Ndërlidhjet

logo-print

Koalicione apo blloqe të reja politike?


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Një pjesë e spektrit politik në Kosovë mëton krijimin e një blloku të djathtë politik, ku bëjnë pjesë partitë e mëdha, si: LDK, AAK dhe LDD. Ndërkaq, kontaktet mes tyre, PDK-ja i cilëson si përpjekje për përfitime politike dhe jo si përcaktim i vërtetë i këtij spektri për të djathtën.


Partitë politike në Kosovë kanë intensifikuar kontaktet mes tyre në përpjekje të rreshtimeve të reja politike.

Kryesisht vërehen kontakte ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhjes Demokratike të Dardanisë, komuniteteve pakicë si dhe disa subjekteve politike që nuk kanë siguruar ulëse në Parlament.

Afrimi i këtyre subjekteve politike mes vete shihet si rreshtim kah qendra e djathtë.

Këto lëvizje, PDK-ja, si partia më e madhe në Kosovë, i sheh edhe si përpjekje të disa partive të caktuara politike për krijimin e identitetit.

Pjesë e bisedimeve për krijimin e bllokut të djathtë është edhe LDK-ja, partnere e PDK-së në Qeveri.

Por, ky fakt, tash për tash nuk e shqetëson PDK-në. Zëdhënësi i kësaj partie, Blerand Stavileci, thotë se këto parti, kryesisht janë në kërkim identiteti, sesa që me të vërtetë i përkasin ndonjë blloku të majtë apo të djathtë.

“Shumica e subjekteve politike janë humbur në një lloj udhëkryqi të përcaktimeve ideologjike dhe, me sa duket, një pjesë e madhe e tyre këtë më shumë e bëjnë për qëllime propagandistike, duke mos e ditur në të vërtetë se ç’është e majtë dhe ç’është e djathtë”,
thotë Stavileci.

Ideja për krijimin e bllokut të djathtë politik ka dalë publikisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se afrimi i partive të spektrit të njëjtë politik ka të bëjë me përgatitjen e një koalicioni të gjerë para zgjedhjeve parlamentare, të cilat AAK-ja i ka kërkuar për verën e këtij viti.

“Besojmë që në Kosovë ka nevojë të krijohen blloqet politike sikurse në tërë Evropën perëndimore dhe në perëndim, në përgjithësi, ku do të jetë udhëheqja e dy blloqeve, njëra e djathtë dhe tjetra e majtë, e sigurisht që do të ketë hapësira edhe për partitë tjera që janë të qendrës dhe gravitojnë mes dy këtyre blloqeve”.


“Ne besojmë që AAK-ja me LDK-në dhe disa parti tjera, mund të krijojnë një bllok të fuqishëm të djathtë”
, thekson Ramadani.

AAK-ja i ka ofruar LDK-së edhe formën e marrëveshjes, sipas së cilës, LDK-ja dhe AAK-ja, bashkë me disa parti të djathta, do të shkonin në zgjedhje me listë të përbashkët zgjedhore.

Mirëpo, LDK-ja deri më tash nuk ka prezantuar një qëndrim publik ndaj kësaj oferte.

Kjo parti politike, sipas nënkryetarit Lutfi Haziri është në pritje të përmbylljes së plotë të procesit të zgjedhjeve lokale, para se të hapë debatin fillimisht me PDK-në, lidhur me fatin e koalicionit aktual, para se të kërkojë eventualisht zgjedhje të parakohshme.

“LDK-ja është në konsultime të brendshme, por jo sa i përket letrës së AAK-së
”, thekson Haziri.

Në anën tjetër, në Lidhjen Demokratike të Dardanisë sërish është ngjallur opsioni i bashkimit të kësaj partie me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Anëtari i kryesisë së LDD-së, Naser Rugova, thotë se të dy partitë kanë konceptin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe ribashkimi i LDD-së dhe LDK-së, sipas tij, është edhe kërkesë e elektoratit.

“Unë dua të besoj në bashkërenditjen e këtyre dy forcave politike që më shumë na bashkon, sesa na ndan. Është e nevojshme për vendin dhe qytetarët e Kosovës po e ndiejnë mungesën e një koncepti, e një filozofie të tillë politike dhe një qeverisjeje, që në qendër e ka mirëqenien e qytetarit dhe zhvillimin e demokracisë”,
thekson Rugova.

Sidoqoftë, LDK-ja, edhe pse publikisht thotë se është në pritje të mbylljes së procesit zgjedhor para se të mendojë për zgjedhjet parlamentare, megjithatë kjo parti tashmë ka lidhur marrëveshje me Grupin Parlamentar për Integrim, ku bëjnë pjesë shtatë deputetë nga radhët e minoriteteve.

Me këta deputetë afër vetes, LDK-ja tash arrin numrin në 33, përkatësisht tre deputetë më pak sesa PDK-ja. Kurse, është në finalizim edhe të marrëveshjes me partinë reformiste Ora.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG