Ndërlidhjet

Bota rrit buxhetin ushtarak, me gjithë krizën globale

  • RFE /RL


Instituti për Studime Strategjike Ndërkombëtare bën të ditur se buxheti i shpenzuar në fushën e mbrojtjes në nivel global, ka njohur rritje.

Në vitin 2008, vendet e përfshira në studim, shpenzonin 1.55 trilion dollarë, krahasuar me 1.3 trilionë dollarë të shpenzuara në vitin 2006.

Organizata me qendër në Londër ka përfshirë dhe analizuar në raportin më të fundit buxhetet ushtarake të 170 vendeve.

Vendet që mbahen për fonde të mëdha në fushën e mbrojtjes, siç janë: Shtetet e Bashkuara, Kina, Franca dhe Japonia, kanë rritur apo së paku kanë ruajtur të njëjtin nivel të shpenzimeve në fushën ushtarake gjatë 18 muajve të fundit.

Mark Stoker, ekonomist i specializuar në fushën e mbrojtjes pranë Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike në Londër, sqaron përse kriza ekonomike nuk ka ndikuar në buxhetin e mbrojtjes.

“Padyshim, kemi parë shumë vende që kanë ruajtur të njëjtin nivel shpenzimesh në fushën e mbrojtjes apo dhe shtete të tjera që kanë bërë shkurtime në buxhetin përkatës”.

“Çfarë e mban buxhetin global të mbrojtjes në nivel të lartë, janë shpenzimet e mëdha në vende si: SHBA-të, Kina, India, e deri në njëfarë mase dhe Brazili. Shumica e këtyre vendeve për çdo vit rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes”
, thotë Stoker.

Më tej ai shton se rritja e buxhetit të mbrojtjes mund të mos jetë aq e madhe sa duket, nëse merret parasysh dhe rënia e vlerës së dollarit.

Por, krahasuar sipas një parametri tjetër, atij të të ardhurave për frymë, buxhetet e mbrojtjes kanë mbetur në nivele të larta, madje kanë njohur dhe rritje.

Nga ana tjetër, kriza globale ka pasur ndikime të ndryshme në shtete e pjesë të ndryshme të botës. Rusia ishte në mesin e vendeve të mëdha që kanë ulur financimet në fushën e mbrojtjes.

Vendet aziatike po dalin në pah gjithmonë e më shumë si fuqi ushtarake. Kryesojnë padyshim Kina dhe India. Rritje të fondeve për fushën ushtarake kanë shënuar dhe vende si: Australia, Singapori dhe Indonezia.

Rritje kanë njohur buxhetet e mbrojtjes dhe në vendet e Lindjes së Mesme, por duhet theksuar se kjo rritje ka qenë modeste.

Stoker parasheh uljen e fondeve për mbrojtjen në vitet në vijim, pas një dekade të rritjes së ndjeshme të buxhetit të mbrojtjes.

“Mendoj se shkalla e rritjes do të ulet në vitet në vijim. Duhet të theksoj se do të ketë vende si: Kina, India apo Brazili, që do të vazhdojnë të rrisin buxhetin e mbrojtjes”.

“Por, vendet e tjera, në veçanti Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të mëdha anëtare të NATO-s, nuk kanë fleksibilitetin e nevojshëm për të rritur buxhetin ushtarak”
, thotë Stoker.

Shtetet e Bashkuara njohën rritje të ndjeshme të buxhetit ushtarak në presidencën e Xhorxh Bushit, tendencë që do të ndryshojë duke pasur parasysh deficitin buxhetor.

Në mesin e vendeve të NATO-s, sipas të gjitha gjasave, vetëm Norvegjia dhe Danimarka do t’i rrisin buxhetet ushtarake për vitin 2010. (I.B.)
XS
SM
MD
LG