Ndërlidhjet

Formimi i koalicionit të gjerë mes partive opozitare maqedonase, sipas analistit Artan Sadiku, është sinjal i qartë se Maqedonia po përgatitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Këtë zyrtarisht askush nuk e pohon, përveç opozitës, e cila dje haptazi i bëri thirrje kryeministrit Gruevski të publikojë datën e mbajtjes së tyre.

Ndërkohë, edhe partitë në pushtet, e në veçanti ajo maqedonase, VMRO-DPMNE, heshtazi punon për zgjedhje për të marrë edhe mandat.

“Sado që kryeministri deklaron se nuk do të ketë zgjedhje, kurse të njëjtën e deklaron edhe partneri i tij në Qeveri, BDI-ja (Bashkimi Demokratik për Integrim), se nuk ka nevojë për zgjedhje, për shkak se kanë një shumicë komode në Parlament për të mbajtur Qeverinë, mendoj se, në fund të fundit, Qeveria do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për të ruajtur këtë shumicë që e ka për momentin e tanishëm”.

“Po të zgjatet periudha e mbajtjes së zgjedhjeve, atëherë Qeveria do të rrezikojë ta humbë këtë shumicë, andaj edhe do të organizojnë zgjedhje të parakohshme”
, deklaroi Sadiku.

Edhe analistët maqedonas besojnë se lëvizjet e fundit, qofshin në bllokun opozitar, apo ato te partitë në pushtet, flasin se zgjedhjet janë të pashmangshme për shkak të presioneve që po i bëhen Qeverisë, për arsye të shumë çështjeve të pazgjidhura, por edhe frikës së saj për fillimin e rënies së besueshmërisë, që shihet edhe nga hulumtimet e fundit të opinionit publik.

“Rigrupimi i opozitës është sinjal se diçka po ndodh në Maqedoni dhe se nuk janë të pabaza paralajmërimet se ndoshta përgatiten për zgjedhje të parakohshme parlamentare”,
tha Zvonimir Jankullovski.

Por, sa do të arrijë koalicioni i promovuar mes partive opozitare t’i bëjë ballë pushtetit absolut të kryeministrit Gruevski? Analisti Artan Sadiku nuk është edhe aq optimist.

Mendoj se me kujdes duhet të shihet ky bllok, që dje u ndërtua, pasi aty janë kyçur parti që asnjëherë nuk kanë qenë parti parlamentare dhe ndoshta kjo tregon se ky bllok është vetëm një ndërmarrje e LSDM-së, pa ndonjë pjesëmarrje të gjerë të opozitës në Maqedoni”, u shpreh Sadiku.

Lideri i Lidhjes Socialdemokrate, Branko Cërvenkovski, tha se blloku opozitar është i hapur edhe për partitë shqiptare. Por, analisti Sadiku tha se nuk beson që kjo do të mund të ndodhë.

“Arsyeja e parë është se do ta humbin subjektivitetin e vet si parti shqiptare brenda këtij blloku opozitar, që udhëhiqet nga një parti shumë e fuqishme siç është LSDM-ja”, tha Sadiku.

Sipas tij, varianti tjetër i mundshëm do të ishte që koalicionit opozitar maqedonas t’i bashkëngjitet partia shqiptare që tani është në pushtet, BDI-ja, ndërsa këtë ai e mbështeti me takimet e shpeshta që Ali Ahmeti realizon me Branko Cërvenkovskin.

Duke marrë parasysh faktin e kontradiktave të thella mes vetë partive shqiptare në opozitë, analistët përjashtojnë çdo mundësi për bashkimin e tyre në një bllok, ashtu siç bëri LSDM-ja me 13 parti të vogla opozitare maqedonase.
XS
SM
MD
LG