Ndërlidhjet

Favorizimi i prodhimeve


Produktet vendore kanë përparësi në përzgjedhjen që bëjnë qytetarët e Kosovës, gjatë furnizimit javor apo mujor me ushqime. Ata thonë se i zgjedhin produktet vendore për të kontribuuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës tregojnë se shkalla e lartë e importit mbetet shumë më e lartë sesa eksporti.



Konsumimi i prodhimeve vendore, është një gjë pozitive dhe që krijon mundësi për ta zhvilluar ekonominë e vendit, thonë disa nga qytetarët e Prishtinës.

Arta Zeqiri, qytetare nga Prishtina, thotë se konsumon prodhime vendore, pasi që ato, siç shprehet ajo, janë të një cilësie mjaft të lartë.

“Duhet t’i konsumojmë, sepse janë prodhime vendore. Nëse ne i konsumojmë prodhimet e vendit, do ta ndihmojmë ekonominë e Kosovës. Janë produkte të mira dhe të sigurta”,
thotë qytetarja Arta Zeqiri.

Ngjashëm mendon edhe Sami Haxholli:

“Më së shumti e konsumoj qumështin 'Vita'. Konsumoj prodhime vendore që t'u jap perspektivë produkteve tona dhe ta ndihmoj ekonominë e Kosovës”.

Drejtori i Departamentit të Statistikave Ekonomike në Entin Statistikor të Kosovës, Ilir Berisha, tregon se mallrat, të cilat janë importuar më së shumti gjatë vitit 2009, janë produktet ushqimore, vajrat, lëngjet dhe pajisjet e makinave elektrike.

Ndërsa, pjesën më të madhe të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt që dalin prej tyre.

“Eksporti për vitin 2009 ka qenë 162 milionë e 592 mijë euro, ndërsa importi ka qenë një miliard e 982 mijë euro. Nëse e krahasojmë me vitin 2008, atëherë del se në vitin 2009 ka pasur rënie të eksportit, ndërsa importi ka pasur një rënie prej 1.5 për qind
”, sqaron Berisha.

Ndërkaq, pronari i Fabrikës së ujit “Kika”, Abdullah Bajra, thekson se autoritetet kosovare duhet të përpiqen që të krijojnë politika të favorshme, ashtu që prodhimet kosovare të jenë më të fuqishme në raport me produktet që vijnë nga vendet tjera.

“Duke i konsumuar produktet e vendit, do të ketë punësim dhe rritje të mirëqenies në Kosovë, si dhe do të ketë produkte kualitative. Ne jemi duke punuar çdo herë për produkte më cilësore”
, thekson Bajra.

Deficiti tregtar që ka Kosova është shumë i lartë dhe raporti eksport - import, sipas të dhënave zyrtare, vazhdimisht është duke u rritur përgjatë viteve, në favor të importit.

Aktivisti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Imeraj, thotë se këto të dhëna tregojnë se politikat qeveritare të institucioneve të Kosovës dhe politikat ekonomike, në përgjithësi, më shumë e favorizojnë importimin e mallrave nga jashtë në Kosovë, sesa që favorizojnë ata që tentojnë të krijojnë hapësirë për prodhimin vendor.

“Ne, si lëvizje, mendojmë se një zhvillim ekonomik i mirëfilltë i Kosovës do të mund të vinte, nëse prodhimi vihet në pah të parë dhe të krijohen kushte që prodhimi vendor të lulëzojë, për shkak se në atë mënyrë do të forcoheshin prodhuesit aktualë”.

“Gjithashtu, do të investonin më shumë në kapacitet e tyre prodhuese, do të investonin në cilësinë e produkteve që kanë dhe kështu do të gjeneronin më shumë vende të punës
”, thotë Imeraj

Ndryshe, përfaqësues të bizneseve në Kosovë vazhdimisht kanë marrë iniciativa për promovimin e prodhimeve e vendore, në mënyrë që të krijohen lidhje të reja mes afaristëve vendas, si dhe atyre të huaj.
XS
SM
MD
LG