Ndërlidhjet

logo-print

Kina kundër takimit Obama-Lama



Kina i paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se çfarëdo takimi ndërmjet presidentit Barak Obama dhe Dalai Lamës do t’i minonte mëtej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Të martën, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Obama do të takohet me liderin shpirtëror tibetian në ekzil, përkundër paralajmërimeve të Kinës. Takimi pritet të realizohet nga fundi i shkurtit në Uashington.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme në Pekin, Ma Zhaoksu, sot lëshoi një deklaratë ku tha se qeveria e tij “vendosmërisht e kundërshton” takimin e presidentit amerikan me Dalai Lamën “nën çfarëdo preteksti apo forme”.

Zëdhënësi i qeverisë së Tibetit në ekzil tha se Kina është e shqetësuar nga ndikimi ndërkombëtar i një takimi të tillë.

Kina, e cila i dërgoi trupat në Tibet në vitin 1950, e konsideron Dalai Lamën separatist, i cili kërkon vetëqeverisje për vendin e tij.

Marrëdhëniet SHBA-Kinë janë acaruar nga shitja e armëve amerikane Tajvanit, mosmarrëveshjet tregtare dhe cenzurës që Kina i bën internetit.
XS
SM
MD
LG