Ndërlidhjet

A ka marrë fund procesi në Gjilan?


Vendimi i Gjykatës Supreme për të anuluar rivotimin në Gjilan, sipas kandidatit të LDK-së për kryetar të kësaj komune, Fatmir Rexhepi, nuk i jep fund procesit. Ai pret që gjykata t’i shqyrtojë lëndët e dërguara nga ai dhe LDK-ja.



Gjykata Supreme ka anuluar vendimin e Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa, me të cilin udhëzohej rivotimi në Gjilan.

Ndërsa kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Qemajl Mustafa, e sheh këtë punë të përfunduar, kundërkandidati i tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Fatmir Rexhepi, konsideron se Gjykata Supreme ka ende punë për të bërë.

Rexhepi thotë se Gjykata Supreme nuk ka marrë vendim ende mbi lëndët që LDK-ja dhe ai vetë kanë dërguar në gjykatë.

“Unë pres vendimin dhe do të deklarohem për vendimin e Gjykatës Supreme, kur ajo merr vendim dhe qëndrim lidhur me apelimin që e kam bërë unë në emër të LDK-së”.

“Për vendimet tjera, të cilat po qarkullojnë dhe të cilat unë nuk i kam në dorë dhe që nuk janë pjesë e asaj çka ka të bëjë LDK-ja, unë nuk kam asnjë arsye që ta jap ndonjë qëndrim”
, thotë për Radion Evropa e Lirë, Fatmir Rexhepi.

Krejt ndryshe mendon kundërkandidati i tij, Qemajl Mustafa, i cili në dy raundet për kryetar komune mori më shumë vota.

“Nuk jemi të ekzaltuar, sepse e kemi ditur se nëse ka institucione të pavarura Kosova, vendimi duhet të jetë ky, për shkak se prej fillimit, unë, si kandidat në Gjilan, dhe PDK-ja e kemi ditur se procesi ka qenë kristalisht i pastër dhe pa të meta”, thotë Mustafa.

Ankesat e LDK-së se procesi i votimit në raundin e dytë ishte përcjellë me parregullsi bënë që rezultatet e Gjilanit të mos certifikohen.

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa udhëzoi rivotimin për këtë komunë, por Komisioni Qendror Zgjedhor ia la në dorë Gjykatës Supreme të vendosë për fatin e Gjilanit.

Gjykata Supreme, në vendimin e djeshëm, ka miratuar, siç thuhet, padinë e kandidatit të PDK-së në Gjilan, Qemajl Mustafa, kundër vendimit të KZAP-it.

“Anulohet vendimi i Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa me numër 508/2009, i datës 19 dhjetor 2009, vetëm në pjesën në të cilën është udhëzuar KQZ-ja të urdhërojë përsëritjen e votimeve për kryetar komune në Gjilan”, thuhet në vendimin e trupit gjykues.

Megjithatë, Fatmir Rexhepi beson se Gjykata Supreme do t’i analizojë të gjitha faktet dhe do t’i marrë parasysh edhe lëndët e dërguara nga LDK-ja.

“Mbetem pranë asaj që Gjykata Supreme, shumë shpejt, besoj se do të vazhdojë t’i analizojë dhe t’i marrë të gjitha faktet në shqyrtim, që i ka dërguar LDK-ja, dhe të marrë një vendim të drejtë, që unë besoj se edhe në Gjilan duhet të ketë rivotim, në komunën tonë, sa më shpejt që të jetë e mundur, qoftë kah fundi i këtij muaji, apo fillimi i marsit”
, shprehet Rexhepi.

Mustafa, në anën tjetër, kritikon Rexhepin se nuk po i njeh vendimet e institucioneve të pavarura.

“Nëse ata nuk e shohin procesin të mbyllur edhe pas vendimit të Gjykatës Supreme, atëherë kemi të bëjmë fatkeqësisht me një grumbull njerëzish ose individë të caktuar, se unë nuk mendoj se LDK-ja është krejt e tillë, të cilët nuk i njohin institucionet e Kosovës, nuk i njohin gjykatat si trup të pavarur. Kjo është fatkeqësi shumë e madhe për Kosovën”, thotë Mustafa.

Ndryshe, Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka marrë ndonjë vendim për Gjilanin, pas fjalës së dhënë nga ana e Gjykatës Supreme.

Parregullsitë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale shkaktuan përsëritjen e zgjedhjeve edhe në komunën e Prizrenit dhe atë të Lipjanit.

Kandidati i LDK-së për komunën e Gjilanit, Fatmir Rexhepi, pati kritikuar vendimin e KQZ-së, që të mos urdhërojë rivotim për Gjilanin, siç bëri për dy komunat tjera. Kjo edhe ka shtyrë atë që t’u drejtohet rrugëve ligjore.

“Pres të marrë përgjigje për apelimin që kam bërë unë dhe jo për apelime të të tjerëve“, deklaron Rexhepi.

Ndryshe, në vendimin e Gjykatës Supreme thuhet se është kthyer për plotësim padia e Shtabit Qendror të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ajo e kandidatit për kryetar të Gjilanit, Fatmir Rexhepi.

Gjykata thuhet se i ka dhënë afat prej tetë ditësh edhe LDK-së, edhe Rexhepit që të bëjnë plotësimin e lëndës dhe pastaj të marrë vendimin në përputhje me afatet ligjore.
XS
SM
MD
LG