Ndërlidhjet

KQZ-ja s'ka marrë as të premten ndonjë vendim për Gjilanin. Në këtë organ kanë arritur dy vendime lidhur me procesin zgjedhor në Gjilan, ai i Gjykatës Supreme që anulon kërkesën për rivotim dhe vendimi më i ri i KZAP-it, që urdhëron rivotimin.


Çështja e zgjedhjes së kryetarit të Gjilanit mbetet ende pezull.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, as të premten nuk ka marrë ndonjë vendim për të anuluar rivotimin, siç ka kërkuar Gjykata Supreme, apo për të shkuar me rivotim, siç kërkon në vendimin më të ri, Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa.

I gjendur mes dy vendimeve që bien ndesh me njëri-tjetrin, Komisioni Qendror Zgjedhor ka vendosur që të kërkojë nga Gjykata Supreme dhe ajo Kushtetuese, që të informojnë nëse ende ka çështje të papërfunduara për Gjilanin.

“KQZ-ja do të kërkojë nga Gjykata Supreme dhe ajo Kushtetuese se a ka çështje, a ka lëndë që nuk kanë përfunduar dhe nëse kanë përfunduar, të na i dërgojnë vendimet, gjegjësisht informatat”,
ka thënë kryetarja e KQZ-së Nesrin Lushta.

Në të vërtetë, në vendimin e para dy ditëve, Gjykata Supreme ka bërë të ditur se i ka kthyer për plotësim lëndët e LDK-së, që kishin të bënin me ankesat për parregullsi në votime në raundin e dytë zgjedhor në Gjilan.

Ndërkohë, në vendimin e marrë dje, Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, kërkesën për rivotim e ka arsyetuar me faktin se kjo është zgjidhja më e drejtë, meqë, sipas panelit, anulimi në një numër të kufizuar të vendvotimeve, nuk do të shprehte vullnetin e qytetarëve të kësaj komune, “sepse numri i votave ku nuk ka parregullsi do ta dëmtonte vullnetin e zgjedhësve në këtë komunë, e, në të njëjtën kohë, do të ndikonte në vetë legjitimitetin e zgjedhjeve”.

Në vendim, po ashtu, thuhet se për shkak të rezultatit të ngushtë në Gjilan, anulimi i akëcilit vendvotim, do ta bënte fitues, njërin, apo tjetrin kandidat, gjë që thuhet se do të ishte e padrejtë, marrë parasysh parregullsitë e konstatuara.

Për kryetaren e KQZ-së, Nesrin Lushta, që të dyja vendimet, edhe vendimi i Gjykatës Supreme, edhe ky i KZAP-it, janë valide, edhe pse këto dy vendime janë kontradiktore.

“Secili prej këtyre organeve i ka kompetencat e veta të ndara me ligj. Nuk mund të them se njëri institucion ka rëndësi më të madhe, sesa institucioni tjetër, sepse secili prej tyre ka kompetencat e veta. Do t’i respektojmë vendimet e të dy organeve”,
ka deklaruar Lushta.

Por, anëtari i KQZ-së nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Fadil Maloku, ka kritikuar se procesi është duke u politizuar.

“Të gjitha partitë politike, janë pajtuar se vendimi i Gjykatës Supreme do të jetë valid për të gjithë. Tash, pas vendimit të Gjykatës, vjen rikonfirmimi i KZAP-it. Unë po kuptoj që dikush dëshiron të blejë kohë, dëshiron të bëjë pazare politike”
, është shprehur Maloku.

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, por edhe balotazhi, janë përcjellë me parregullsi.

Si rrjedhojë, u përsëritën zgjedhjet në Prizren e Lipjan, ndërsa Gjilani vazhdon të mbetet pa kryetar të ri.

Në këto tri komuna, gara për kryetar u zhvillua mes kandidatëve nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
XS
SM
MD
LG