Ndërlidhjet

A do t’i ndryshojë mandati shefit të ICO-së?


Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith

Në takimin e ardhshëm të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, që mbahet në fillim të shkurtit në Vjenë, pritet të rishikohet mandati i shefit të ICO-së, Piter Feith. Plani i Ahtisarit parasheh zvogëlim të fushëveprimit për të, dy vjet pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes. Por, analistët kosovarë thonë se nuk do të ketë ndryshime thelbësore dhe se shefi i ICO-së do të vazhdojë të gëzojë fuqitë ekzekutive.


Shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, njëherësh përfaqësues i Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Feith, në fillim të muajit shkurt do t’i rishikohet mandati nga ana e Grupit Drejtues Ndërkombëtar.

Ky rishikim parashihet me propozimin për statusin, në të cilin thuhet se, “Grupi Drejtues Ndërkombëtar do t’i përcaktojë standardet për shqyrtimin periodik të mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe do të zhvillojë një shqyrtim të plotë të kompetencave të tij, jo më vonë se dy vjet pas hyrjes në fuqi të propozimit, duke synuar zvogëlimin gradual të fushëveprimit të kompetencave dhe shpeshtësisë së intervenimeve të tij”.

Analistët kosovarë thonë se nuk mendojnë që do të ketë ndryshim thelbësor të mandatit të shefit të ICO-së, post ky që mbahet nga Piter Feith.

Shkëlzen Gashi thotë se ndryshime mund të ketë, por vetëm formale.

“Në thelb nuk do të ketë ndryshime të mandatit të tij. Piter Feithi e ka të drejtën e sovranitetit të emërojë e shkarkojë deri edhe zyrtarë publikë”.

“Nuk do të ketë ndryshim, por do të jetë e njëjta gjë, që po vazhdon në Bosnjë e Hercegovinë”,
thotë Shkëlzen Gashi.

Në të vërtetë, gjatë mandatit të tij dyvjeçar në Kosovë, Piter Feith, sipas zyrtarëve të ICO-së, nuk i ka përdorur asnjëherë fuqitë ekzekutive.

Kanë qenë pikërisht këto fuqi ekzekutive, të cilat qenë parë me dyshim në kohën kur negociohej marrëveshja për statusin, meqë druhej se në Kosovë mund të përsëritej rasti i Bosnjës, ku përfaqësuesi ndërkombëtar ende e thotë fjalën e fundit për çdo gjë.

Shkëlzen Gashi thekson se të njëjtat fuqi i ka edhe Feith, por, sipas tij, ai nuk ka pasur nevojë t’i përdorë ato.

“Kjo ka ndodhur, sepse politikanët e Kosovës i kanë zbatuar me përpikëri urdhrat e Feithit. Kjo është arsyeja kryesore, sepse kanë punuar shumë mirë, në përputhje me Pakon e Ahtisarit”.

“Le të supozojmë se këta nuk do ta pranonin propozimin për krijimin e komunës veriore, atëherë Piter Feith do ta anulonte vendimin e tyre”,
shprehet Shkëlzen Gashi.

Por, sa ka qenë efikas në këto dy vjet të funksionimit në Kosovë edhe si shef i ICO-së, por edhe si përfaqësues i BE-së, Piter Feith?

Analisti politik, Dardan Gashi, thotë se gjendja jo e mirë në disa ndërmarrje publike, në të cilat ka pasur mundësi të intervenojë z Feith, lë shije të hidhur.

Ai, po ashtu, thekson se moszgjidhja e problemit të veriut, për të cilin, sërish sipas planit të Ahtisarit, Përfaqësuesi Ndërkombëtar Civil ka rol shumë të rëndësishëm, lë për të kuptuar se jo gjithçka ka shkuar mirë në dy vjet pas pavarësisë.

“Nëse e marrim rastin e veriut, nuk ka ndodhur asgjë, përveç një, esencialisht pas dy viteve del një letër, që thotë se kemi një strategji për veriun, për të cilën prapë dyshoj se do të ketë ndonjë përparim esencial, në kohën kur Spanja udhëheq me BE-në muajt e ardhshëm dhe nuk ka interes që këto gjëra të ecin përpara”,
thotë Gashi.

Pakoja e Ahtisarit parasheh funksionimin e tri misioneve ndërkombëtare në Kosovë, EULEX-it, ICO-së dhe KFOR-it.

Derisa për KFOR-in, analistët shprehen të kënaqur, ICO-ja, e posaçërisht EULEX-i, kritikohen për mosefikasitet. Dardan Gashi shprehet në këtë frymë:

"Kohën më të madhe, që e ka shpenzuar EULEX-i, është marrë me vetveten, me përforcimin e stafit, me organizimin e funksionimit të brendshëm, dhe shumë pak me atë, për të cilën është i mandatuar - do të thotë, vendosjen e rendit, ligjit dhe sigurisë në Kosovë
”, thekson Dardan Gashi.

Ndryshe, mandati i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, sipas propozimit për statusin, do të skadojë atëherë kur Grupi Drejtues Ndërkombëtar të konstatojë se Kosova i ka përmbushur kushtet e propozimit për statusin.

Në planin e hartuar nga ICO-ja, në të cilin matet përmbushja e kushteve, vërehet se disa fusha s’kanë filluar fare të përmbushen, ndërsa pjesa legjislative, është ajo që në përgjithësi konsiderohet e kryer.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG