Ndërlidhjet

logo-print

Qendrat e Mjekësisë Familjare në kryeqytet, përballen me probleme nga më të ndryshmet, duke filluar që nga problemet financiare, furnizimi me barna nga lista esenciale, pagesat shtesë të punëtorëve shëndetësorë, si dhe pakënaqësitë me pagat e tyre të ulëta, thotë Avdullah Hoti, kryeshef i Qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

“Ka probleme financiare, ka probleme me furnizimin me barna të listës esenciale, e shumë probleme tjera”, shprehet Hoti.

Sipas Hotit, fluksi i pacientëve që frekuentojnë Qendrat e Mjekësisë Familjare, është shumë i madh, kurse mungesa e kartelave shëndetësore që do ta identifikonte secilin pacient se në cilën lagje jeton, e vështirëson edhe më tepër përballimin e më se pesë mijë pacientëve frekuentues.

“Kartela shëndetësore do të identifikonte secilin pacient se në cilën lagje jeton dhe të zgjedhë Qendrën e Mjekësisë Familjare. Përndryshe, mungesa e tyre, na shkakton probleme, duke pasur fluks të papërballueshëm pacientësh dhe duke mos u identifikuar si pacient i asaj qendre”.

“Pacienti duhet të kontrollohet te mjeku familjar, i cili edhe e përcjell gjendjen e tij. Është esenciale që të lidhen mjeku me pacientin, ky është qëllimi ynë - të ketë qasje mjeku në ato familje që ua përcjell gjendje
n”, shpjegon kryeshefi Avdullah Hoti.

Edhe mungesa e kompjuterizimit të shërbimeve është një nga problemet kyçe, me të cilat përballen këto qendra të mjekësisë. I gjithë fluksi i pacientëve që vizitojnë këto qendra, evidentohet në mënyrë manuale.

“Kompjuterizimi i shërbimeve është synimi ynë që tentojmë të arrijmë. Kemi rreth 5 mijë shërbime brenda 24 orëve dhe të gjitha i pasqyrojmë në mënyrë manuale”.

“Ministria e Shëndetësisë nuk ka mundësi, duke e marrë parasysh buxhetin që posedon. Kemi pasur donacione, por janë tërhequr, sepse kushton shumë”,
thotë Hoti.

Në anën tjetër, sa i përket edukimit dhe shkollimit të kuadrove që punojnë në Qendra të Mjekësisë Familjare, zoti Hoti thotë se trajnimet e stafit janë në nivelin më të lartë sesa në rajon.

“Sa i përket kuadrove, jemi të parët në regjion, e them me plot përgjegjësi. Gjithmonë po flas për trajnime të kuadrit profesional”, shprehet Hoti.

Besa Ibrahimi, infermiere përgjegjëse në Qendrën e Mjekësisë Familjare nr.1, në Prishtinë, thotë se në këtë qendër punohet me tri ndërrime.

Sipas saj, është një punë e vështirë dhe me përgjegjësi, krahasuar me pagat e vogla, si dhe premtimet se do t’u paguhet turni i natës në vlerë prej 44 eurosh.

Si problem kryesor, Ibrahimi konsideron mungesën e kartelave shëndetësore të pacientëve, gjë e cila u shkakton numër të papërballueshëm pacientësh.

“Numri i madh i pacientëve na shkakton probleme, sepse secili pacient duhet të orientohet te një mjek familjar dhe gjendjen e tij shëndetësore ta përcjellë vetëm ai mjek, derisa na marrin kohën kalimtarët, e nuk mund të punojmë me pacientët tanë”.

“Secili pacient duhet të orientohet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen e vet, që nuk mungojnë në asnjë lagje
”, shprehet Besa Ibrahimi.

Edhe disa nga pacientët që ishin në këtë qendër, thonë se kushtet dhe shërbimet janë në nivel të duhur. Për Shemsi Kastratin, shërbimet që ofrohen në Qendrat e Mjekësisë Familjare, janë të kënaqshme.

“Duke pasur parasysh kushtet, shërbimi është i kënaqshëm; pa mjekësi s’ka asgjë”, shprehet Kastrati.

Në Prishtinë janë dhjetë Qendra të Mjekësisë Familjare.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG