Ndërlidhjet

Policët e pakënaqur


Njësi speciale të Policisë së Kosovës kanë shprehur edhe të enjten pakënaqësitë ndaj mosrealizimit të kërkesave të tyre. Ata kanë kërkuar që për këtë çështje të mblidhet edhe Kuvendi. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës janë zotuar se do t’i shqyrtojnë kërkesat e policisë, por tash për tash nuk kanë premtuar asgjë.




Moszbatimi i Ligjit për Policinë e Kosovës, mosrritja 100 % e pagave bazë, si dhe mosndryshimi i kontratave të punës nga ato të përkohshme në të përhershme, kanë shtyrë më shumë se katërmbëdhjetë njësi speciale të Policisë së Kosovës t’i shprehin pakënaqësitë e tyre edhe sot, duke mos punuar.

Këshilli i përfaqësuesve të njësive të specializuara të policisë ka lëshuar një komunikatë për media, ku i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që sa më parë të mblidhet dhe t’i shqyrtojë kërkesat e policëve.

Në komunikatë thuhet:

“Kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të mblidhet urgjentisht, për t’i diskutuar kërkesat tona, të cilat burojnë nga aktet e po këtij Kuvendi”.

Zëdhënësi i Këshillit, Arbresh Dalipi, i tha Radios Evropa e Lirë se deri në realizimin e kërkesave, policët nuk do të zmbrapsen në shprehjen e pakënaqësive.

“Këshilli i përfaqësuesve të njësive të specializuara është mbledhur këtu për të shprehur pakënaqësi”.

“Janë tri pika. Kërkesa jonë e parë është zbatimi i menjëhershëm, në tërësi, i Ligjit për Policinë e Kosovës, si dhe dispozitave të tjera ligjore; rritja e pagave 100% nga paga bazë, si dhe ndryshimi i kontratave të punës nga ato të përkohshme në të përhershme, ku specifikohen në mënyrë të detajuar marrëdhënia e punës dhe niveli i pagës
”, tha Dalipi.

Në komunikatë, Këshilli i përfaqësuesve të njësive të specializuara të policisë gjithashtu thekson se deri në orën 9:00 të mëngjesit të sotëm, në bazën e Kishnicës, ku janë të tubuara 14 njësi të specializuara të Policisë së Kosovës, nuk ka pasur asnjë vizitë nga Ministria e Punëve të Brendshme apo Zyra e Kryeministrit – kërkesë kjo e policëve.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës janë zotuar së do t’i shqyrtojnë kërkesat e policisë, por tash për tash nuk kanë premtuar asgjë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, kërkoi nga policët që t’i kthehen punës.

“Do ta shikojmë gjendjen se si është në mënyrë reale, si ka ndryshuar gjendja në kuptimin pozitiv me pagat e tyre. Ne do të jemi në gjendje ta bëjmë një zgjidhje. Po besoj se do të kemi mirëkuptim edhe nga ana e policisë”.

“Unë nuk mund të premtoj asgjë tani për tani, por do t’i shqyrtojmë kërkesat e tyre dhe ajo që mund të them, është se do t’i ftoja ta kryejnë punën, aktivitetin e tyre. Njëkohësisht, Qeveria do të jetë e përkushtuar në zgjidhjen e problemeve në kuadër të mundësive ligjore dhe buxhetore”, tha Kuçi.

Lidhur me gjendjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ka reaguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Njësitë elite të Policisë së Kosovës dhe njësitë e hetimeve rajonale janë detyruar të hyjnë në grevë për të kërkuar zbatimin e Ligjit të policisë, tha në një konferencë për media sekretari i përhershëm i kësaj partie, Burim Ramadani.

“AAK-ja solidarizohet në mënyrë të plotë me kërkesat e policëve të Kosovës, për shkak se këto janë kërkesa legjitime, janë kërkesa të drejta dhe kërkesa minimale. Zbatimi i Ligjit të policisë dhe përmirësimi i kushteve të punës për policët e Kosovës, janë obligim i Qeverisë së Kosovës”.

“Por, në vend të kësaj, kjo qeveri po detyron policët e Kosovës të organizojnë greva për të kërkuar zbatimin e Ligjit të policisë. Për më keq, Qeveria e Kosovës ka mashtruar policët, familjarët e policëve dhe opinionin publik, se në fillim të këtij viti policëve të Kosovës do t’u rriten të ardhurat deri në 200 euro”
, deklaroi Ramadani.

Pakënaqësitë e policëve lidhur me pagat e ulëta po përkrahen edhe nga organizata të ndryshme sindikale dhe njësitë rajonale të Policisë së Kosovës.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, tha se kërkesat e policëve janë të arsyeshme dhe se kanë përkrahjen e sindikatës.

“Kërkesat e tyre ne i përkrahim dhe janë kërkesa legjitime, të cilat i parasheh edhe ligji i Kosovës”, theksoi Tasholli.
XS
SM
MD
LG