Ndërlidhjet

Rivotime në Prizren e Lipjan



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka publikuar shifrat e para të daljes së qytetarëve të Prizrenit dhe Lipjanit, në përsëritjen e votimeve për kryetar komune, ku në të dy komunat garojnë kandidatët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, ka thënë se deri në orën 11:30, dalja e qytetarëve në vendvotime në Lipjan ka qenë 12.45 për qind, ndërsa në Prizren 7.80 për qind.

“Ne kemi marrë informacione nga terreni dhe deri në orën 11.30 në komunën e Lipjanit kanë dalë për të votuar 5,987 votues, që do të thotë se dalja e votuesve deri në këtë orë është 12.45 për qind. Ndërsa, në komunën e Prizrenit deri në orën 11.30 kanë dalë 10,750 votues, që në përqindje është 7.80 për qind
”, është shprehur Lushta.

Derisa në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është thënë se procesi i votimit po zhvillohet pa probleme, përfaqësuesit e koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, të cilët po e vëzhgojnë procesin, kanë thënë se kanë vërejtur disa parregullsi në disa vendvotime.

Besnik Ramadani ka shpjeguar më shumë:

“Procesi ka qenë i rregullt, me përjashtim të disa vonesave të hapjes së vendvotimeve, kryesisht vonesa të vogla. Ka pasur edhe disa parregullsi të vogla teknike, kryesisht ka qenë mungesë e disa elementeve teknike si pjesë e procesit”.

“Kemi pasur rastin e qendrës së votimit në fshatin Novak, që nuk është hapur fare, pasi ky vendbanim është i banuar me serbë. Po ashtu, në fshatin Randobravë është raportuar që vëzhguesit e partive politike kanë asistuar votuesit, gjë që nuk është e lejuar”.

“Rastin tjetër e kemi pasur po në këtë qendër, menaxheri i së cilës ka insistuar që një votuesi t’i lejohet të votojë me kopje të letërnjoftimit
, ka thënë Ramadani.

Por, kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Xhemail Peqani, i ka hedhur poshtë deklaratat e tilla. Sipas tij, deri më tash nuk është shënuar asnjë incident që ka penguar procesin e votimit.

“Nga informatat që kemi nga zyrtarët ekzekutivë dhe ekipet monitoruese nga KQZ-ja, ku për secilën komunë kemi nga katër ekipe, nuk është raportuar që ka pasur shkelje serioze, ose ndonjë parregullsi të konstatuar në vendvotime, e cila e ka dëmtuar procesin zgjedhor në këto komuna”, ka thënë Peqani.

Të drejtë vote në të dy komunat kanë 185,933 votues. Kurse, Polica e Kosovës ka angazhuar 800 zyrtarë policorë, të cilët do të kujdesen për mbarëvajtjen e duhur të procesit të votimit.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë se deri më tash nuk ka pasur asnjë problem.

“Në bazë të planit operacional, Policia e Kosovës ka paraparë që për të dy komunat, atë të Prizrenit dhe Lipjanit, të angazhojë rreth 800 zyrtarë policorë”.

“Këtu llogaritet se kemi një rritje të numrit të personelit. Rritja apo dyfishimi i personelit është bërë me qëllim që të ofrohet siguri më e plotë për të eliminuar ndonjë incident, apo problem të mundshëm”.

“Deri më tani mund të themi se procesi zgjedhor, sa i takon aspektit të sigurisë, është duke shkuar mirë dhe nuk kemi ndonjë incident të shënuar
”, ka deklaruar Kelani.

Në Prizren, për kryetar komune garojnë Ramadan Muja, nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Hanefi Muharremi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërkaq, në garën për Lipjanin garojnë Shukri Buja nga PDK-ja dhe Imri Ahmeti nga LDK-ja.

KQZ-ja ka paralajmëruar se rezultati preliminar i zgjedhjeve pritet të bëhet i ditur në orët e para të mëngjesit.
XS
SM
MD
LG