Ndërlidhjet

Tensionet ndëretnike në arsim


Shkup, ndërtesa e Qeverisë

Shkup, ndërtesa e Qeverisë

Tensionet ndëretnike në arsim, pas vendimit të dikasterit përkatës që nxënësit shqiptarë ta mësojnë maqedonishten që nga klasa e parë, si dhe bojkoti i mësimit nga nxënësit maqedonas, që pasoi si rrjedhojë e rrahjes mes nxënësve shqiptarë dhe atyre maqedonas në Tetovë, janë refleks i politikës aktuale të lidershipit të vendit, theksojnë përfaqësuesit e sektorit civil.


Sipas rezultateve të anketës së fundit të Qendrës për Tolerancë Ndëretnike, 78 për qind e të anketuarve thonë se raportet ndëretnike janë përkeqësuar, ndërkohë që 3/4 e të anketuarve vlerëson se mosdurueshmëria ndërnacionale është në rritje mes dy etniteteve më të mëdha në Maqedoni.

Vllado Dimovski, sekretar i përgjithshëm i Qendrës për Tolerancë Ndëretnike, thotë se këto rezultate janë nga më të këqijat që nga viti 2001.

“Analizat tona, të cilat jemi duke i realizuar dhjetë vjetëve të fundit, lidhur me raportet ndëretnike, tregojnë se tensionimi i raporteve ndëretnike, para së gjithash, është pasojë e politikës që po ndjek pushteti”
, thekson Vllado Dimovski.

Dimovski nënvizon se mostoleranca mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy etnitetet më të mëdha në vend, është në pikën më të lartë negative që nga konflikti i armatosur më 2001.

Ndërkaq, sipas Alajdin Demirit, politikolog, marrëdhëniet ndëretnike në vend, në formë sistematike, janë të provokuara nga partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, dhe “këtë prishje të egër”, siç e quan ai, të raporteve ndëretnike, e ndihmon edhe partia shqiptare, pjesë e Qeverisë, BDI-ja, me qëndrimin e saj indiferent.

“E para është krishterizimi i Maqedonisë, duke tentuar që të ndërtohen kisha vend e pa vend, vetëm e vetëm për të dëshmuar se Maqedonia është shtet i krishterë dhe në të nuk ka vend për asgjë tjetër”.

“E dyta është imponimi me dhunë, apo me ligj, i mësimit të gjuhës maqedonase për fëmijët shqiptarë, që nga klasa e parë, jashtë të gjitha normave pedagogjike, jashtë kuptimeve sociale”
, thekson politikologu Alajdin Demiri, duke shtuar se kjo bëhet me qëllim që shteti të demonstrojë fuqi dhe, njëkohësisht, të imponojë pranim të këtillë nga shqiptarët.

Nga ana tjetër, kryetari i organizatës joqeveritare “Realiteti”, Valon Bela, thekson se imponimi i së drejtës ekskluzive që për gjithçka të vendosin vetëm udhëheqësit maqedonas, është ajo që e ka mbushur kupën, sa i përket kërcënimit të marrëdhënieve ndëretnike.

“Si OJQ, nuk e shohim problemin nëse shqiptarët shahen mes vete, ose etiketohen, sepse një gjë e këtillë ndodh kudo në shoqëritë botërore”.

“Por, problem paraqet kur institucionet diskriminojnë qytetarët, pra relacioni institucion - qytetar, siç është rasti ku pa konsultimin e palës shqiptare është marrë vendim të mësohet maqedonishtja që në klasën e parë, nga nxënësit shqiptarë”
, shprehet Bela.
XS
SM
MD
LG