Ndërlidhjet

Regjistrimet e biznesit, të thjeshta dhe të lira


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Procedurat për regjistrim të biznesit në Kosovë janë shumë të thjeshta dhe të lira, thonë zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare. Megjithatë, edhe këto procedura, thotë një përfaqësues i qendrës për përkrahje të biznesit, kanë anët negative. Sipas tij, procedurat e thjeshta po bëjnë që të regjistrohen shumë ndërmarrje, të cilat nuk e zhvillojnë veprimtarinë dhe nuk paguajnë tatim në institucionet kompetente.



Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka krijuar shumë lehtësi për komunitetin e biznesit, duke filluar nga procedurat për fillimin e një biznesi, e deri tek ato për çregjistrimin e tyre, thotë Mehdi Plashniku, udhëheqës i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në këtë ministri.

Ai thekson e procedurat për krijimin e një biznesi të ri, janë më të favorshmet në rajon, sepse, siç shprehet ai, një regjistrim individual i biznesit mund të bëhet brenda ditës, ndërsa regjistrimi i shoqërive me pronësi të kufizuar mund të bëhet brenda një jave.

Për të regjistruar një biznes individual, përveç dokumenteve të nevojshme, pala duhet të paguajë edhe një shumë prej shtatë eurosh, ndërkaq kompanitë e huaja duhet të paguajnë 22 euro për regjistrim.

“Pala vjen dhe e merr aplikacionin B, me vete duhet të sjellë edhe një fletë-poseduese ose një kopje të planit ku e lë selinë e biznesit. Pala duhet të bëjë një pagesë prej shtatë eurosh”,
sqaron Plashniku.

Duke parë procedurat e thjeshta dhe tregun e përshtatshëm për biznes në Kosovë, Kaspi Shakar, nga Izraeli, tashmë ka regjistruar tri biznese të llojeve të ndryshme.

Shakar, i cili në Kosovë kishte ardhur si punonjës i organizatave ndërkombëtare, thotë se procedurat për regjistrim të biznesit janë efikase.
Ai, madje, e vlerëson në nivel të duhur tregun kosovar për të gjithë ata që dëshirojnë të punojnë.

“Fatmirësisht, kam partnerë që janë shumë më të mirë se unë dhe sigurojnë që çdo gjë të jetë në rregull”
, thekson Shakar, duke shtuar se është i kënaqur me funksionimin e biznesit të tij.

Ai thotë se planifikon që ta zgjerojë biznesin në kafiteri dhe dyqane ëmbëlsirash. Në tri vitet e ardhshme, Shakar thotë se do të hapë edhe kafiteri tjera në Gjilan, Pejë dhe vende të ndryshme të Kosovës.

Ndryshe, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve janë të regjistruara mbi 97 mijë biznese vendore dhe ndërkombëtare, shumica prej të cilave janë ndërmarrje individuale.

Edhe Besim Krasniqi, nga Qendra për përkrahjen e bizneseve në Kosovë, pohon se procedurat për krijimin e një biznesi janë të lehta dhe shuma që duhet paguar, sipas tij, është simbolike.

Mirëpo, ai thotë se edhe në këtë drejtim ka probleme, të cilat duhet gjithsesi të përmirësohen.

“Por, ajo çka është e rëndësishme dhe çka e bën të vështirë themelimin e biznesit, sidomos në disa fusha specifike, ku kërkohen licencimet, kërkohet plotësimi i disa rregullave shtesë, nuk ka procedura”.

“Ajo pjesë, çalon pak dhe ndoshta, duhet bërë çmos që të jetë më i shkurtër procesi i krijimit të biznesi
t”, thekson Krasniqi.

Pavarësisht problemit të procesit të licencimit, thotë Krasniqi, procedurat e thjeshta për regjistrim kanë bërë që shumë persona të regjistrojnë biznese, të cilat asnjëherë nuk aktivizohen.

“Është e vërtetë se janë krijuar shumë ndërmarrje fantome, nëse i krahasojmë statistikat e Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, shembull aty figuron se kemi mbi 90 mijë firma të regjistruara”.

“Nëse ajo listë krahasohet me numrin e ndërmarrjeve aktive që paguajnë tatim, është shumë e vogël. Do të thotë është një gep i madh, shumë ndërmarrje po krijohen për një qëllim të caktuar
”, shpjegon Krasniqi.

Ndërkaq, Plashniku thotë se në bazë të Ligjit, Agjencia ka obligim që të bëjë vetëm regjistrimin e bizneseve dhe nuk ka asnjë obligim që të kujdeset për veprimtarinë e tyre në të ardhmen.

“Ne nuk kemi obligim me rastin e aplikimit, që ta pyesim aplikuesin, pse po e regjistron dhe kur do ta aktivizosh biznesin. Ne nuk merremi me ato punë”,
thekson Plashniku.

Sipas Plashnikut, vetëm në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar janë çregjistruar në mënyrë vullnetare, apo shuar, afër 600 ndërmarrje.

XS
SM
MD
LG