Ndërlidhjet

logo-print

Suedia e Polonia kërkojnë reduktim të armatimit taktik


Ministrat e Jashtëm të Polonisë dhe Suedisë, Radoslav Sikorski dhe Karl Bild.

Ministrat e Jashtëm të Polonisë dhe Suedisë, Radoslav Sikorski dhe Karl Bild.

Suedia dhe Polonia u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë që ta reduktojnë armatimin e tyre taktik bërthamor në Evropë, duke thënë se është koha që armët e tilla të vihen nën regjimin e kontrollit të armatimit.



Ministrat e Jashtëm të Suedisë dhe Polonisë, Karl Bild dhe Radoslav Sikorski, i bënë këto komente në një artikull në “New York Times”, para konferencës treditore që mbahet në kryeqytetin francez, Paris.

Duke i quajtur armët taktike bërthamore “mbeturina të rrezikshme nga e kaluara e rrezikshme”, Bild dhe Sikorski u bënë thirrje ish-kundërshtarëve të Luftës së Ftohtë që “dukshëm t’i reduktojnë” armët e tilla, përmes negociatave apo vendimeve të njëanshme, si hapa drejt eliminimit të plotë të tyre.

Bild dhe Sikorski thanë se ka ardhur koha që regjimi për kontrollin e armatimit t’i përfshijë edhe armët taktike bërthamore, që ishte vendosur për armët më shkatërrimtare strategjike bërthamore.

Ata cituan një raport nga Komisioni Ndërkombëtar për Mosproliferimin dhe Çarmatimin, i cili sugjeron se Shtetet e Bashkuara besohet të kenë rreth 200 koka bërthamore në Evropën perëndimore, ndërsa Rusia rreth 2,000 koka bërthamore, shumica të vendosura në pjesën perëndimore të vendit.

Bild dhe Sikorski, në mënyrë të veçantë, i bënë thirrje Moskës që “të bëjë një përkushtim për tërheqjen e kokave bërthamore” nga zonat që kufizohen me Bashkimin Evropian, duke veçuar këtu enklavën e Kaliningradit në Detin Baltik dhe siujdhesën Kola në Rusinë veriperëndimore.

Në konferencën e Parisit do të marrin pjesë 200 ekspertë, nga udhëheqës politikë, ish-këshilltarë për siguri kombëtare dhe ish-komandantë të ushtrisë, e deri te ekonomistë, artistë dhe akademikë nga mbarë bota.

Ata mblidhen në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po negociojnë për marrëveshjen e re mbi çarmatimin bërthamor.

Bisedimet, të cilat filluan vitin e kaluar, pritet të zëvendësojnë Traktatin për Reduktimin e Armatimit Bërthamor START nga viti 1991.

Jan Dejvis është këshilltar i lartë në Shërbimin Ndërkombëtar të Sigurisë për Evropën, me seli në Bruksel.

Dejvis i tha Radios Evropa e Lirë se zëvendësimi i Traktatit START është kyç në përpjekjen globale për reduktimin e stoqeve bërthamore.

“Globalisht, ne po flasim për rreth 23,000 koka bërthamore, që ende ekzistojnë, ndërsa 90 për qind prej tyre i kanë rusët dhe amerikanët”
.

“Prandaj, pa lëvizjen e këtyre dy lojtarëve kryesorë, që secilit prej tyre t’i mbeten vetëm nga 1,000 koka bërthamore, do të ishte e vështirë që vendeve tjera bërthamore t’u kërkohet që të futen në lojë”, tha Dejvis.

Çarmatimi bërthamor, një kohë të gjatë, ka qenë prioritet për Suedinë neutrale, ndërsa në Poloni, bashkë me Republikën e Çekisë, duhej të vendosej mburoja anti-raketore amerikane, e planifikuar nga administrata Bush.

Presidenti Barak Obama ka hequr dorë nga plani, të cilin Rusia e konsideronte si kërcënim për sigurinë e saj. (V.P.)
XS
SM
MD
LG