Ndërlidhjet

Reduktimi i KFOR-it (s') e cenon sigurinë


Paqeruajtësit e KFOR-it në Kosovë

Paqeruajtësit e KFOR-it në Kosovë

Përfaqësues të institucioneve kosovare thonë se reduktimi i trupave të KFOR-it në Kosovë ka ardhur paralelisht me përmirësimin e gjendjes së sigurisë në vend. Sipas ekspertëve, Kosovës, megjithatë, i kanosen rreziqe nga jashtë.







Autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare në Kosovë e vlerësojnë në mënyra të ndryshme reduktimin e trupave të KFOR-it nga 14 mijë në 10 mijë.

Derisa përfaqësues të mekanizmave të sigurisë së Kosovës thonë se reduktimi i KFOR-it është një sinjal se në Kosovë është përmirësuar situata e sigurisë, ekspertët për çështje të sigurisë dhe përfaqësuesit e serbëve të vendit pohojnë të kundërtën, duke shprehur dilema për procesin e reduktimit të këtyre trupave.

Nga 1 shkurti, 10 mijë trupa të NATO-s do të shërbejnë në Kosovë - strukturë kjo, e cila, siç vlerëson ky mision, do të jetë më fleksibile.

Përfaqësues të Ministrisë së Forcës së Sigurisë shprehin bindjen se reduktimi i trupave të KFOR-it nuk e cenon shkallën dhe cilësinë e sigurisë në Kosovë. Zëdhënësi i Ministrisë së FSK-së, Ibrahim Shala, thotë:

“Zvogëlimi i trupave të KFOR-it në Kosovë nuk e cenon shkallën dhe kualitetin e sigurisë në Kosovë”.

Serbët e Kosovës, ndërkaq, thonë se zvogëlimi i pjesëtarëve të KFOR-it nuk është rezultat i situatës së përmirësuar të sigurisë.

Njëri nga liderët e serbëve të veriut, Marko Jakshiq, thekson se KFOR-i nuk ka pasur as vullnet e as gatishmëri për të siguruar serbët e Kosovës, për shkak se, siç thotë ai, siguria në vend nuk varet aq shumë nga KFOR-i, sa varet nga pala shqiptare dhe sinjalet që i merr ajo për të bërë apo mos bërë probleme.

“Sikur KFOR-i, gjatë këtyre dhjetë vjetëve, të dëshironte që t’i mbronte serbët, ka pasur shumë raste. Por, po shohim se gjatë mandatit të KFOR-it, më shumë se 200 mijë serbë kane lëshuar Kosovën
“, shprehet Jakshiq.

Mirëpo, eksperti për siguri, Ramadan Qehaja, mendon se rreziqet për Kosovën vijnë pikërisht nga jashtë vendit.

Ai thotë se një analizë e strategjisë për sigurinë nacionale të shtetit serb hedh poshtë edhe deklaratat e përfaqësuesve të NATO-s, se Kosovës nuk i rrezikohet asnjë kërcënim nga jashtë.

Qehaja thotë se veprimet e Serbisë në Kosovë nuk do të jenë ushtarake, porse në mënyra të ndryshme do të kenë përpjekje për destabilizimin e vendit.

“Një rrezikshmëri nga Serbia ekziston, edhe pse po hezitohet të thuhet kjo. Kuptohet që Serbia nuk do të ndërmarrë ndonjë operacion të ndërhyrjes ushtarake, por ajo është duke ndërmarrë veprime të infiltrimit të njerëzve të saj specialistë, për të bërë destabilizim në territorin e Kosovës”, thekson Qehaja.

Edhe pse në asnjë dokument zyrtar nuk parashihet që FSK-ja të veprojë si ushtri e Kosovës, Qehaja vlerëson se kjo forcë do të duhej të kishte përgjegjësi shtesë përveç atyre që ka, në lidhje me menaxhimin e emergjencave, demininim dhe të tjera.

“Ende ne nuk e kemi operacionalizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila, sipas mendimit tim, do të duhej të ishte tanimë e operacionalizuar dhe të merrte disa detyra në mënyrë të përshpejtuar, të cilat i ka kryer KFOR-i, pavarësisht prej asaj që thuhet se kjo forcë është e dedikuar kryesisht për detyra të gatishmërisë emergjente
”, thotë Qehaja.

Megjithatë, Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila aktualisht ka 1,800 pjesëtarë, duket se nuk mund t’i marrë përsipër funksionet e ushtarëve të NATO-s në Kosovë pa një vendim politik.

“Sado që të zvogëlohet numri i trupave të KFOR-it, kompetenca e sigurisë i përket vetëm KFOR-it. Që të kalojë ndonjë kompetencë e sigurisë te FSK-ja, duhet një marrëveshje e re, e cila e ridefinon statusin e FSK-së në mes të udhëheqjes shtetërore të Kosovës me NATO-n dhe faktorëve vendimmarrës”
, bën të ditur zëdhënësi i Ministrisë së FSK-së, Ibrahim Shala.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG