Ndërlidhjet

Rezultatet preliminare të KQZ-së, të cilat i ka komunikuar kryetarja Nesrin Lushta, tregojnë se në dy komunat ku u mbajtën rivotimet për kryetar të komunës, në Prizren dhe Lipjan, kanë fituar kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës kundrejt atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës.




Rezultatet preliminare nga rivotimet për kryetar komune, në Prizren dhe në Lipjan, të cilat i ka publikuar Komisioni Qendror Zgjedhor, mbrëmë pas mesnatës, thonë se kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë fituar në të dyja këto komuna.

Nesrin Lushta, kryetare e Komisionit Qendror Zgjedhor, tha se në komunën e Prizrenit kanë dalë 43.3 për qind të votuesve në 198 vendvotime.

“Në komunën e Prizrenit, Partia Demokratike e Kosovës, kandidati Ramadan Muja ka fituar 30,151 vota, gjegjësisht 53.2 për qind. Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidati Hanefi Muharremi, ka fituar 26,493 vota, gjegjësisht 46. 8 për qind”, kumtoi Lushta.

Sa i përket komunës së Lipjanit, zonja Lushta tha se për të votuar kanë dalë 57.1 për qind të votuesve në 71 vendvotime.

“Në komunën e Lipjanit, Partia Demokratike e Kosovës, kandidati Shukri Buja ka fituar 14,209 vota, gjegjësisht 53.7 për qind. Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidati Imri Ahmeti ka fituar 12,261 vota, gjegjësisht 46.3 për qind”, bëri të ditur Lushta.

Ajo shtoi se rezultatet preliminare kanë përfshirë vetëm votat e rregullta, ndërsa, sipas saj, votat me kusht, ato me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta do të numërohen më vonë në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.

Në anën tjetër, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës e vlerësuan pozitivisht rrjedhën e procesit të votimeve në përgjithësi, në Prizren dhe Lipjan.

Zëdhënësi i kësaj partie, Blerand Stavileci, tha se mbajtja e zgjedhjeve pa probleme të theksuara, është fitore e demokracisë në Kosovë, ndërkohë që edhe rezultati nga zgjedhjet në këto dy komuna ishin fitore për partinë e tij.

“Edhe qytetarët e Prizrenit, por edhe të Lipjanit dhe të gjithë pjesëmarrësit dhe aktorët në këto zgjedhje, kanë dëshmuar edhe një herë vlerat e larta demokratike, të cilat i kanë qytetarët e Republikës sonë”.

“Ja që edhe një herë, dita e sotme e vërtetoi, e dëshmoi fitoren tonë të thellë. Ajo ishte akoma më bindëse dhe më e thellë se në dy herët e para dhe për ne është një mburrje, një krenari që edhe procesi zgjedhor kaloi shumë mirë”,
u shpreh Stavileci.

Ndërkaq, Lutfi Haziri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pak para shpalljes së rezultateve preliminare, tha se rezultati që do të certifikohet nga KQZ-ja, çfarëdo qoftë ai, do të jetë i pranueshëm nga partia e tij.

“Ankesat tona, vërejtjet tona procedurale, shkeljet procedurale dhe shkeljet tjera gjatë ditës së sotme, do të shqyrtohen nga organet kushtetuese. LDK-ja e pranon rezultatin e zgjedhjeve”.

“LDK-ja, cilindo kandidat që e certifikon KQZ-ja, në momentin e parë e uron për rezultatin e arritur, e uron për mandatin dhe dëshiron që ai të jetë i suksesshëm dhe të jetë në interes të qytetarëve
”, tha Haziri.

Sidoqoftë, në të dyja komunat, Prizren dhe Lipjan, ku u mbajtën zgjedhjet, të drejtë vote kishin 185,933 votues. Procesi zgjedhor është vëzhguar nga 2,811 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG