Ndërlidhjet

logo-print

Rezultatet preliminare: PDK fitoi në Prizren dhe Lipjan


Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Prizren dhe në Lipjan, ku u zhvilluan rivotimet për kryetar të komunës. Këto rezultate janë publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në një konferencë për media të mbajtur pak pas mesnatës.




Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Prizren dhe në Lipjan, ku u zhvilluan rivotimet për kryetar të komunës.

Në Prizren, kandidati i PDK-së, Ramadan Muja, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, ka fituar 53,2% të votave, ndërsa kandidati i LDK-së, Hanefi Muharremi, 46,8%.

Në Lipjan, kanidati i PDK-së, Shukri Buja, fitoi 53,7%, ndërsa Imri Ahmeti fitoi 46,3%.

Këto rezultate janë publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në një konferencë për media të mbajtur pak pas mesnatës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në dy komunat ku u rivotua për kryetar komune, në Prizren e Lipjan, numri i daljes së votuesve ka qenë në nivel të kënaqshëm.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka bërë të ditur edhe numrin e pjesëmarrësve në votime.

“Përqindja e daljes deri në momentin e mbylljes, pra deri në orën 19:00, në komunën e Lipjanit është 57.08 për qind, gjegjësisht 27 mijë e 446 votues. Ndërsa, në komunën e Prizrenit, përqindja është 40.62, ose 55 mijë e 996 votues”
, ka deklaruar Lushta.

Të gjitha vendvotimet, sipas KQZ-së, janë mbyllur në orën 19:00 dhe nuk është shënuar asnjë incident.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka vlerësuar se rivotimi në komunën Prizrenit dhe në atë Lipjanit është zhvilluar pa incidente të theksuara, ndërsa disa raste të raportuara nga policia dhe vëzhguesit, i ka cilësuar si minore.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Xhemail Peqani, ka deklaruar se ka pasur vetëm disa pengesa të vogla teknike.

“Nga raporti përfundimtar që kemi marrë deri në mbylljen e vendvotimeve në orën 19, nga zyrtarët ekzekutivë dhe ekipet e monitorimit nga KQZ-ja, del se nuk kemi pasur ndonjë incident që e ka penguar procesin zgjedhor”.


“Normalisht, ka pasur ndoshta disa pengesa teknike, por që nuk e kanë dëmtuar procesin zgjedhor”
, është shprehur Peqani.

Nga ana tjetër, koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, bazuar në raportet e vëzhguesve të saj, gjatë ditës kishe paraqitur disa parregullsi në procesin e votimit.

Në raportet e “Demokracisë në Veprim”, mes tjerash, thuhej se gjatë rivotimit në Lipjan e Prizren, në krahasim me raundet e kaluara, është vërejtur një dinamikë më e madhe e numrit të daljes së votuesve.

Kreu i koalicionit “Demokracia në Veprim”, Ismet Kryeziu, procesin, në përgjithësi e ka vlerësuar të mirë, edhe pse, sipas tij, ka pasur disa parregullsi të vogla.

“Mendoj që është një proces drejt normales, është një proces më i mirë edhe me më pak parregullsi, sesa dy proceset e kaluara. Përjashtim bëjnë rastet e veçanta, kur kemi pasur votime të hapura, votime familjare, apo votime pa dokumente, ku i kemi identifikuar dy raste”.

“Rasti tjetër është në një vendvotim në fshatin Magurë të Lipjanit, ku votuesve nuk u është spërkatur gishti me ngjyrë. Pra, të gjitha këto janë shumë minore për të ndikuar në proces”
, ka theksuar Kryeziu.

Policia e Kosovës, procesin e votimit në Prizren e Lipjan, ku u rivotua për kryetar komune, e ka vlerësuar si proces të qetë dhe pa incidente, të cilat do të mund ta prishnin procesin e votimit.

Sipas zëdhënësit Baki Kelani, siguria ka qenë në nivelin e duhur.

“Sa i takon aspektit të sigurisë, i tërë procesi ka shkuar në mënyrë të rregullt dhe të qetë. Nuk kemi pasur ndonjë incident që ka mundur ta pengojë procesin zgjedhor”.


“Kemi regjistruar një rast në Lipjan ku dy persona kanë pasur një mosmarrëveshje dhe policia ka reaguar, duke i shoqëruar në stacionin policor”.

“Dhe, rasti tjetër, i cili fare nuk ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor, ka qenë në Gadime. Kështu që, mund të themi se deri më tani nuk është evidentuar ose regjistruar ndonjë rast, i cili vlen të potencohet se e ka penguar procesin zgjedhor”,
ka deklaruar Kelani.

Të drejtë vote në të dy komunat kishin 185,933 votues, ndërsa procesin zgjedhor e kanë vëzhguar 2811 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG