinjitoze, duke i krahasuar me ato të rajonit, miratimi i Ligjit të punës, miratimi i Ligjit për sigurime shëndetësore dhe statusi i veçantë i QKUK-së, ashtu siç i takon për punën që e bën”
, thotë Selmani.

Ndryshe, Asllan Bajrami, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, thotë se Sindikata e Qendrës Klinike Universitare nuk është përfaqësuese legjitime e punëtorëve shëndetësorë.

“Së pari, sindikatë shëndetësie, me atë akronim ligjor nuk njihet në Kosovë, nuk ka. E dyta, protagonistët, të cilët pretendojnë se janë përfaqësues të punëtorëve, nuk kanë asnjë legjitimitet dhe legalitet sindikal”.

“Ata janë në konflikt të rëndë të interesit, në raport me statutin e Federatës dhe me dokumentet e nxjerra nga Këshilli Kombëtar i Federatës, si organi më i lartë në mes të dy kongreseve për rregullativën e zgjedhjeve, dhe për të qenë lider sindikal”
, shprehet Bajrami.

Zoti Bajrami shton se kuvendi, në të cilin janë zgjedhur drejtuesit e Sindikatës së QKUK-së, është shpallur i pavlerë dhe i paqenë, për shkak të, siç thotë ai, shkeljeve të rënda të statutit dhe dokumenteve për zgjedhje.

Sipas tij, procesi i zgjedhjeve në Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës është në përmbyllje e sipër.

Por, zoti Selmani thotë se as drejtuesit e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës nuk janë përfaqësues legjitimë.

“Atë kuvend e ka shpallur të pavlefshëm ajo Federatë e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës. Arsyet pse e kanë shpallur të pavlefshëm, për ne janë të pavlera, sepse ato arsye i kanë thënë për qëllime meskine”.

“Ata, realisht, nuk kanë legjitimitet për vete, sepse kongresi i vitit 2004 ka qenë i dështuar. Edhe atë legjitimitet që ia kanë dhënë vetes ata, iu ka kaluar në qershorin e vitit 2009. Praktikisht, ne konsiderojmë se ata janë jolegjitimë për vetveten”
, thotë Selmani.

Ndërkaq, Bajrami thekson se kërkesat që vijnë nga paralajmëruesit e grevës, kanë të njëjtën përmbajtje, sikurse kërkesat e sindikatës që ai drejton, të cilat i janë bërë kohë më parë Qeverisë së Kosovës.

“Kërkesat, si të tilla, janë kërkesa tonat, janë kërkesa të Federatës dhe të punëtorëve shëndetësorë. Ne i kemi artikuluar kërkesat dhe nevojat e punëtorëve dhe janë po ato kërkesa”.

“Dhe, këta dalin vetëm me qëllim të faktorizimit para zgjedhjeve. Thjesht, të bëjnë një çarje dhe që në instancë të fundit është dëm për sindikatën; dëmtohet vetë fuqia e sindikatës”.

“Ky është një derivat i mosimplementimit, gjegjësisht mosaprovimit të Ligjit për organizimin sindikal”
, thekson Bajrami.

Por, ndryshe thotë kryetari i Sindikatës së QKU-së, Selmani:

“Këto kërkesa, në forma të ndryshme, janë artikuluar. Por, deri më sot nuk janë artikuluar kështu siç i kemi formuluar. Ne nuk e dimë se çfarë ka bërë FSSHK-ja në rrugë interne”.

“Por, ne nuk kemi qenë kurrë të njoftuar se a i ka bërë ose jo, këto kërkesa. Unë konsideroj se, përderisa anëtarësia e gjerë sindikaliste nuk di për kërkesat e tilla, edhe nuk i ka bërë”.


Në anën tjetër, përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se kjo ministri mban qëndrim neutral karshi polemikave ndërmjet sindikalistëve të QKUK-së dhe përfaqësuesve të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj ministre, Faik Hoti, thekson:

“Ministria e Shëndetësisë nuk dëshiron në asnjë mënyrë të jetë pjesë e konflikteve brenda-sindikale. Për ministrinë është i rëndësishëm secili punëtor shëndetësor”.

“Prandaj, ministria është e gatshme në çdo kohë që të zhvillojë një dialog me organizatat sindikale, qofshin ato legjitime apo jolegjitime”.

Zëdhënësi Hoti shton se tejkalimi i problemeve ndërmjet sindikalistëve është çështje e vetë atyre.

Sidoqoftë, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë të ditur se grevën e paralajmëruar nga Sindikata e QKUK-së, e konsiderojnë si të drejtë legjitime që kanë të gjitha organizatat sindikale, për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre për ndonjë çështje të caktuar.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG