Ndërlidhjet

logo-print

Si do të bëhet riprivatizimi?


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Disa nga ndërmarrjet shoqërore të privatizuara me metodën e spin off-it special, rrezikojnë t’i nënshtrohen procesit të ritenderimit. Por, me çfarë metode do të privatizohen këto ndërmarrje, kur me shuarjen e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, është shuar edhe privatizimi me metodën e spin off-it special.


Jo të gjitha ndërmarrjet shoqërore të privatizuara me metodën e spin off-it special, kanë përmbushur zotimet e kontraktuara me ish-Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit.

Në agjencinë pasardhëse të AKM-së, në AKP (Agjencia Kosovare e Privatizimit), thonë se që nga viti 2005, e deri më tani me këtë metodë janë shitur gjithsej 24 ndërmarrje, por shumica prej tyre nuk i kanë përmbushur zotimet për investime dhe punësim.

Këto ndërmarrje rrezikojnë t’i nënshtrohen procesit të riprivatizimit. Por, me çfarë metode do të riprivatizohen këto ndërmarrje, pasi procesi i privatizimit përmes metodës së spin off-it special, nuk praktikohet më, që me shuarjen e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit?

Arta Gosalci, zëdhënëse në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, thotë se metoda e privatizimit me spin-off special nuk praktikohet nga kjo agjenci.

“Procesi i privatizimit përmes metodës së spin off-it special, ka qenë i praktikuar nga ish-AKM-ja, metodë e cila edhe është paraparë me rregulloren e UNMIK-ut mbi themelimin e AKM-së”.

“Ndërsa, mandati i AKP-së, i cili buron nga Ligji për themelimin e AKP-së, nuk përfshin edhe metodën me spin-off special dhe, rrjedhimisht, kjo metodë nuk praktikohet nga AKP-ja
”, thekson Gosalci.

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ende nuk ka marrë vendim për riprivatizimin e tyre, edhe pse pohon se rreziku që këto ndërmarrje t’i nënshtrohen këtij procesi tashmë ekziston.

Bahri Shabani, anëtar i bordit të kësaj agjencie, thekson se janë afër 10 ndërmarrje, në të cilat tashmë është duke u bërë auditimi.

“Bazuar në kontratat që në atë kohë i kanë dhënë blerësit, investitorët, një numër i caktuar i atyre ndërmarrjeve ka dalë që nuk i ka përmbushur zotimet, qoftë në investime, qoftë në punësim”
, thekson Shabani.

Bordi i AKP-së, tashmë ka marrë vendim, që gjatë këtij viti të ritenderojë fabrikën e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri. Siç duket, thotë Shabanit, këtë fat do ta pësojnë edhe Fabrika e Duhanit në Gjilan, “Grand Hotel Prishtina”, Fabrika “Ballkan” në Suharekë, “Kosovatex” në Prishtinë dhe dy minierat e magnezitit, ajo e Strezovcit dhe e Goleshit, tha Bahri Shabani.

Procedura e spin off-it special nënkupton mosndryshimin e veprimtarisë së ndërmarrjeve.

Për këtë arsye, ekspertë për çështje ekonomike, vlerësojnë se Agjencia Kosovare e Privatizimit duhet të gjejë një model të njëjtë me metodën e spin off-it special për riprivatizimin e këtyre ndërmarrjeve.

Eksperti Ibrahim Rexhepi thekson se autoritetet kompetente, duhet të bazohen në instrumente të qëndrueshme tek investitorët.

Sipas Rexhepit, agjencia nuk duhet të bazohet shumë te çmimi, por tek investimet që duhet bëjë investuesi potencial.

“Meqenëse është fjala për disa objekte vitale, objekte kapitale, nuk guxojnë të shiten kush jep më shumë. Ndoshta është shansi i mirë që të caktohet një model, siç e kanë edhe shumë vende të rajonit; mos të kërkohet shumë çmimi, por të zgjidhen investitorët
”, pohon Rexhepi.

Në anën tjetër, Bahri Shabani tregon se pronarëve të ndërmarrjeve të dështuara, nuk do t’u kthehet shuma e mjeteve që kanë blerë ndërmarrjen, por as ato që kanë investuar deri në momentin e dështimit të kompanisë.

“Fatkeqësisht, në kontrata, në të cilat blerësit vetë e kanë theksuar, janë zotuar se nëse nuk u përmbahen zotimeve, heqin dorë nga benificionet e tjera. Këtu, duke marrë parasysh investimet dhe paratë e gatshme, me të cilat i kanë blerë ndërmarrjet”.

“Do të thotë, është qëndrim i tyre që e kanë theksuar në kontratë dhe ne, si bord, nuk mund ta ndryshojmë”,
shprehet Shabani.

Nga 196 milionë euro investime të zotuara, vetëm 134 milionë euro janë evidentuar si të realizuara deri më tani.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG