Ndërlidhjet

logo-print

Qytetarët, të painformuar për çështjen e emrit


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Në një anketë të organizatave joqeveritare thuhet se qytetarët e Maqedonisë janë shumë pak të informuar për çështjen e emrit, që, sipas tyre, flet qartë për mungesën e transparencës nga ana e Qeverisë në zgjidhjen e kontestit me Greqinë. Anketa edhe një herë ka nxjerrë në shesh qëndrimet diametralisht të kundërta mes maqedonasve dhe shqiptarëve për atë nëse duhet, ose jo, të ndryshohet emri, si kompensim për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.


Qytetarët e Maqedonisë janë fare pak të njoftuar me politikën e Qeverisë në raport me negociatat për zgjidhjen e kontestit rreth emrit.

Mbi 60 për qind e maqedonasve nuk dinë se cila është “vija e kuqe”, që disa herë përmendet nga kreu shtetëror, sikurse që nuk kanë njohuri as për shprehjen shumë të përfolur “kompromis i arsyeshëm”.

“Qytetarët duhet të njoftohen me atë që ndodh. Ata duhet t’i dinë qartë pozicionet tona. Duhet ta kenë të qartë se çfarë është në thelb problemi dhe cilat çështje trajtohen në kuadër të negociatave”
, thotë Sllagjana Taseva, drejtuese e organizatës joqeveritare “Transparenca, zero korrupsioni”.

Në mungesë të informatave zyrtare, pjesa dërrmuese e qytetarëve janë të bindur se kompromisi nënkupton ndryshimin e identitetit kombëtar maqedonas, që në këtë rast kundërshtohet nga më shumë se 80 për qind e maqedonasve.

Por, situatë krejt ndryshe qëndron me komunitetin shqiptar. Më shumë se 80 për qind nga ta e mbështesin këtë ndryshim, që, sipas tyre, do t’i hapte rrugën integrimit të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Nga kjo shihet qartë se kemi një dallim të madh mes grupeve më të mëdha etnike që jetojnë në vend, në raport me këtë çështje të ndjeshme. Sikur po krijohet një fotografi se jetojmë në dy botë krejt të ndryshme”
, thotë Taseva.

Duke komentuar këto të dhëna të organizatës “Transparenca, zero korrupsioni”, Lulzim Haziri, drejtues i organizatës joqeveritare “Medium”, thotë se të dhënat janë edhe një dëshmi për mungesën e transparencës nga ana e Qeverisë, e cila, sipas tij, ende nuk merr guximin për të krijuar opinion se kompromisi është alternativa e vetme për zgjidhjen e kontestit.

“Në Maqedoni, vite të tëra, ky proces nuk zhvillohet në mënyrë transparente. Dihen vetëm deklaratat se tash kemi promizimin 14, tash kemi promizimin që kishim para dy muajve, e kështu me radhë, duke krijuar huti te qytetarët. Por, ajo që shihet, apo ajo që noton mbi ujë, është se Qeveria nuk ka guxim ta zgjidhë këtë çështje”
, deklaron Haziri.

Ndërsa, sa u përket dallimeve mes shqiptarëve dhe maqedonasve, se duhet apo jo të pranohet si zgjedhje ndryshimi i emrit të shtetit, Haziri thotë se kjo edhe pritej, duke marrë parasysh, sipas tij, lidhjet jo të forta të shqiptarëve me emrin Maqedoni.

“Shqiptarët e Maqedonisë nuk identifikohen aq shumë me shtetin. Për shqiptarët është me rëndësi të lëvizin të lirë në vendet e Bashkimit Evropian dhe synimet e tyre për integrimin të mos kufizohen lidhur me emrin e një shteti”
, shprehet Haziri.

Për mungesë transparence për çështjen e emrit, Qeveria në vazhdimësi është kritikuar edhe nga partitë opozitare.
XS
SM
MD
LG