Ndërlidhjet

Numri i të prekurve me kancer – në rritje


Dita ndërkombëtare kundër kancerit, Kosovën e gjen me një numër mjaft të madh të të prekurve me kancer, por jo me të dhëna të sakta se sa është numri i përgjithshëm i pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje e pashërueshme.

Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë, thirret në vlerësime të ekspertëve:

“Është vlerësim i ekspertëve të fushave të shëndetësisë se që nga paslufta, kanceri ka shënuar rritje. Mungojnë të dhënat e sakta për shkak të regjistrit të kancerit, por që nga paslufta supozohet se ka pasur më shumë se 4 mijë raste të reja”.

Sipas Hotit, Kosova aktualisht po përgatitet të fillojë një program nacional për kontrollin e kancerit. E gjithë kjo do të bëhet duke u bazuar në udhërrëfyesin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të përmirësuar kushtet në të cilat kjo sëmundje evidentohet dhe trajtohet.

Gazmend Zhuri, drejtor i pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare, thotë se numri i personave të prekur me kancer në Kosovë, në bazë të disa studimeve sidomos kancer të mushkërive, është i barabartë me vendet evropiane.

“Pacientët me kancer, në bazë të numrit që kemi, janë në rritje. Tash, 90 për qind e pacientëve identifikohen te ne, derisa para 10 vjetësh janë identifikuar jashtë vendit”, thotë Zhuri.

Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thotë se sikur për patologjitë e tjera, edhe për kancer, nuk ka të dhëna statistikore në Kosovë. Kjo thuhet se vjen si mungesë e regjistrit dhe regjistrimit të popullsisë, si dhe një sistemi të qëndrueshëm të informimit shëndetësor.

Zoti Syla flet për avantazhet që do të sjellë programi për kontrollimin e kësaj sëmundjeje, për jetësimin e të cilit tashmë janë bërë përgatitjet. Ky manual thuhet se do të jetë një udhërrëfyes për shëndetësinë kosovare, ku do të trajtohet kjo çështje shumë serioze.

“Tani është momenti të kemi një program gjithëpërfshirës, ku përfshihen parandalimet e kancerit, sepse, në bazë të hulumtimeve, dëshmohet se 40 për qind e kacereve mund të parandalohen, me: lënien e duhanit, alkoolit, pastaj me aktivitete fizike, parandalimin e infeksioneve të organeve të ndryshme”.

“Andaj, ky manual i OBSH-së është shumë i rëndësishëm për Kosovën, sepse ne ende nuk disponojmë një program gjithëpërfshirës
”, shprehet Syla.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë flasin se brenda vitit në botë regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja dhe supozohet se në vitin 2020 kjo rritje mund të shkojë deri në rreth 15 milionë raste të reja në botë.
XS
SM
MD
LG