Ndërlidhjet

Kundër strategjisë, EULEX-it, KFOR-it...


Paqeruajtësit në Mitrovicë

Paqeruajtësit në Mitrovicë

Përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës, ata të disa partive politike nga Serbia, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, e kanë kundërshtuar zbatimin e strategjisë së ICO-së dhe Qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut.


Të mbledhur në një kuvend politik serb në veri të Mitrovicës, përfaqësuesit e këtij komuniteti e kanë kundërshtuar sërish strategjinë e ICO-së dhe Qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut.

Në këtë kuvend, përveç përfaqësuesve politikë të komunitetit serb, kanë marrë pjesë edhe ata të Partisë Radikale të Serbisë, përfaqësues të Partisë Demokratike të Serbisë, si dhe Peshkopi Artemie.

Mesazhi që ka dalë nga takimi, u është adresuar institucioneve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar, se strategjia e për veriun nuk do të mund të zbatohet dhe do ta ketë kundërshtimin serb.

Njëri nga liderët e serbëve të veriut të Kosovës, Marko Jakshiq, i ka ftuar serbët e Mitrovicës të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos e lejojnë zbatimin e planeve për integrimin e kësaj pjese.

“Ju ftoj, sidomos juve, qytetarë të Mitrovicës, që për 10 vjet luftuat të mbeteni në këtë qytet, që të vazhdoni tutje dhe të mos lejoni që planet e tilla të zbatohen”
, ka thënë Jakshiq.

Ndërkaq, nga Serbia, në kuvend kanë marrë pjesë radikalët e Tomisllav Nikoliqit dhe përfaqësues të Partisë Demokratike Serbe të Vojisllav Koshtunicës.

Ata kanë adresuar kritika te presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, dhe shefi i diplomacisë së këtij vendi, Vuk Jeremiq, për politika, siç kanë thënë, joparimore në raport me komunitetin serb dhe Kosovën.

Dragan Todoroviq, nga radhët e radikalëve, i ka bërë thirrje Beogradit ta dëgjojë edhe zërin e serbëve të Kosovës dhe ka ftuar Qeverinë e Serbisë që ta ndërpresë, siç është shprehur ai, mikpritjen e misionit të EULEX-it.

“EULEX-it duhet t’i tregohen dyert prej nga erdhi që të largohet, sepse nuk ka se çfarë kërkon më në Kosovë”, është shprehur Todoroviq.

Kritika të ashpra janë dhënë edhe në adresë të KFOR-it, nga ana e një përfaqësuesi tjetër serb nga veriu, Milan Ivanoviq.

“Kur i dëgjojmë deklaratat e komandantit të KFOR-it, kuptojmë se KFOR-i e ka gabuar mandatin e vet. Nuk arriti të garantojë siguri dhe tash dëshiron të merret me politikë”
, ka theksuar Ivanoviq.

Ndërkaq, anash këtij veprimi politik, indiferente nuk ka qëndruar as Kisha Ortodokse Serbe.

Peshkopi Artemie ka marrë mandatin nga ky kuvend joformal serb, që të kryesojë një delegacion, i cili do të merret me politikat e Serbisë për ruajtjen dhe moslejimin, siç thuhet, të pavarësimit dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia.

Takimi në veri të Mitrovicës ka rezultuar edhe me një kërkesë adresuar Parlamentit të Serbisë dhe i është kërkuar të miratojë një rezolutë, me të cilën do të deklarohet sërish për moslejimin e ndarjes së Kosovës nga Serbia.

Këto veprime në veri, nuk e kanë befasuar Qeverinë e Kosovës.

Sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, ka qenë e pritshme rezistenca serbe e strukturave paralele, pas përkrahjes që faktori ndërkombëtar i dha strategjisë për integrimin e kësaj pjese në sistemin legal të Kosovës.

“Ne e kemi ditur se do të ketë rezistenca të tilla, në veçanti të njerëzve që janë të lidhur me veprimet ilegale, thënë më së buti, por ajo që dua ta them është se, vendosmëria e institucioneve të Kosovës dhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare, janë më të fuqishme sesa reagimet që mund t’i bëjë dikush”.

“Unë e di se shumica e popullatës lokale serbe atje është e interesuar për rend dhe ligj, për demokraci dhe zhvillim ekonomik
”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Kuçi.

Strategjia për veriun është e ndarë në katër shtylla kryesore, siç janë: kontrolli i plotë i doganave dhe funksionimi gjykatave; organizimi dhe mbajtja e zgjedhje në Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan; themelimi i komunës së Mitrovicës së Veriut; dhe në shtyllën e katërt bën pjesë zhvillimi ekonomik.

Kjo strategji është përkrahur deri më tash publikisht nga ICO-ja, Ambasada Amerikane dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, kurse BE-ja, përkatësisht misioni i EULEX-it, nuk e ka sqaruar ende pozicionin ndaj këtij dokumenti.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG