Ndërlidhjet

Beogradi qëndron prapa veprimeve kundërshtuese të serbëve të veriut, të cilët kundërshtojnë ashpër zbatimin e strategjisë për integrimin e kësaj pjese, vlerësojnë deputetë kosovarë, njohës të çështjeve të sigurisë. Sipas tyre, zbatimi i strategjisë për integrimin e veriut do të mundësohet vetëm nëse faktori ndërkombëtar i shton trysnitë për ndaljen e ndikimit të Serbisë te strukturat e saj paralele të ngritura në Kosovë.


Bashkësia ndërkombëtare duhet të rrisë trysninë politike mbi Beogradin, nëse mendohet seriozisht të vendoset rendi dhe ligji në veri të Kosovës, thonë deputetë kosovarë, njohës të fushave të sigurisë.

Sipas tyre, me mbajtjen në jetë të strukturave paralele serbe, Beogradi ka sfiduar për më shumë se dhjetë vjet sundimin e ligjit në veri dhe tani është bashkësia ndërkombëtare ajo që mund ta ndryshojë këtë ndikim të Serbisë te komuniteti serb.

Deputeti dhe njohësi i aspekteve të sigurisë, Naim Maloku, thotë se është faktori ndërkombëtar në rend të parë, ai që duhet të ulet dhe të bisedojë me Beogradin, që të ndalë ndikimin negativ te serbët e Kosovës, të cilët ky vend po i shfrytëzon për interesat e politikës ditore duke i përdorur ata si instrument të destabilizimit të Kosovës.

“Adresa e zbatimit të saj (strategjisë) është Beogradi, jo në formën e adresimit nga Qeveria e Kosovës, por është presioni i EULEX-it dhe BE-së mbi Qeverinë e Serbisë. Krejt ngjarjet që kanë ndodhur me serbët në veri të Kosovës janë të instrumentalizuara nga Qeveria dhe politika oficiele e Serbisë”
, thekson Maloku.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Rrustem Mustafa, thotë se serbët e veriut nuk janë të informuar mirë me përmbajtjen e strategjisë për integrim.

Ndikimi i Beogradit dhe mbajtja e një terri informativ për realitetin në pjesën poshtë lumit Ibër, vlerësohet se ndikon shumë që serbët e veriut po refuzojnë çdo nismë të Prishtinës dhe faktorit ndërkombëtar.

Mustafa, megjithatë shpreh besimin se trysnia ndërkombëtare mbi Serbinë tashmë ka filluar, për të larguar ndërhyrjen e këtij vendi në veri.

“Dialogu përmes faktorit ndërkombëtar tashmë është vendosur. Trysnia ndaj Beogradit po zhvillohet qe sa kohë, ata, dua të besoj, se janë vetëdijesuar dhe duhet të heqin dorë nga invazioni në një shtet tjetër, në këtë rast në shtetin tonë, sepse ka ardhur momenti kur nuk mund ta arsyetojnë ata as para vetvetes, e lëre më para nesh”
, thekson Mustafa.

Në dëshminë e paraqitur në Kongresin e SHBA-ve, shefi i Inteligjencës Kombëtare, Denis Bler, ka paralajmëruar se “çështja e pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri, vazhdon të mbetet burim tensionesh".

Lidhur me këto paralajmërime të Inteligjencës amerikane, deputeti Rrustem Mustafa thotë se ato janë të bazuara dhe duhet të merren seriozisht.

Në anën tjetër, Naim Maloku vlerëson se Serbia, megjithatë, do të vazhdojë ta sfidojë Kosovën dhe misionin e EULEX-it me mbajtjen e tensioneve në veri, për të kushtëzuar Brukselin me procesin e saj integrues në BE.

Maloku kritikon edhe institucionet e Kosovës për vonesa në krijimin e kapaciteteve vendore të sigurisë.

“Krejt çka mund të bëjë Kosova, është që t’i ngritë mekanizmat e sigurisë vendore. Ngritja e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, është ajo që Kosova, Qeveria, është dashur ta bëjë, por kemi vonesa të mëdha, po hyjmë në vitin e dytë të shpalljes së pavarësisë dhe ende nuk kemi praktikisht asgjë në drejtim të ngritjes së këtyre kapaciteteve”
, deklaron Maloku.

Të enjten në Mitrovicë, përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës, ata të disa partive politike nga Serbia, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, e kanë kundërshtuar zbatimin e strategjisë së ICO-së dhe Qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut.

Ndërkohë që Qeveria në Prishtinë dhe ICO-ja, në disa raste, janë deklaruar se deri në fund të vitit, komunat veriore do t’i nënshtrohen procesit demokratik të zgjedhjeve të lira, si hapi i parë që do t’i prijë vendosjes së pushtetit legal dhe ligjshmërisë në këtë pjesë të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG