Ndërlidhjet

Fitoren e PDK-së në Prizren dhe Lipjan, analistët e cilësojnë si ndëshkim të LDK-së nga elektorati, për shkak të konfuzionit që kjo parti artikuloi në raport me koalicionin qeverisës në nivelin qendror. Ata thonë se LDK-ja nuk ka politikë të qartë në raport me koalicionin qeverisës dhe kjo do të vazhdojë t'i hakmerret.



Thellimi i epërsisë në rezultatin e zgjedhjeve për kryetar të Prizrenit dhe Lipjanit ndërmjet kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas analistëve, vjen si pasojë e mungesës së një politike të qartë të LDK-së ndaj koalicionit dhe Qeverisë në nivelin qendror.

Analistët thonë se rezultatet e zgjedhjeve lokale do të reflektohen më shumë te LDK-ja, si parti në koalicionin qeverisës. Andaj, ata edhe e ndërlidhin çështjen e reflektimeve në koalicionin qeverisës me pozicionin që kjo parti politike do të marrë ndaj koalicionit me PDK-në në Qeverinë qendrore.

Analisti Ilir Deda thotë se ndryshimi kaq i shpejtë në përqindje në rezultatet e votimeve për kryetar të Prizrenit dhe Lipjanit, vjen si pasojë e dërgimit të dy mesazheve drejtuar elektoratit nga ana e LDK-së.

“LDK-ja është duke e humbur kredibilitetin para elektoratit kosovar, duke marrë parasysh se i çon dy mesazhe, të cilat janë të kundërta njëra me tjetrën. E kjo është nëse mesazhi i paqartësisë do të mbetet në Qeveri apo do ta braktisë koalicionin qeverisës dhe të hyjë në zgjedhje të reja”, thotë Deda.

Premtimet e dhëna elektoratit gjatë fushatës, se do të shqyrtohet koalicioni qeverisës dhe mosveprimi ndërmjet rretheve të votimit, sipas analistit Bardh Hamzaj, u janë hakmarrë LDK-së në votimet e djeshme.

Analisti Hamzaj thotë se partitë politike duhet ta kenë një pozicion të qartë në raport edhe me elektoratin, nëse duan t’i mbajnë votat, të cilat i kërkojnë gjatë proceseve zgjedhore.

“Duket se këtu sjellja e dyfishtë e LDK-së gjatë fushatës, duke e luajtur në njërën anë rolin e opozitës dhe rolin e rivalitetit me partnerin e koalicionit qeverisës, si dhe, në anën tjetër, gjatë kësaj kohe u pa se LDK-ja, të paktën për një periudhë aktuale, nuk e ka ndërmend të dalë nga Qeveria - kësaj here u janë hakmarrë LDK-së”, thekson Hamzaj.

Marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve lokale, i cili, përjashtuar Gjilanin, është i qartë për të gjitha partitë pjesëmarrëse, tani, sipas Bardh Hamzajt, i mbetet LDK-së që të vendosë se a do të jetë pjesë e Qeverisë apo jo.

Marrjen e një vendimi të tillë brenda LDK-së, Hamzaj e sheh si mjaft të ndërlikuar, pasi që në LDK, sipas tij, ka dy rryma politike.

“LDK-ja, mendoj se nuk do të ketë shumë zgjedhje në këtë aspekt, për arsye se nga këto zgjedhje ka dalë e përçarë”.

“Është një grup i njerëzve, të cilët kanë menduar gjithmonë se më mirë është të dilet nga Qeveria, ndërkaq që po shihet se grupimi rreth presidentit Sejdiu, e që supozohet të jetë më i madh, mendon të vazhdojë me këtë koalicion. Kështu që vendimet e LDK-së do të jenë gjithnjë e më të vështira për vetë LDK-në”
, shprehet Hamzaj.

Analisti Ilir Deda thotë se paqartësitë brenda LDK-së mund të zgjidhen nëse kjo parti politike e mban Kuvendin Zgjedhor gjatë kësaj pranvere. Mbajtja në jetë e koalicionit, sipas Dedës, varet tashmë nga LDK-ja.

“LDK-ja, realisht, çdo ditë që mbetet në koalicion, humb në peshë, në imazh edhe në elektorat. LDK-ja duhet të bëjë çmos që ta rizbulojë identitetin e saj, t’i kapërcejë interesat e ngushta të grupeve partiake dhe të shohë se ku do të jetë, pas 20 vjetëve, në skenën politike”, thotë Deda.

Kryeministri Hashim Thaçi, qysh në nëntorin e vitit të kaluar, pati paralajmëruar ndryshime në Qeverinë aktuale. Mirëpo, deri më tani, diçka e tillë nuk ka ndodhur.

Zyrtarë të LDK-së kanë paralajmëruar se nga mesi i shkurtit do të kërkojnë diskutime me PDK-në lidhur me mundësinë apo jo të rikonfigurimit të koalicionit aktual.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG