Ndërlidhjet

Moszbatueshmëria e Kushtetutës së Kosovës, së fundi ka ngritur debate të ndryshme në mes të partive politike në Kosovë. Sipas disa prej partive politike në pushtet, Kushtetuta po zbatohet, por ato të opozitës e thonë të kundërtën. Ndërkaq, ekspertët për çështje kushtetuese konsiderojnë se dokumenti më i lartë juridik i vendit, në disa segmente, as që ka filluar së zbatuari.


Kushtetuta e Kosovës, gati dy vjet që nga miratimi i saj në Kuvendin e Kosovës, nuk po arrin të zbatohet në tërësi, vlerësojnë ekspertët e çështjeve kushtetuese.

Sipas tyre, sfidë për zbatimin e saj mbetet pjesa e veriore e Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës, si dokumenti më i lartë juridik i vendit, në disa segmente, nuk është duke u zbatuar fare, thotë Fatmir Fehmiu, ekspert i çështjeve kushtetuese dhe njëri nga anëtarët e grupit për hartimin e saj.

“Duke pasur parasysh faktorët, që janë bartës të zbatimit të Kushtetutës, e të cilët sillen në mënyrë komode, mund të konkludojmë se në disa segmente nuk është prekur fare, siç është, për shembull, territori unik, për të cilin është i njohur opinioni vendor dhe botëror, duke u arsyetuar se institucionet paralele herë ekzistojnë, e herë nuk ekzistojnë”.

“E, në anën tjetër, hartohet strategjia, e cila është përgatitur së bashku me EULEX-in, e që disi është krejtësisht një çështje joserioze në zbatimin e Kushtetutës”
, thotë Fehmiu.

Edhe në aspektin e respektimit të të drejtave të njeriut, Fehmiu thotë se Kushtetuta nuk po zbatohet.

Ai shton se ka edhe segmentet të tjera, të cilat nuk kanë filluar ende së zbatuari.

“Zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, po ta prekni dhe analizoni në të gjitha sferat, do të shihni se shumë fusha nuk janë ende në fillim të zbatimit të këtyre dy parimeve fundamentale, e të cilat janë si garanci për qetësi, paqe e siguri në vend
”, deklaron Fehmiu.

Nga ana tjetër, Iliriana Islami, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, thotë se duke u bazuar në disa vendime që kjo gjykatë ka nxjerrë, e të cilat, siç shprehet ajo, janë respektuar edhe në veri, mund të jepet një vlerësim i përgjithshëm për këtë çështje.

“Deri më tani, nga praktika jonë, po shihet se institucionet i aplikojnë dhe i marrin seriozisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe po më duket që ne, normalisht, atë koordinimin e gjykatës dhe institucioneve tashmë po e realizojmë”.

“Kështu që, kjo është një çështje e mirë, një hap përpara, që po shihet se respektohet Kushtetuta”
, thekson zonja Islami.

Nëse vendimet e gjykatës respektohen, thotë zonja Islami, atëherë mund të konstatohet se ka respektim të Kushtetutës së Kosovës.

“Vendimet e gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese respektohen. Atëherë, mund të themi se Kushtetua respektohet”.

“Normalisht, që ne jemi në fazën fillestare, kur kemi më shumë raste individuale për të drejtat e njeriut, por sa i përket funksionit, deri më tani ne mund të themi se jemi të kënaqur”
, shprehet Islami.

Mungesa e zbatimit të ligjit, rrjedhimisht përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës, thotë eksperti Fehmiu. Ai shpreh mendimin se institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë për ta shndërruar Kosovën në një shtet ligjor.

“Për ta zhvilluar një konsekuencë në zbatimin e parimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, duhet të respektohet në mënyrë besnike dialogu në mes të asaj që quhet subjekt shtetëror, edhe qytetar”.

“Siç po e shihni, komplet aparati shtetëror është burokratik, e burokracia në një shoqëri demokratike është kancer
”, thotë Fehmiu.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga ekzekutivi që të përgatisë një raport për moszbatueshmërinë e Kushtetutës së Kosovës në veri të vendit.

Zyrtarë të Qeverisë kanë bërë të ditur se raporti ende është duke u përgatitur.

Kuvendi i Kosovës ka paralajmëruar që, në njërën nga seancat e radhës, do të debatohet për atë se sa është duke u zbatuar Kushtetuta.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG