Ndërlidhjet

Koncesioni pro e kontra


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës analistë të çështjeve ekonomike e vlerësojnë si një proces pozitiv për zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, ekspertët në lëmin e koncesioneve thonë se dhënia në koncesion e kompanive publike, mund të jetë zgjidhje e ngutshme e autoriteteve kosovare.


Ekspertë të çështjeve ekonomike shprehin mendime të ndryshme për dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Investimet deri në 100 milionë euro, të paralajmëruara nga Qeveria e Kosovës, që investitorët do të bëjnë në këtë kompani publike, sipas ekspertëve, do të jenë investime, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin e kompanisë.

Por, gjithsesi, sipas tyre, investimi i vetë Qeverisë së Kosovës në këtë kompani, do të ishte mënyra më e mirë dhe më fitimprurëse.

Ekrem Rexha, ekspert i çështjeve ekonomike në fushën e koncesioneve, jep më shumë hollësi.

“Problematike është se këto kontrata janë të tipit ndërkombëtare dhe janë për periudha shumë më të gjata, 20 apo më shumë vjet”.

“Mund të krijohen pastaj rrethana krejt tjera dhe mund të shohim se kemi bërë zgjidhje të ngutshme, ose të keqe, për ekonominë e Kosovës. Prandaj, duhet të llogariten të gjithë faktorët, edhe faktori kohor edhe veprimtaria që e japim me koncesion, për krijimin e një akti të tillë”
, thotë Rexha.

Ai sugjeron Qeverinë e Kosovës se dhënia me koncesion e gjigantëve publikë të shikohet në periudha afatgjate, pasi që ndonjëherë këto forma mund të interpretohen si interesa të momentit, por që mund të kenë pasoja në të ardhmen.

“Kosova mund të ketë zhvillim përmes formave të dhënies me koncesion, por gjithsesi duhet të bëhet studim prej rastit në rast”.

“Në veçanti, duhet të bëhen studime të veçanta për veprimtaritë profitabile, ose të interesit kombëtar, siç janë: aeroporti, hekurudhat, telekomunikacioni dhe sistemi elektro-energjetik
”, thekson Rexha.

Dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës nga autoritetet kosovare vlerësohet si një veprim, i cili do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit.

Ata deklarojnë se këto investime që pritet të bëhen nga investitorët, parashikojnë shërbime të përmirësuara, infrastrukturë të zgjeruar dhe gjenerim të burimeve shtesë për Qeverinë.

Një vlerësim të njëjtë japin edhe disa nga analistët e çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Alban Zogaj, nga Instituti “Riinvest”, thekson se dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, do të ofronte shërbime publike më cilësore, ngritje të performancës, si dhe investime të mëdha.

“Ne e përkrahim këtë formë të zhvillimit të një partneriteti publiko-privat, kur një kompani publike i jepet me koncesion për një kohë të caktuar një investitori privat, i cili e zhvillon, në këtë rast aeroportin e Prishtinës”.

“Dhe, pas një kohe të caktuar, që në këtë rast është 20 vjet, kthehet prapë në pronë publike, mirëpo me investime të shtuara dhe me një vlerë të shtuar të projektit. Ky projekt është i mirë dhe qytetarët e Kosovës do të fitojnë në disa fusha
”, thekson Zogaj.

Ai vlerëson se futja e kapitalit dhe menaxhimit privat në punët dhe shërbimet publike mund t’i lehtësojë kufizimet fiskale dhe të rrisë efikasitetin, duke u kujdesur në të njëjtën kohë për infrastrukturën dhe shërbimet e reja.

“Jemi të interesuar që shërbimet e aeroportit t’i marrim me çmime të lira dhe me shërbime më cilësore, ky është interesi nga ana e konsumatorit. Gjithashtu, ne do të kemi përfitime nga investimi që investitorët do të bëjnë në aeroport në zgjerimin e pistave”.

"Në anën tjetër, do të kemi përfitime edhe nga taksat dhe nga format tjera të zhvillimit të bizneseve përreth aeroportit”
, shprehet Zogaj.

Koncesioni paraqet formë të bashkimit të kapitalit privat dhe të shtetit. Kur shteti ka vështirësi ekonomike në zhvillimin e një sektori apo shërbimi të caktuar, në atë rast paraqet shprehje të interesit publik për investime të përbashkëta.

Në këtë rast, shteti e ofron pronën, kurse kapitali privat ofron mjetet financiare dhe menaxhmentin.

Ndryshe, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës e ka përmbyllur vitin 2009 me rreth 11 milionë euro fitim, ndërkaq, sipas të dhënave nga aeroporti, gjatë vitit 2009, nëpër ANP kanë kaluar mbi 1.2 milion udhëtarë komercialë.
XS
SM
MD
LG