Ndërlidhjet

Fondi për integrimin e veriut


Mitrovicë
Mitrovicë

Ende nuk dihet se sa do të jetë shuma e fondit për veriun, të cilën ka paraparë ta krijojë Qeveria e Kosovës në kuadër të strategjisë për integrimin e veriut. Zyrtarë qeveritarë presin edhe ndihmën e Komisionit Evropian dhe të SHBA-ve.



Qeveria ka premtuar fond të veçantë për veriun e Kosovës, në mënyrë që të zbatojë strategjinë për integrimin e kësaj pjese. Vlera e këtij fondi nuk është bërë ende publike, meqë vetë hartimi i strategjisë nuk ka përfunduar, por thuhet se është në fazën finale.

Ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, konfirmon se një pjesë e fondit do të ndahet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.

“Qeveria e Kosovës është shumë e përkushtuar që t’i zgjidhë problemet jo vetëm në veri. Ne, në kuadër të strategjisë për veriun, do të ndajmë një shumë të caktuar mjetesh, të cilës besoj se do t’i bashkohen edhe donatorë të tjerë të rëndësishëm politikë dhe strategjikë”.

“Nuk jam në gjendje që ta them shumën, por do të jetë një shumë e konsiderueshme, për t’iu ofruar komuniteteve në veri një komoditet më të mirë sa u përket investimeve kapitale dhe nevojave të tjera për një jetë më të mirë”,
thotë Shala.

Qeveria llogarit edhe në ndihmën financiare të partnerëve për zbatimin e strategjisë për veriun, e cila qëllim kryesor ka vendosjen e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës.

“Sigurisht se do të jenë partnerët tanë strategjikë, Komisioni Evropian, SHBA-të dhe mbase ndonjë shtet, me të cilin kemi marrëdhënie bilaterale”, thekson ministri Shala.

Veriu është jashtë kontrollit të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore për më shumë se 10 vjet. Ndarja e fondit për integrimin e veriut, pas 10 vjetëve të ekzistencës së këtij problemi, sipas ekspertëve të ekonomisë, duhet të përcillet edhe me masa të tjera.

Eksperti nga Instituti Riinvest, Muhamet Sadiku, thotë se veriu, para së gjithash, është problem politik. Rrjedhimisht, sipas tij, investimi financiar, si i vetëm, nuk e zgjidh problemin.

“Unë mendoj se, në radhë të parë, duhet vendosur shtetin ligjor në veri të Mitrovicës, në mënyrë që të inkuadrohet kjo pjesë në rendin kushtetues të Kosovës”.

“Më pas duhet bërë përpjekje që me intervenime ekonomike, nëpërmes investimeve dhe projekteve produktive, qytetarëve të asaj pjese t’u bëhet me dije se pjesëmarrja e tyre në jetën politike dhe ekonomike të Kosovës, është e një natyre të zakonshme”
, thotë Sadiku.

Rekomandimet që dalin nga strategjia për veriun, janë: fuqizimi i sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës; reformimi i pushtetit lokal dhe themelimi i komunës së Mitrovicës së veriut; zgjidhja e problemit të qeverisjes në tri komuna në veri, si dhe përmirësimi i situatës sociale dhe ekonomike.

Muhamet Sadiku thotë se pas 10 vjetëve të ekzistimit të strukturave paralele, të financuara nga Beogradi zyrtar, strategjia për integrimin e veriut duket vështirë e realizueshme.

Madje, edhe intervenimi financiar nga ana e Qeverisë së Kosovës, sipas Sadikut, mund të mos japë menjëherë rezultate.

”Pas 10 vjetësh, vërtet do të jetë vështirë që të demontohen këto struktura politike, ekonomike, sociale dhe të administratës së Serbisë, si dhe të vendoset rendi kushtetues i Kosovës, në mënyrë që Qeveria qendrore e Kosovës të ketë mundësi, që me intervenime ekonomike, t’i ngjallë aktivitetet ekonomike në këtë pjesë të Kosovës”.

“Së pari, kjo pjesë e Kosovës është e ngufatur me biznese jolegale, me ekonomi të zezë dhe është bërë burim i të gjitha të këqijave sa i përket hapësirës ekonomike të Kosovës
”, shprehet Sadiku.

Strategjia për integrimin e pjesës veriore të Kosovës është hartuar nga Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare.

Është thënë se strategjia në fjalë do të diskutohet në takimin e 8 shkurtit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, grup ky që përbëhet nga shtetet që e mbështesin pavarësinë e Kosovës. Grupi ka për qëllim të mbikëqyrë rrjedhën e zbatimit të Pakos së Ahtisarit.
XS
SM
MD
LG