Ndërlidhjet

logo-print

Derisa një pjesë e ekspertëve për integrime evropiane vlerëson se ka nisur dialogu Kosovë-BE për liberalizim vizash, të tjerë thonë se do të varet nga dinamika e përmbushjes së kritereve, se kur Kosova do të marrë udhërrëfyesin zyrtar për heqjen e regjimit të vizave.




Procesi i liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian për Kosovën duket se po përcillet me një varg paqartësish në lidhje me datën e nisjes së dialogut zyrtar me Komisionin Evropian, kriteret e vëna nga BE-ja dhe dinamikën e përmbushjes së tyre nga institucionet kosovare.

Derisa përfaqësues të institucioneve të Kosovës shprehen të bindur se tashmë kanë hyrë në procesin e dialogut për heqjen e regjimit të vizave me BE-në, duke e shpallur në të njëjtën kohë vitin 2010 si vit të plotësimit të kushteve për liberalizim vizash, zyrtarët e Komisionit Evropian hezitojnë të japin pasqyra të caktuara kohore në lidhje me tërë procesin.

Eksperti për çështje të integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, thotë se për dallim nga vendet e tjera të rajonit, rruga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave me BE-në është më e komplikuar.

Rrjedhimisht, thekson Muharremi, synimet e Kosovës për këtë proces janë joreale.

“Unë mendoj se ndoshta është nxjerrë diçka prej kontekstit. Personalisht, nuk besoj se Kosova është e pozicionuar që gjatë këtij viti t’i zbatojë të gjitha kushtet”.

“Thjesht, ne, së pari, duhet t’i adresojmë çështjet që dalin nga studimi për Kosovën, të shohim se cilat janë ato çështje që e shqetësojnë Brukselin dhe pastaj të marrim udhërrëfyesin”.

“Është shumë me rëndësi që ne ta kemi këtë udhërrëfyes nga Komisioni Evropian, në mënyrë që ta zyrtarizojmë këtë proces
”, vlerëson Muharremi.

Këtë javë, një delegacion i ekspertëve të Komisionit Evropian qëndroi për një vizitë treditore në Prishtinë, për të vlerësuar gjendjen aktuale në vend, në lidhje me kushtet e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave.

Muharremi shpreh mendimin se të dhënat e mbledhura nga ky delegacion do t’i shërbejnë Brukselit për të parë se sa është punuar në drejtim të procesit të riatdhesimit dhe të riintegrimit të personave të kthyer në Kosovë - kushte këto, të cilat, sipas tij, janë prioritare në radhët e kushteve të tjera teknike.

Ai thotë se vlerësimet e ardhshme të Komisionit Evropian për Kosovën në lidhje me të arriturat në këto çështje, për të cilat, sipas Muharremit, kërkohet angazhim edhe në nivel lokal, do ta përcaktojnë afatin kohor për marrjen e udhërrëfyesit zyrtar për liberalizim vizash.

“Kjo më bën më pesimist. Thjesht, ne do ta kemi një komision vlerësues të Komisionit Evropian në maj apo në prill të këtij viti. Ata do ta incizojnë situatën më në detaje dhe do të shkojnë e do të japin rekomandime se çfarë do të bëhet”.

“Në qoftë se diku në fund të verës ne do të arrijmë ta marrim udhërrëfyesin, mendoj se Kosova do t’i ketë punët më mirë”
, thotë Muharremi.

Mirëpo, eksperti Avni Mazreku shpreh një pikëpamje krejt tjetër mbi zhvillimet e fundit në relacionin Prishtinë-Bruksel, sa i përket liberalizimit të vizave.

Ai shpreh bindjen se dialogu për heqjen e regjimit të vizave tashmë ka filluar, porse një gjë e tillë nuk mund të zyrtarizohet, për shkak të mungesës së njohjes së shtetit të Kosovës nga pesë vende të BE-së.

“Praktikisht, negociatat midis Komisionit Evropian dhe Prishtinës zyrtare kanë filluar, mirëpo Brukseli zyrtar nuk është në gjendje ta njohë këtë fakt formal”.

“Kjo do të thotë se asnjë nga zyrtarët e Brukselit, për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet, të cilat janë pengesë për aprovimin eventual të një procesi kontraktual midis Kosovës dhe në liberalizimit të vizave, nuk do të mund të thonë se negociatat midis Kosovës dhe Brukselit kanë filluar
”, thekson Mazreku.

Rëndësi të madhe në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën vlerësohet të ketë dhe përmbushja e kritereve të tjera, siç janë: pasaportat biometrike, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të tjera.

Ndërkohë, në lidhje me procesin e riatdhesimit, Kosova është e obliguar të nënshkruajë veç e veç marrëveshje bilaterale me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG