Ndërlidhjet

Plaks: Veriu mund të jetë faktor destabilizimi


Ura e Mitrovicës
Ura e Mitrovicës

Projekti për Marrëdhënie Etnike (PER) vlerësoi se decentralizmi është opsioni më i mirë për përmirësimin e jetës së komuniteteve në Kosovë, mirëpo nuk përjashtoi mundësinë që veriu i Kosovës të jetë zonë destabilizuese për vendin.



Përfaqësues të Projektit për Marrëdhënie Etnike nuk përjashtuan mundësinë që veriu i Kosovës të shndërrohet në vatër eventuale konflikti ndërmjet shqiptarëve e serbëve, që jetojnë në atë pjesë.

Pas mbledhjes së fundit të këtij projekti, që shënon dhe takimin e parë të tij që nga zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, drejtorja e PER-it, Livia Plaks, tha se gjendja e përgjithshme në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve për momentin është e qëndrueshme, por nuk mund të përjashtohet një përkeqësim i situatës në pjesën veriore të vendit.

“Besoj se veriu ende mund të jetë një problem dhe ai duhet të trajtohet me shumë kujdes nga autoritetet në Kosovë dhe nga Bashkësia Ndërkombëtare”
, u shpreh Plaks.

Ajo theksoi se, pavarësisht disa mospajtimeve politike dhe çështjeve të hapura në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut mbi bashkëjetesën dhe zhvillimin, gjëra këto që, siç u shpreh Plaks, mund të arrihen përmes projektit të decentralizimit.

Drejtorja e PER-it u bëri thirrje autoriteteve qendrore në Kosovë që t’u ofrojnë mbështetjen e nevojshme strukturave të reja komunale, të dala nga procesi elektoral i nëntorit.

Ndonëse gjatë këtij procesi në Kosovë u shënua një rritje në pjesëmarrjen e serbëve në pjesët qendrore të vendit, në veri të Kosovës nuk u thye as kësaj radhe tradita e bojkotit serb ndaj zgjedhjeve të shtetit të Kosovës.

Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare tashmë janë në fazën finale të draftimit të strategjisë për veriun, me të cilën synohet shtrirja e autoritetit edhe në veri, duke instaluar komuna të reja me përfaqësues që u japin përgjegjësi institucioneve shtetërore të Kosovës.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell, theksoi nevojën për intensifikimin e punëve në procesin e decentralizimit.

“Kosova nuk ka kohë të pushojë dhe të reflektojë mbi decentralizimin. Tash është koha që decentralizimi të shndërrohet në një realitet produktiv dhe pozitiv për të gjithë”.

“Shtyrjet nuk do të hasin në mirëkuptimin e qytetarëve që po e presin këtë moment tash e 10 vjet. Nuk mund t’i zhgënjejmë qytetarët e komunave të reja, në të cilat tashmë janë zhvilluar zgjedhjet, e as ata të komunave, në të cilat do të zhvillohen zgjedhjet më vonë, këtë vit”
, theksoi Dell.

Diplomati amerikan shprehu bindjen se mbështetja institucionale ndaj udhëheqësve të komunave të reja, do të nxisë përfshirjen në institucione edhe të atyre, që deri më tani e kanë kundërshtuar një gjë të tillë.

“Ky lidership i ri tashmë ka fituar një betejë të madhe duke fituar votat e konstituimit të tyre, por ky ishte vetëm fillimi. Ky momentum duhet të vazhdohet”.

“Ne duhet t’i promovojmë mundësitë ekonomike dhe duhet të zhvillojmë shërbimet e nevojshme në komunat e reja. Skeptikët do ta vështrojnë këtë nga anash, sikurse në këto qytete, ashtu dhe në pjesët e tjera të Kosovës dhe pas një kohe do të thonë ‘Edhe ne e duam këtë’”
, tha Dell.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, të cilët po ashtu morën pjesë në takimin e fundit të këtij projekti, u zotuan se do të mbështesin, sikurse decentralizimin, ashtu dhe personat e përfshirë në këtë proces.
XS
SM
MD
LG