Ndërlidhjet

Liderët serbë të veriut të Kosovës hodhën poshtë strategjinë për integrimin e veriut. Ata u bënë thirrje serbëve për bojkotim të institucioneve të Kosovës, ndërsa nga Qeveria e Serbisë kërkuan që ta miratojë planin e saj për veriun e Kosovës.



Liderët serbë të veriut të Kosovës kanë konstatuar se situata politike dhe e sigurisë në veri dhe më gjerë është përkeqësuar, siç kanë thënë, “për shkak të rritjes së presioneve ndaj serbëve dhe institucioneve të tyre në Kosovë”.

Sipas tyre, ky presion vjen në një mënyrë të koordinuar nga “disa përfaqësues të NATO-s, Amerikës, një pjesë e vendeve të BE-së dhe shqiptarëve të Prishtinës”.

Qëndrime të tilla kanë dalë nga një takim, që politikanët serbë kanë mbajtur në Zveçan. Strategjia për integrimin e veriut, që po hartohet nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), ka qenë në thelb të takimit.

“Hedhim poshtë, në mënyrë të vendosur, çdo strategji të ICO-së, të publikuar apo të papublikuar. ICO-ja nuk ka se çfarë kërkon në veri të Kosovës dhe veprimi i saj vetëm sa e përkeqëson situatën e sigurisë dhe stabilitetin”, tha njëri nga udhëheqësit e pushtetit paralel lokal të Zveçanit, Dobrosav Dobriq.

Qëndrime të tilla vijnë një ditë pasi që i ashtuquajturi Kuvend i Komunave dhe Vendbanimeve Serbe hodhi poshtë strategjinë për veriun.

Ky organ paralel u bëri thirrje serbëve që t’i bojkotojnë institucionet kosovare, të mos pranojnë paga nga buxheti i Kosovës, të mos marrin dokumente personale, si dhe kërkoi nga të gjitha subjektet politike serbe dhe joserbe t’i bojkotojnë zgjedhjet eventuale në veri, të parapara po ashtu me strategjinë.

Por, liderët serbë drejtuan të martën kërkesa edhe në adresë të Qeverisë së Serbisë.

“Nga Qeveria e Serbisë kërkojmë që të miratojë planin e saj për përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve të saj në Kosovë, për kthimin e të zhvendosurve dhe për forcimin e të gjitha institucioneve të saj në Kosovë dhe me këtë edhe në veri”, tha Dobrosav Dobriq.

Serbët e veriut kanë kërkuar nga KFOR-i shkëputjen e raporteve me Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa nga UNMIK-u kanë kërkuar forcimin e misionit në veri.

Të gjitha këto qëndrime të serbëve bien ndesh me strategjinë për veriun, e cila parasheh, ndër të tjera, kthimin dhe vendosjen e serbëve të veriut nën juridiksionin e Qeverisë së Kosovës, zëvendësimin e rolit të UNMIK-ut pa rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sipas dokumentit, parashihet edhe formimi i komunës veriore të Mitrovicës përmes zgjedhjeve që do të mbaheshin kah mesi i këtij viti, organizimi i zgjedhjeve lokale në tri komunat tjera veriore të Kosovës, margjinalizimi i strukturave paralele, mbyllja e zyrës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës, si dhe forcimi i pranisë së EULEX-it në pjesën veriore.
XS
SM
MD
LG