Ndërlidhjet

logo-print

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se nuk ka shumë alternativa për të pasur zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, pa hyrë në borxhe të jashtme. Por, megjithatë, ata thonë se duhet pasur kujdes me shumën e borxheve, në mënyrë që të mos ngarkohet së tepërmi shteti.



Me buxhetin aktual që ka Kosova, nuk mund të financohen projektet madhore të vendit, thonë analistë të çështjeve ekonomike. Sipas tyre, vetëm nëse Qeveria e Kosovës hyn në borxhe në institucionet financiare ndërkombëtare, mund të ketë zhvillim ekonomik në Kosovë.

Eksperti për çështje ekonomike, Berat Rukqi, thotë se krahas zbatimit të Ligjit për borxhe publike, duhet të bëhen edhe reforma të tjera, si në çështje fiskale, ashtu edhe në çështje të politikës monetare.

“Ligji e ndihmon tregun financiar në Kosovë. Përmes ligjit krijohet mundësia e krijimit të instrumenteve të reja financiare, instrumenteve të borxhit, para së gjithash instrumenteve të thesarit, të cilat janë instrumente me një kamatë shumë të ulët”.

“Të gjitha subjektet, të cilat janë pjesë e tregut financiar, qofshin qytetarët, qoftë Qeveria e Kosovës, mund të hyjnë në aranzhime dhe transaksione të dyanshme, që janë shumë më të lira se kreditë dhe format tjera të huadhënies dhe huamarrjes”
, thotë Rukiqi.

Duke e konsideruar Ligjin për borxhe publike të një rëndësie të madhe për zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi, eksperti i çështjeve ekonomike, Berim Ramosaj, thotë se ky ligj do t’i mundësojë funksionim normal shtetit të Kosovës.

“Unë mendoj se është një ndër ligjet më të domosdoshme që i është dashur Kosovës, sepse Kosova, nëse dëshiron të zhvillohet, duhet të llogarisë se nuk ka aftësi financiare dhe as monetare ta financojë vetë zhvillimin”, thotë Ramosaj.

Ligji për borxhet publike, që e rregullon çështjen e borxheve në përgjithësi, është aprovuar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar. Qëllimi i këtij ligji është që t’i japë Republikës së Kosovës të drejtën për të huazuar para, për të dhënë garanci për hua, për t’i paguar shpenzimet për marrjen e borxhit dhe për të paguar kryegjënë dhe interesin e borxheve të saj shtetërore.

Pa këtë ligj, Kosova, deri më tani, sipas profesor Ramosajt, ka qenë e hendikepuar në aspektin e zhvillimit real. Ai thekson se hyrja në borxhe shtetërore është mënyra e vetme e financimit të projekteve madhore të Qeverisë së Kosovës.

“Nuk duhet të shikohet hyrja në marrëdhënie huamarrëse dhe huadhënëse si diçka e dëmshme, përkundrazi, vetëm se duhet të jemi më fleksibilë. Duhet të dimë saktë se sa kemi aftësi që të hyjmë në borxhe, në atë mënyrë që shkalla e riskut në aspektin e huamarrjes me institucionet financiare ndërkombëtare, mos t’i kalojë mundësitë tona të gjenerimit të mjeteve vetanake”, thotë Ramosaj.

Ndërkohë, eksperti i çështjeve ekonomike, Berat Rukiqi, shpreh bindjen se, përmes borxhit publik, do të mund të financohen projekte, të cilat do të ndihmonin zhvillimin ekonomik të vendit.

“Te zgjedhja e projekteve që do të financohen nga Qeveria përmes borxhit publik, duhet të jenë prioritet projektet që kanë karakter zhvillimor, të qëndrueshëm e afatgjatë, dhe që rrisin produktivitetin e ekonomisë, e jo projekte që adresojnë çështje ‘ad hok’ dhe çështje që janë për interesa të politikës ditore”, shprehet Rukiqi.

Ndryshe, shpresat më të mëdha të autoriteteve kosovare për të financuar projektet e parapara mbeten te Banka Botërore dhe institucionet tjera financiare, të afërta me të.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG