Ndërlidhjet

Kush vendos për Gjilanin?


Kush duhet ta thotë fjalën përfundimtare për rastin e Gjilanit? KZAP-i, Gjykata Supreme, apo KQZ-ja? Nga interpretimet e juristëve, Gjykata Supreme del të jetë instanca e fundit, por në KZAP thonë se për Gjilanin tani vendos KQZ-ja.

Lëmshi rreth fatit të Gjilanit, që vazhdon të mbetet pa kryetar, po vazhdon, ndërsa për ta zgjidhur atë, në lojë janë futur edhe organet e drejtësisë.

Në javën që po lëmë pas, Gjykata Supreme miratoi padinë e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për Gjilanin, Qemajl Mustafa, i cili kishte ankimuar vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rivotim në Gjilan.

Kjo gjykatë, anuloi kërkesën e KZAP-it për rivotim, nën arsyetimin se nuk ishin ofruar fakte të mjaftueshme për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.

Por, KZAP-i, në vendimin e 4 shkurtit, i ka ofruar Gjykatës Supreme fakte dhe të dhëna për parregullsitë, duke kërkuar sërish nga Komisioni Qendror Zgjedhor, që të vendosë për rivotim në Gjilan.

Zyrtari për informim në KZAP, Mulë Desku, hedh topin tash në KQZ.

“Ne e kemi marrë vendimin. KZAP-i e ka kryer detyrimin e vet. Është në mandat të KQZ-së marrja e vendimeve
”, thotë Desku.

Juristët thonë se është Gjykata Supreme ajo që jep vulën për një çështje. Por, në rastin e Gjilanit, avokati Ramë Gashi, thotë se Gjykata Supreme, nuk ka marrë, siç thotë, një vendim meritor, por e ka kthyer çështjen në rivendosje.

Kjo, nënkupton se çështja “Gjilani”, nuk ka përfunduar.

“Vetë fakti që çështja është adresuar si instanca e fundit në Gjykatën Supreme - vendimet e Gjykatës Supreme janë meritore. Por, tash varet, se çfarë vendimi ka marrë Gjykata Supreme”.


“A ka vendosur që një vendim, i cili ka qenë i ankimuar, ta ndryshojë, apo ka vendosur vetëm ta prishë dhe çështjen ta kthejë në rivendosje? Sa jam i informuar unë, Gjykata e ka kthyer çështjen në rivendosje, sa i përket shpjegimit të disa arsyeve, pse KZAP-i është dashur ta arsyetojë pse e ka marrë një vendim të tillë më herët
”, shpjegon Gashi.

Edhe pse u interpretua se KZAP-i kishte sfiduar vendimin e Gjykatës Supreme, zyrtarë të KZAP-it, por dhe avokati Gashi, thonë se ligjërisht vendimi është në rregull.

Megjithatë, çështja, sipas Gashit, nuk përfundon këtu.

“Kjo është lojë e pafund, sepse dikush nga palët e interesuara mundet sërish të ankimojë këtë vendim të KZAP-it. Së pari duhet shikuar se çka do të vendosë KQZ-ja, e më pas nëse do ta ankimojë vendimin, apo jo”.


“Kjo është shumë e vështirë, sepse kjo lojë mund të sillet gjatë derisa Gjykata Supreme të marrë ndonjë vendim meritor. Në këtë rast, nuk kemi pasur vendim meritor, por kthim të rishikimit të disa gjërave. Po të kishte vendim final të Gjykatës Supreme, KZAP-i nuk do të kishte pasur mundësi të vendosë përsëri”
, shprehet Gashi.

Sidoqoftë, nga tërë ky lëmsh, duket se pasojat po i vuan Gjilani, i cili vazhdon të ngelet pa kryetar. Burimin e këtyre problemeve, juristi dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Riza Smaka, e sheh te Ligji për zgjedhjet.

“Unë e kam ngritur një mocion për ta rishikuar Ligjin për zgjedhjet, që është ligj problematik, nuk është i qartë, nuk është i plotë, ka vakuume juridike dhe ka dispozita kontradiktore”.

“Relacionet KZAP-KQZ nuk janë definuar qartë, pastaj Gjykata Supreme, ajo kushtetuese; është një mjegullnajë, thjesht është hartuar dobët
”, thekson Smaka.

Në anën tjetër, KQZ është në pritje të informatave nga Gjykata Supreme dhe Kushtetuese, për të parë, nëse ende ka lëndë të pambaruara në lidhje me Gjilanin.

Gjykata Supreme, tashmë ka bërë të ditur se nuk ka marrë vendim për ankesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi parregullsitë në Gjilan, të cilat i ka kthyer për plotësim, duke i lënë palës një periudhë tetëditore për ridërgim.
XS
SM
MD
LG